MENU
klinika

Aranit Muraçi: Zjarri i fundit i Albin Kurtit në Shqipëri

Të gjithë të ‘verbuar’ nga madhështia e Skënderbeut të ri

14.08.2021 - 13:25

Një frymë përçarëse në formë debati është ngritur dhe po zhvillohet me shpejtësi kohët e fundit, mes shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë. Në këto ditë të nxehta përvëluese që kanë pushtuar Ballkanin, segmente të caktuara në Tiranë dhe në Prishtinë mbi këtë tendencë përçarjeje, po i hedhin sa të munden “benzinë zjarrit”, duke ndarë brenda laboratorit të partisë “tradhtarët” nga “patriotët” dhe duke u përpjekur që këtë “zbulim shkencor” t’ia shesin publikut.

Në Shqipëri ka ekzistuar prej kohësh, në fakt, një debat i ngjashëm, gati po aq qesharak, mes jugorëve dhe veriorëve. Më të paditurit, ta skllavëruarit nga politikat përçarëse, i lakmojnë gjithmonë këto debate. Ashtu si në Shqipëri, me të njëjtën tendencë është duke u zhvilluar debati i fundit, mes shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë. Por ashtu siç ka treguar historia, qëllimi i përçarjes gjithmonë ka pasur interesa të ngushta partish dhe politikanësh, ndaj edhe përfundimi do të jetë i njëjtë: pa bereqet, ndonëse në të gjitha rastet, sherret e brendshme kanë cënuar dhe kanë dëmtuar ndjeshëm interesin tonë kombëtar. Atëherë kush i frymëzon këto debate dhe për çfarë?

Nuk ka dyshim që, në mes të sherrnajeve të panevojshme qëndrojnë interesa të ngushta politike, pa ndonjë ide zhvillimi, progresi, përparimi. Në vend të nxitjes së një analize që do të ishte me vend të ngrihej mbi metoda shkencore, përmes një bashkëpunimi që mund të kryhej nga ekipe studiuesish që do të mund të dilnin nga universitetet e Tiranës dhe Prishtinës, ose i afrimit të studiuesve të shumtë shqiptarë në botë, të një analize mbarëkombëtare dhe të besueshme që të nxirrte në pah dobësitë dhe epërsitë që kanë shqiptarët në rajon, sharlatanë deri edhe “doktorë” me grada shkencore, por pa shkollë, analfabetë funksionalë të cilët politikat e mbrapshta i shtuan vetëm në trojet shqiptare, për qëllime “patriotizmi” andej dhe këtej kufirit japin sot leksione zhvillimi, duke shfrytëzuar “plagët e së kaluarës” së shqiptarëve për të ngritur mbi to thjesht të ardhmen e tyre politike.

A mund të ketë zhvillim një shtet, kombi në rastin konkret, pa e bazuar zhvillimin në dije, arsim dhe kulturë. A mund të funksionojë një shtet nëse mungon një sistem drejtësie që të jetë sa më i besueshëm dhe i aksesueshëm nga qytetarët e tij, nëse atij shteti i mungojnë institucione të besueshme demokratike, arsimore dhe shkencore nga njerëzit më me integritet. Nëse iu ka munguar dhe iu mungon një bashkëpunimin i frytshëm kombëtar, për t’i ngritur këto institucione, pse nuk e zhvillojnë dhe nuk e fokusojnë debatin në këtë drejtim që të bëhen model të njëra-tjetrës qeveritë e Kosovës për ata të Shqipërisë, ose anasjelltas. Kush i pengon?

Shqiptarët nuk mund të bashkëpunojnë për të shkruar historinë e tyre me serbët, as me grekët dhe as me turqit. As për arsimin, as për unifikimin e Gjuhës Shqipe, as për glorifikimin e heronjve të tyre të vërtetë, të atdhetarëve dhe dijetarëve që sakrifikuan veten për Atdheun. Nuk mund të debatojnë me vendet e tjera fqinje as se ku ka lindur dhe as se çfarë bëri Skënderbeu, as për origjinën dhe misionin e Nënë Terezës, as për suksesin e fundit të Rita Orës ose të Dua Lipës. Shqipëria dhe Kosova nuk mund të përfshihen as në ndonjë debat, mbi faktin se dy sportiste të talentuara nga Kosova morën medalje ari në Tokio 2020, sukses që Shqipëria nuk e ka arritur asnjëherë në historinë e saj.

Shqiptarët nuk i ka penguar të bashkëpunojnë mes tyre asgjë tjetër, përveç përçarjes, pavetëdijes dhe interesave politike të ditës. Nuk i pengon sot as “Ballkani i hapur”, nuk i pengonte dje as ai i mbyllur. A ka ndonjë komb në Europë, përveç shqiptarëve, qytetarët e të cilave nuk dinë se çfarë prodhojnë, çfarë importojnë dhe eksportojnë me të tjerët. A ka ndonjë komb në botë, qytetarët e të cilit e dinë shumë mirë se cilat janë resurset dhe pasuritë kombëtare, por në vend të një platforme të bazuar në zhvillim, politikanët e tyre nuk i japin kurrë shpjegim prapambetjes historike.

Në mungesë të këtij shpjegimi, kohët e fundit është shfaqur një farë xhelozie e shqiptarëve të Kosovës, për afrimin e fundit të Shqipërisë me Serbinë, pas nismës së “Ballkanit të hapur”. Shqiptarët e Kosovës pretendojnë se shqiptarët e Shqipërisë nuk e njohin mentalitetin e Serbisë, nga i cili ata janë përballur historikisht me krime kundër njerëzimit jo më larg se dy dekada më parë. Nga dashuria e madhe që thonë se kanë qytetarët e Kosovës për Shqipërinë, të nxitur nga politikat “patriotike” të ditës, ata druhen se përmes këtij projekti që po e udhëhiq Tirana, shqiptarët do ta humbin ‘dashurinë e përjetshme’ mes tyre.

Ky debat mbarëkombëtar po zhvillohet në një kohë, kur opozita në Shqipëri dështoi për t’a prezantuar për interesat e saj “tradhtar” kryeministrin Edi Rama. Misionin e këtij debati aktualisht e ka marrë në duar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. I kompleksuar nga roli i Edi Ramës në rajon, po aq sa edhe kundërshtarët e tij në Tiranë, Albin Kurti po luan kartat e një sfide të hapur ndaj homologut të tij shqiptar. Kryeministri i Kosovës politikisht është në të drejtën e tij, sepse ai udhëheq një parti e cila në thelb ka mision bashkimin kombëtar, prandaj në axhendën politike Kurti po kërkon të fitojë sa më tepër elektorat në Shqipëri. Asgjë më shumë se kaq.

Këtë elektorat Albin Kurti po përpiqet ta fitojë në kurriz të opozitës shqiptare, që kohët e fundit po përballet me vetë-ekzistencën e saj, ashtu sikurse kërkon të tërheqë pas vetes edhe të tjerë, kryesisht të zhgënjyer nga jeta, thjesht të “dashuruar” pas patriotizmit. Kurti duhet thënë se po luan mjeshtërisht përmes “patronazhistëve” të tij duke u përplasur në rrjetet sociale me patronazhistët e Ramës. Nëse ai nuk do të ketë asnjë rezultat në “luftën e ftohtë” që ka nisur me Ramën, nga zjarret që ka ndezur në Tiranë dhe Shqipëri, lideri i Vetëvendosjes, me siguri ka llogaritur që zëri i tij të zëvendësojë atë të opozitës, pasi kjo e fundit, ka kohë që e ka humbur edhe besimin e perëndimit.

Përplasja dhe debati i ushqyer me ndjenja “patriotizmi” shterpë është “arma” e vetme që zotëron dhe po shfrytëzon Albin Kurti në këto momente, për të fituar elektoratin që i nevojitet edhe në Shqipëri. Nuk ka asnjë provë historike që të tregojë se ndonjë forcë sado e fortë, e brendshme ose e jashtme, të ketë ndarë ndonjëherë popullin e Shqipërisë nga ai i Kosovës apo edhe të trojeve të tjera shqipfolëse, përveç një kufiri. Herët a vonë shqiptarët e kanë kuptuar, se kanë mbetur historikisht të përçarë prej politikave dhe retorikës përçarëse të ditës. Dalja nga prapambetja historike ekonomike dhe lënia shpeshherë në mëshirë të fatit e qytetarëve shqiptarë nga shtetet e të cilave kanë si detyrë t’iu garantojë të drejtat themelore, janë sfidat kryesore të Kombit Shqiptar, për të cilat kërkohet në çdo kohë bashkëpunim dhe vullnet kombëtar, pavarësisht situatave gjeopolitike në rajon.

Nuk ka asnjë provë historike që të tregojë se shqiptarët kanë luftuar ndonjëherë për pushtim territoresh që nuk janë të tyret. Mbi këtë fakt jemi populli ndoshta më paqësor në botë. Ata kurrë nuk kanë luftuar as kundër njëri-tjetrit, edhe atëherë kur për interesa të ngushta politike, politikanë të papërgjegjshëm i kanë përçarë, i kanë sunduar njësoj si pushtuesit, në vend që t’i qeverisin. Shqiptarët e dinë shumë mirë sot, se për shkak të politikave të mbrapshta dhe kapriciove të politikanëve që i kanë qeverisur, kanë mbetur për këtë arsye në një prapambetje historike, prej së cilës fatkeqësisht nuk po dalin dot.

Nuk është e lehtë të qeverisësh një shtet, as të udhëheqësh një komb. Është e dokumentuar lufta shekullore dhe heroike për liri e shqiptarëve, që kulmoi me atë të udhëhequr nga heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Për liri kur kanë qenë gjithnjë të bashkuar, shqiptarët kanë mposhtur edhe perandoritë më të mëdha të kohës. Pothuajse të gjithë udhëheqësit shqiptarë, të cilët kanë lakmuar t’i afrohen ose të krahasohen me Skënderbeun, në vend të bashkimit për të arritur qëllimin e tyre kanë nxitur përçarjen, dhe për pasojë kanë dështuar njëri pas tjetrit

Edhe në ato vite kur Shqipëria ishte e izoluar, shqiptarët u ndanë fizikisht, por kurrë shpirtërisht. Si shembull, në regjimin e Enver Hoxhës, kur Flamurtari i Vlorës triumfonte ndaj Partizanit në Beograd, goli i Sokol Kushtës shkaktoi “tërmet” në Prishtinë, aq sa lëkundjet u ndjenë në tërë Jugosllavinë që po jetonte momentet e saj të fundit.

Ashtu siç Shqipëria komuniste u prish shumë shpejt me Jugosllavinë pas Luftës së II Botërore, por kurrsesi nuk u nda shpirtërisht me Kosovën, ashtu do të jetë fati i çdo nisme tjetër që nuk do jetë në interesin kombëtar të shqiptarëve. Prandaj nuk ka pse të shqetësohet askush, sot në Prishtinë dhe Tiranë. Albin Kurti dhe Edi Rama nuk kanë në duar fatin e Kombit Shqiptar në Ballkan, por respektivisht populli iu ka besuar qeveritë e Shqipërisë dhe të Kosovës, ku si detyrë parësore mbetet përballja me sfidat ekonomike dhe frenimi i shpopullimit të kombit.

“Ballkani i hapur” nuk do të thotë mbyllje për ca shqiptarë dhe hapje për ca të tjerë me serbë, malazezë dhe maqedonas, apo boshnjakë. “Ballkani i hapur” është një nismë, e bazuar mbi një platformë kryesisht ekonomike në rajon, që çuditërisht po frikëson sot vetëm shqiptarët.

Pa u hapur ende Ballkani, Kosova dhe Shqipëria kanë rritur vitet e fundit vëllimin e blerjeve nga tregjet Serbe më shumë se me çdo vend tjetër të Ish Jugosllavisë. Edhe Kosova, edhe Shqipëria kanë aktualisht marrëdhënie tregtare me Serbinë. Të dyja, si dy shtete të një kombi, jo vetëm që nuk e kanë ngritur, por as mundohen të ngrihen mbi një platformë të përbashkët ekonomie kombëtare zhvillimi me veprimtari prodhuese për të dominuar tregun rajonal. Në diplomaci, shqiptarët ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me të tjerët u është dashur gjithmonë një “tutor”. Çfarë i pengon që të merren vesh? Dashuria për kombin, apo politikanët!

Montserrat Guibernau e ka përkufizuar kombin si një grup shoqëror i ndërgjegjshëm për formimin e një komuniteti, ndarjen e një kulture të përbashkët, të bashkangjitur në një territor të përcaktuar qartë, që ka një të kaluar të përbashkët dhe një projekt të përbashkët për të ardhmen.

Çdo komb është unik në përbërje të karakterit dhe vlerave të tij të veçanta. Vendimtare është të dihet nëse – dhe në çfarë mase – një grup duhet të jetë i vetëdijshëm për dallimet e tij të pretenduara nga grupet e tjera, në mënyrë që të klasifikohet si komb.

Disa argumentojë se një komb mund të përcaktohet objektivisht si një grup njerëzish që posedojnë një identitet kulturor të përbashkët dhe të veçantë, historikisht këmbëngulës (siç ka qenë lufta shekullore e shqiptarëve për ekzistencë), dhe që përbën shumicën brenda një zone të caktuar territoriale. Nëse është kështu, atëherë dikush mund të argumentojë se edhe nëse një ‘komb’ i tillë nuk ushtron të drejtën e vetëvendosjes (në çfarëdo forme), megjithatë është një komb.

Mbi të drejtën e vetëvendosjes Albin Kurti po përpiqet të realizojë qëllimet e tij politike edhe në Shqipëri, për të dalë ai i parë, në çdo nismë dhe debat kombëtar dhe rajonal. Kurti dhe Rama për këtë arsye nuk po e shohin njëri-tjetrin si bashkëpunëtorë, por si kundërshtarë. Në këtë drejtim Albin Kurti meqë ka shpalosur ambicie më të mëdha, duhet të jetë informuar se askush tjetër pas Skënderbeut, as Ismail Qemali, nuk ia ka dalë dot të udhëheqë i vetëm kombin shqiptar. Para se të jenë të parë në marrëdhënie me të tjerë, udhëheqësit tanë duhet të dinë se prej 1912, përjashto periudhën e regjimit komunist, fatin e kombit shqiptar e ka shkruar faktori ndërkombëtar.