MENU
klinika

Shenjat që jep trupi

Si t’i dalloni menjëherë dhimbjet e apandesitit?

05.08.2021 - 09:01

Apandesiti është një sëmundje që shkaktohet nga bllokimi dhe inflamacioni i apendiksit. Ky inflamacion shkakton vështirësi në rrjedhën e gjakut. Rritja e presionit shkakton një reagim inflamator që ndikon të gjithë shëndetin. Funksionet e sakta të këtij organi të vogël janë të panjohura. Megjithatë nëse apandesiti nuk trajtohet në kohë, mund të jetë vdekjeprurës.

Organi mund të shpërthejë duke e shpërndarë infeksionin në pjesë të tjera të sistemit tretës. Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme, që të njihni simptomat dhe të kërkoni ndihmë të menjëhershme për të shmangur komplikime të mëtejshme. Më poshtë do të gjeni 7 simptoma të cilat nuk duhet t’i injoroni.

Dhimbje e fortë barku
Shfaqja e kësaj dhimbje të fortë është një nga shenjat e para të apandesitit. Kjo simptomë përshkallëzohet gradualisht dhe vjen si pasojë e inflamacionit dhe presionit në këtë organ. Dhimbja vërehet në pjesën e poshtme të barkut, ndërkohë që intensiteti është në rritje. Në disa raste, dhimbja ndihet pranë kërthizës ose në pjesën e poshtme të shpinës. Simptoma përkeqësohet gjatë tështimës, lëvizjes së këmbëve ose stomakut.

Të vjella dhe të përziera
Pasi dhimbjes, nevoja e papritur për të vjelle, ose të përzierat janë një shenjë paralajmëruese e inflamacionit të apendiksit. Ndjesia e plogështisë shoqërohet gjithnjë nga të vjellat dhe ndodh në 90 përqind të rasteve. Nëse të vjellat përsëriten, atëherë duhet të shkoni tek mjeku.

Konstipacioni ose diarrea
Pacientët e prekur nga apandesiti kanë vështirësi në tretje dhe në jashtëqitje. Disa të tjerë preken nga diarea. Këto simptoma mund të shkaktohen edhe nga sëmundje të tjera, por janë edhe shenjë e inflamacionit të këtij organi.

Fryrje abdominale
Fryrja abdominale, pra e barkut, është ndjesia e parehatshme e të qenit të ngopur e të fryrë. Kjo ndjesi shkaktohet nga vështirësitë në tretje dhe është e zakonshme në rastet e apandesitit. Bëhet fjalë për një reagim inflamator të indeve dhe akumulimit të gazrave.

Temperatura dhe ethet
Në rastin e apandesitit mund të përballeni me temperaturë, ethe dhe të dridhura. Nëse temperatura rritet, është thelbësore të shkoni tek mjeku.

Humbja e oreksit
Inflamacioni i këtij organi ndërhyn tek tretja dhe pengon prodhimin e hormonit të urisë. Mungesa e oreksit shkakton mungesë ushqyesish në organizëm dhe duhet trajtuar menjëherë. Megjithatë, kjo simptomë duhet vlerësuar dhe analizuar në kombinim me simptoma të tjera.

Dhimbja e mprehtë
Kjo dhimbje është tipike e apandesitit dhe ndodh gjatë kontrollit të mjekut. Ajo dhimbje del në pah në momentin që mjeku prek pjesën e poshtme të barkut. Dhimbja është e mprehtë dhe e thellë me intensitet të lartë. Kur zona e infektuar preket, dhimbja ndihet më shumë dhe sëmundja identifikohet më lehtë. Konsultohuni me një mjek në momentin e parë që dyshoni se vuani nga apandesiti dhe kërkoni trajtimin e duhur e të menjëhershëm.