MENU
klinika

Lejla e talentuar dhe persekutuar...

Solistja e parë e Ansamblit, ndahet nga jeta

02.08.2021 - 18:29

        Ndërron jetën në moshën 89-vjeçare, solistja e parë e Ansamblit, Lili Këlliçi (Madhi)

Lili Këlliçi (Madhi) ishte një personalitet i padiskutueshëm i botës së artit të koreografisë shqiptare, për rreth 30-të vjet. Hapësira ku ajo punoi, ekzekutoi dhe interpretoi ishte jo vetëm e gjerë, por edhe shumë komplekse. Koha kur vallëzoi qe një kohë krejtësisht e pabesueshme për ditët tona dhe shpesh, ngjan si një kohë e filmave fiction.

Lejla Këlliçi (Madhi), apo siç e njohin të gjithë Lili, lindi më 2 qershor 1932, në kryeqytetin e Mbretërisë Shqiptare, Tiranë.

Familja ku ajo lindi, ishte një ndër familjet autoktone më të spikatura të kryeqytetit. Një familje e intelektuale dhe me një traditë të çmuar patriotike. Një familje ku ishte gërshetuar dashuria për Atdheun, me dashurinë për dijen dhe ëndrrën Europeane.

Babai i Lilit, Qemal Këlliçi, ish-student i shkëlqyer në “Robert College”, Stamboll dhe nëna e saj, Behije Vigani (shkodrane), bijë noteri, e rritën Lilin dhe dy vëllezërit e saj binjakë, Skifterin dhe Luanin, jo vetëm me shumë dashuri, por me një hapësirë emancipimi dhe një nxitje të vazhdueshme drejt rrënjëve të dijes.

Lili kaloi një fëmijëri të lumtur dhe natyrisht, pa nga afër vitet e vështira, por shpresëdhënëse të Luftës Anti-Fashiste Nacional-Çlirimtare. Përjetoi dhe betejën me vdekjen, kur fill pas luftës kaloi tifon. Të gjitha këto, së bashku me entuziazmin e viteve të para të çlirimit, mbrujtën tek Lili një karakter të fortë, një optimizëm, një dashuri dhe solidaritet për njerëzit që ajo e reflektoi për gjatë gjithë viteve të jetës së saj të gjatë.

Që në fëmijëri, ajo tregoi dhunti në artin e kërcimit, duke i mahnitur banorët dhe sidomos vogëlushët e rrugës “Siri Kodra“.

Pasi mbaroi shkollën “Lidhja e Prizrenit”, Lili ndoqi studimet në Institutin Femëror Pedagogjik, Tiranë, që e përfundoi me rezultate të larta.

Por, Lili dashuronte baletin dhe ishte e angazhuar drejtpërdrejt me grupet artistike të sapongritura!

Duhej të ishte artiste, apo mësuese? Terreni ku Lili po hynte me pasion, qe i thepisur.

Shqipëria ende ishte në një betejë konceptesh dhe morali. Pavarësisht shpatës së mprehtë të vizionit të një të ardhmeje socialiste që kishin komunistët, mbeturinat e një mjedisi konservator anadollako-islamik haseshin kudo.

Cila do të ishte e ardhmja e Lilit?

Kësaj pyetje të koklavitur, do t’i jepte përgjigje baletmaestri rus me famë botërore i “Balshoj Teatrit “ në Moskë, B.R.S.S, Boris Ramazin, kur ai takoi prindrit e Lilit:

– “…Zonjë dhe ju zotëri… Socializmi do ta çojë përpara këtë vend. Rinia do të jetë në ballë. Mësuese, inxhinierë dhe mjekë do të ketë me mijëra, por artistë të talentuar, që do të ruajnë dhe zhvillojnë vlerat shpirtërore të kombit tuaj të mrekullueshëm, do të ketë shumë pak…
…Prandaj e gjykoj të domosdoshme, që Lili duhet të jetë balerinë! “

Dhe që nga viti i largët 1950, Lili do të ishte pjesë e pandashme e artit koreografik. Në vitin 1957, themelohet zyrtarisht “Ansambli shtetëror i këngëve dhe valleve popullore” me një efektiv prej 40 vetësh. Lili do të emërohej si një nga dy solistet e para të grupit të valleve. Ajo do të ishte soliste e parë e Ansamblit, deri në vjeshtë të vitit 1972, kur një veprim absurd dhe eksperimental i Fadil Paçramit e zhvendos Lilin, si instruktore baleti në “Pallatin e Pionerëve, Tiranë”.
Ajo do të rithirrej në vitin 1974 në Ansambël, por Lili, si grua me karakter, e refuzoi me përbuzje këtë rikthim pa falje.

Ajo nuk e gëlltiste fyerjen dhe hipokrizinë.

Lili në interpretimet e saj shkëlqeu me elegancën, elasticitetin dhe frymën shpirtërore që i dha valles shqiptare. Gërshetoi si askush tjetër, elementet klasike të baletit me prurjen autoktone. Krijoi një model të valleve ku mpleksen rafinimi me forcën dhe historikja me të tashmen.

Që prej vitit 1949 në Festivalin e Rinisë në Hungari, ajo la pas një interpretim brilant të valleve popullore, nga jugu në veri. Momentale do të ishte figura e saj në filmin dokumentar “Vallëzimi i Shqipeve” i vitit 1960, me regji të Endri Kekos.

Askush si ajo, nuk e interpretoi solisten në “Vallja e vajzave të Tropojës” dhe është meritë e saj, që sot e përgjithmonë, kjo valle do të jetë një margaritar i trashëgimisë tonë kombëtare.

Por, jo vetëm kaq. Ajo konfiguroi shkëlqyer në “Mbledhja e mollëve”, ”Potpuri tiranase”, ”Vallja e Dardhës”, ”Vallja e Dibrës”, ”Dropullitja”etj.
Puna e saj vazhdon edhe si baletmaestër, kur bashkë me koreografin Vlash Kallamata, fituan vendin e parë në “Dekadat e Majit” të vitit 1985, me ansamblin “Dajti”, Tiranë.

Për punën e saj ajo është shpërblyer pak, përveçse me çmimet “Naim Frashëri” të klasit të dytë dhe të parë. As në epokën totalitare socialiste dhe më pas, në tridhjetëvjeçarin e tranzicionit, ajo nuk u vlerësua si duhet. Megjithatë, figura e Lilit, që midis të tjerash çau tisin mesjetar drejt kulturës perëndimore, do të ketë vendin e saj të padiskutueshëm në Panteonin e artit koreografik shqiptar.

Lili ishte gjithashtu, një bashkëshorte dhe nënë e jashtëzakonshme. Nga viti 1959, bashkëshorti i saj do të ishte dr.Prof Raqi Madhi, një burrë i vërtetë fisnik, personalitet me peshë të të madhe i histografisë politike, estetikës dhe pedagogjisë universitare.

Lili përballoi një jetë me sakrifica, ku për shumë vite iu përkushtua bashkëshortit të saj Raqit, në aspektin e kujdesit shpirtëror dhe shëndetësor. Gjithashtu rriti me shumë dashuri, dy fëmijët e saj, Ester, e cila përfundoi me rezultate shumë të larta Fakultetin e Mjeksisë në Tiranë dhe Hermon, që u diplomua në Akademinë e Arteve, si piktor grafist. Dy fëmijë të cilëve, u skaliti dashurinë për dijen dhe jetën, solidaritetin njerëzor dhe i përgatiti për një jetë atraktive sociale.

Ajo kurrë nuk vendosi në plan të parë, ambiciet profesionale, por familjen.

Vitet e fundit i kaloi në Quincy, MA e rrethuar nga dashuria e Esterit dhe mbesave, Livia dhe Alina, e stërnipave Lucas, Matthew dhe Sophi, si dhe nga respekti dhe zemërgjerësia e Aleksandrit, bashkëshortit të Esterit. Ajo nuk e harroi vendlindjen, duke e vizituar herë pas here të birin Hermon, bashkëshorten e tij Enkelejda dhe nipin, Xhon.

Edhe ne U.S.A, Lili qe atraktive duke ndarë kujtime të vendlindjes dhe duke lënë mbresë te bashkëmoshatarët e më gjerë, të shoqatës “Vatra”, në Boston.

E megjithatë koha rrjedh, u përpoqëm ta frenojmë për pak çaste, por nuk mundemi dot më.

Parajsa i ka hapur portat.

Ajo po e pret.

Paqja qoftë me ty përjetësisht!

Lotët s’na dalin, por do të ngushëllohemi me Bukurinë tënde njerëzore!

 

Hermon Madhi