MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Si ndikon presioni i lartë i gjakut në trup?

15.08.2021 - 13:26

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Si ndikon presioni i lartë i gjakut në trup?

Mjeku: Pse është presioni i lartë i gjakut kaq i rëndësishëm? Sepse ai shton stresin në zemrën dhe arteriet tuaja, edhe nëse ju nuk ndjeni asnjë shqetësim. Ky stres i shtuar mund të rrisë shanset tuaja për sulm në zemër apo në tru.

Me kalimin e kohës, problemet në arteriet tuaja mund të zvogëlojnë fluksin e gjakut. E meqenëse të gjitha indet dhe organet në trupin tuaj kanë nevojë për gjak që të funksionojnë mirë, kjo do të thotë se elemente të tilla si truri, veshkat, shikimi apo jeta juaj seksuale mund të ndikohen gjithashtu.

Duke ndjekur zakone të shëndetshme dhe duke marrë medikamente për të mbajtur presionin tuaj të gjakut brenda normës, ju mund të parandaloni problemet në të ardhmen.

Arteriet

Gjithçka fillon me arteriet tuaja. Normalisht, enët që transportojnë gjak nga zemra juaj në pjesën tjetër të trupit kanë një shtresë të brendshme të lëmuar. Ato janë mjaft të forta dhe fleksibël për të shtyrë gjakun nëpër trup.

Presioni i lartë i gjakut i ndryshon ato. Forca shtesë e gjakut mund të dëmtojë qelizat në muret e brendshme të arterieve tuaja.

Nëse presioni nuk stabilizohet, mund të shkaktojë dëmtime në shtresën e lartë-përmendur, duke prishur sipërfaqen e saj të lëmuar. Aty kapen dhe grumbullohen copa yndyrore, të quajtura pllaka. Gjaku nuk mund të lëvizë aq mirë rreth këtyre bllokimeve, të cilat madje mund të bllokojnë tërësisht arteriet. Këto depozita gjithashtu mund t’i bëjnë muret të ngurta, kështu që bëhet edhe më e vështirë të lëvizë gjaku.

Ky dëmtim mund të bëjë që muri i arteries të zgjerohet dhe të dalë në sipërfaqen e jashtme si një tullumbace. Kjo fryrje quhet aneurizëm. Ajo mund të çahet dhe nga aty të rrjedhë gjaku jashtë arteries.

Zemra

Zemra juaj është një muskul, e si i tillë i nevojitet gjak edhe për vete. Kur enët e saj nuk e furnizojnë me gjak mjaftueshëm, ju mund të përjetoni:

– Rrahje të çrregullta të zemrës (aritmi)
– Dhimbje gjoksi (anginë)
– Sulm në zemër

Për të shtyrë gjakun nëpër arteriet e ngurta ose të bllokuara, zemra juaj duhet të punojë më shumë. Një zemër e mbingarkuar mund të bëhet më e madhe se normalja. Më tej muret e muskujve të zemrës humbasin fuqinë dhe nuk mund të pompojnë gjak aq mirë sa më parë. Kjo mund të çojë në një sulm në zemër ose pamjaftueshmëri të zemrës. Shanset janë më të mëdha nëse ju keni probleme të mëparshme me zemrën.
Kërko një konsultë kardiologu

Truri

Presioni i lartë i gjakut është shkaku kryesor i goditjes në tru. Kur një arterie në trurin tuaj rrjedh ose bllokohet, kjo gjë mund të ndalojë gjakun të shkojë në qelizat e trurit. Në varësi të pjesës së trurit tuaj që nuk furnizohet mirë dhe funksionit që ajo ka, ju mund të keni probleme me gjuhën, shikimin, lëvizjen ose çdo aftësi tjetër që truri juaj kontrollon. Mund të jetë e përkohshme nëse rikthehet rrjedha e gjakut, ose dëmtimi mund të jetë i përhershëm nëse problemi zgjat në kohë aq sa qelizat e trurit të vdesin.

Një furnizim i pamjaftueshëm i trurit me gjak gjithashtu mund t’ju bëjë të mos mendoni qartë dhe të keni probleme me kujtesën. Mund të shkaktojë një gjendje të quajtur demencë vaskulare.

Veshkat

Rreth 1 në 5 persona me presion të lartë të gjakut gjithashtu kanë sëmundje të veshkave. Veshkat tuaja mbështeten në një rrjet të enëve të vogla të gjakut për t’i sjellë atyre oksigjen dhe lëndë ushqyese dhe për të filtruar mbeturinat nga trupi juaj. Kur enët bllokohen, veshkat nuk mund të bëjnë punën e tyre.

Veshkat e shëndetshme luajnë gjithashtu një rol në mbajtjen nën kontroll të presionit të gjakut, kështu që kur ato dëmtohen, presioni i gjakut mund të rritet, gjë që më pas shkakton më shumë probleme me veshkat, duke hyrë kështu në një rreth vicioz. Kjo mund të çojë në insuficencë të veshkave.

Sytë

Presioni i lartë i gjakut i cili vazhdon për një kohë të gjatë mund të zvogëlojë rrjedhën dhe të dëmtojë enët e vogla të gjakut në sytë tuaj. Likidi mund të mblidhet nën retinën tuaj, pjesa e syrit ku fokusohen imazhet. Këto shkaktojnë probleme si: shikimi i turbullt, i shtrembëruar deri në humbje totale të të parit.

Ju gjithashtu mund të humbni shikimin kur nervi juaj optik nuk furnizohet mjaftueshëm me gjak.

Genitalet

Kur organet tuaja seksuale nuk marrin mjaftueshëm gjak, mund të shfaqen probleme të ereksionit te meshkujt, dhe dëshirë e ulët seksuale te femrat.

Këmbët, ijët dhe barku

Arteriet e ngushta apo të bllokuara në pjesët e ulëta të trupit tuaj, veçanërisht këmbët, mund të shkaktojnë dhimbje dhe krampe. Duke qenë se preken enë gjaku që nuk janë afër zemrës, mjeku juaj mund ta quajë këtë: sëmundje e arterieve periferike (SAP). Kjo gjëndje mund t’i bëjë muskujt në këmbë dhe ije më të ngrirë dhe të lodhen shpejt kur ecni apo ngjisni shkallë.

Kockat

Presioni i lartë i gjakut mund të shkaktojë humbjen e lartë të kalciumit nëpërmjet urinës. Nëse trupi juaj për të kompensuar këtë humbje e tërheq kalciumin nga kockat, mund të shkaktohet osteoporozë. Gratë në moshë, që vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut kanë më shumë shanse të kenë probleme me kockat e dobëta dhe të thyeshme.

Apnea e gjumit

1/3 deri në gjysmën e personave me presion të lartë të gjakut kanë gjithashtu këtë gjendje, një lloj ndërprerjeje e frymëmarrjes gjatë gjumit. Presioni i lartë tenton ta përkeqësojë këtë gjendje. Fatkeqësisht, çlodhja e pamjaftueshme që shkaktohet nga apnea e gjumit, ka tendencë nga ana e saj të rrisë presionin e gjakut.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.