MENU
klinika

Nga Ben Andoni

Shqipëri, Kosovë, “Open Ballkan” dhe të ngecësh në xhunglën e iniciativave rajonale

03.08.2021 - 19:24

Gati një vit më parë në Washington, Serbia dhe Kosova nënshkruan një dokument, sipas të cilit dy shtetet ballkanike, armike të pafre dhe me gjak pafund mesveti, zotoheshin për angazhimin e tyre në Minishengen. Tekstualisht. U firmos një dokument me disa detyrime respektivisht nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti; presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq; asokohe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Në 16 pika të dokumentit, të nënshkruar në zyrën e ish-presidentit Trump, mes shumë të tjerave thuhej se:

“Kosova dhe Serbia pajtohen të lëvizin përpara me normalizimin ekonomik duke u pajtuar në pikat e mëposhtme:

Të dy palët do të implementojnë marrëveshjen për autostradën Prishtinë – Beograd të nënshkruar më 14 shkurt, 2020.

Të dy palët do të implementojnë marrëveshjen e hekurudhave Prishtinë – Beograd të nënshkruar më 14 shkurt, 2020.

Kosova dhe Serbia do të punojnë me SHBA-të me Korporatën Financiare për Zhvillim Ndërkombëtar dhe EXIM në memorandume të mirëkuptimit për të operacionalizohen në: Autostradën e Paqes, Lidhjen hekurudhore midis Prishtinës dhe Merdares, Lidhjen hekurudhore midis Prishtinës dhe Nishit, Sigurimi i financimit për të mbështetur kreditë e kërkuara për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, Projekte bilaterale, Një prani ndërkombëtare, e Korporatës Financiare për Zhvillim Ndërkombëtar me kohë të plotë në Serbi.

Të dy palët do të hapin dhe do të operativizojnë Pikën e Përbashkët Kufitare në Merdare.

Të dy palët do të futen në “mini-Schengen”, të shpalosur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor të vitit 2019 dhe të shfrytëzojnë plotësisht përfitimet e saj.

Të dy palët do të njohin reciprokisht diplomat dhe certifikatat profesionale…”(dokumenti vazhdon). Më kaq nuk ke çfarë të thuash dhe të deklarosh…

Në shtator të këtij viti (2021) skadon afati i marrëveshjes së Washington, por jo qasja e SHBA, që është rikonfirmuar nga presidenti Biden. Që do të thotë se edhe në të ardhmen SHBA do ta mbështesë këtë marrëveshje, madje ka dhe organizmat për ta integruar atë që janë ekzistuese.

E megjithatë njohësit e Ballkanit nuk e quajnë më shumë problem këtë fakt sesa morinë e dokumenteve, marrëveshjeve dhe nismave, të cilat qarkullojnë në Ballkan dhe konfuzojnë jo vetëm analistët dhe gazetarët e thjeshtë por edhe njohësit e të drejtës ndërkombëtare dhe jo vetëm. Përgjatë viteve të fundit, dialogu i pafundmë dhe tashmë edhe pa krye Kosovë-Serbi vazhdon nga ana tjetër me morinë e takimeve dhe marrëveshjeve ballkanike, të cilat i shtohen iniciativave dhe angazhimeve të tyre. I fundit dhe me peshë më të madhe ishte ai i korrikut (2021) në Shkup mes Ramës, Vuçiç dhe Zaev, që e transformoj emrin e mallkuar “Mini-Shengen” në “Open Ballkan”. Odeta Barbullushi, këshilltare për politikën e jashtme e kryeministrit Rama, do e qartësonte iniciativën, që morën përsipër ta paragjykonin ende pa u zbardhur: “…qëllimet ishin dy, ishte një lloj riangazhimi i tre liderëve, si në nivel trepalësh dhe më gjerë. Fokusi kryesor ka qenë 4 liritë e tregut global të unifikuar, lëvizjes së lirë të njerëzve dhe kapitalit. Ishte dhe një angazhim i drejtpërdrejt me bizneset, për të dëgjuar propozimet e tyre dhe se si mund të kontribuohet më shumë. Ne përfitojmë nga kjo liberalizimin e tregtisë dhe qytetarët. Kam mundësinë e qytetarëve për të lëvizur lirisht, për të punuar si në një kompani në tjetrën, në Rajon. Njohje të kualifikimeve profesionale, apo edhe njohjen tregtisë certifikatave, analizave. Synimi është hapja e tregjeve tona. Është e rëndësishme që të shihemi si destinacion. Në këtë kontekst u diskutua për disa iniciativa të reja, për paketa të përbashkëta turistike, për promovimin e turizmit e kështu me radhë”.

Megjithë këtë pozitivitet, aspak të koklavitur, a nuk mban pak erë?! E para për një iniciativë të re, që ka lënë jashtë të tjerat dhe e dyta për një marrëveshje, që i mungonin elementet bazë: një Ministror, një sekretariat dhe shqyrtimi mbi tryezë e një materiali fizibiliteti. E sa shumë syresh janë bërë deri më tani?

Do mjaftonin pak gjëra pastaj dhe etiketimet e saj do të ishin të tmerrshme: Serbia në Adriatik! Serbia e Madhe! Shitje e Ramës! Në fakt, shqetësimi nuk është fare pa gjë. Para pak ditësh, më saktë 18 Korrik, Ministri i Punëve të Brendshme Vulin paraqiti programin politik të partisë së tij, (Lëvizja Socialiste), sipas të cilit të gjithë serbët e rajonit duhet të jetojnë në “botën e madhe serbe”. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si kryetar i Partisë Përparimtare Serbe, ishte dhe dëgjoi platformën që mëton suksesin e ekonomik, një ushtri moderne dhe të fortë dhe të tjera, por që dukshëm hedh disi në erë atë imazhin e tij të Serbisë të kulluar. “Për të ruajtur një Serbi të tillë, ne duhet të bëjmë gjithçka që të vazhdohet politika e Aleksandar Vuçiqit. Vetëm ajo është fitore, vetëm ajo është një garanci për mbijetesën e popullit tonë dhe asgjë tjetër”, the Vulin.

Po shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë?! Duhet të rrinë dhe besojnë në neutralitetin e Serbisë që po armatoset, modernitetin e Ballkanit pa luftëra apo paqësinë e të tjerëve që nuk po angazhohen!! Ndërkohë që Serbia po forcohet në ekonomi dhe ka një shkëmbim mallrash pozitiv për të me shtetet shqiptare, mes Shqipërisë dhe Kosovës janë 76 marrëveshje, zbatimi i të cilave lë shumë për të dëshiruar dhe me një qeveri sot në Prishtinë, gjithnjë e më negative në marrëdhëniet me Tiranën.

Si po manovron Serbia në kohën tonë? Pse është kaq konfuzion me nismat në Ballkan? Realiteti është i tillë. Qysh nga viti 2019, Beogradi përcolli idenë për “Jugosllavinë Evropiane”, brenda “Mini-Shengenit Ballkanik”. Në fakt, as Mali i Zi (më shumë malazezë jetojnë në Beograd se në të gjithë Malin e Zi!!!) dhe as Bosnja e Hercegovina (Republika Srpska është pjesë e rëndësishme e saj), nuk e përkrahën dhe pa përfshirë Kosovën, që e hodhi poshtë me të drejtë sepse nuk konsiderohej fare si shtet sovran dhe i pavarur. Pothuaj njëmbëdhjetë vite më parë, para nismës së Novi Sadit, vendet e tjera të Ballkanit ishin futur në iniciativa të tilla. Kështu, në vitin e largët 2008, katër shtete fqinje (Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut), takoheshin në samite vjetore të rregullta presidenciale, të cilat sot pothuaj u harruan krejt. Në vitin 2011, Mali i Zi filloi me pagëzimet e emrave, që nuk u ndalën deri para pak ditësh. Mali i Zi inincoi nismën “Western Balkans 6”, kurse më vonë në Tiranë u shpall “Beneluksi Ballkanik”. Të mendosh, Serbia, që ishte gati të vendoste çdo lloj asteriksi në Shkup ishte kundër asokohe, ndërsa shumë vite më vonë, me një staturë më të paqtë kërkon njohje te “Open Ballkan”!!! Me pak fjalë, Ballkani, i njëjti me kaq shumë iniciativa pa rezultat.

Çfarë mbeti sot në morinë e atyre premtimeve dhe iniciativave zhvilluar mes krerëve ballkanikë? Pse prodhohet kaq materiale kot në gadishull?! E megjithatë, sërish ata nuk u ndalën: Presidenti Vuçiç premtoi ecurinë pozitive kurse në takimin e Beogradit dhe Tiranës, pak javë më pas zhvillime të shumta, që do të kulmonin me atë që e tha plot patos Rama më 2023: Ballkani heq kufijtë. E bukur për ta besuar, por më e bukur akoma të realizohet në atë mori takimesh, me të njëjtin qëllim, që sot as nuk u mbahen mënd emrat. Megjithatë, të paktën edhe ulja në takime e liderave të Ballkanit mund të quhet sukses. Të paktën, këta na mëson historia jonë, ku vreri quhet vlerë ndërsa takimet ballkanike, me të drejtë, thjesht demagogji.

Sesioni i 76-të i Asamblesë së Përgjithshme të OKB

Xhaçka: Krenare për përkushtimin e Shqipërisë!

"Do të sigurojë mbijetesën politike pasi u shpall ‘non grata’"

Pritjet e Berishës/Kadilli: Nuk me impresionon