MENU
klinika

Nga Mentor Nazarko

“Zjarri” i Berishës kundër Kimit, por jo vetëm!

06.08.2021 - 14:57

Nga Mentor Nazarko

Dalja e ish-kryeministrit Berisha në publik ishte zgjedhur për të arritur maksimumin e vëmendjes: menjëherë pas shkrimit të ambasadores Yuri Kim në gazetën ‘Panorama’, ku paralajmëronte pushimet, por ama jepte njëfarë, vademekumi këshilla pushimesh kreative për klasën tonë politike. Arsyeja e parë: synonte që t’i jepte përgjigje këshilltares jo thjesht për pushimet, e jo thjesht këshilltares, znj. Yuri Kim. E dyta, ai është komunikator i shkëlqyer, që  njeh kohën dhe argumentin e mirë për të qenë efektiv në komunikimin e tij, duke imagjinuar që ambasada ishte me pushime, siç paralajmëronte ambasadorja. Ndërkohë, duke qenë një periudhë e vakët për aktivitetin e përditshëm të kronikanëve, medias, ai donte me gjasë që të kishte maksimumin e vëmendjes së tyre, pra dhe publikut, veç zjarreve. Arsyeja e tretë: mesa duket në limitet e kohës pas shpalljes së tij ‘non grata’, padia franceze ndaj zotit Blinken si tha Berisha është dorëzuar nga avokati i tij.

Është në stilin e Berishës- thoshte dikush- të shkojë tek maksimumi i presionit dhe pastaj të tërhiqet në momentin e fundit. Në një kuptim, ajo çfarë ai iu përmbajt dje, vija e sjelljes që ai parapriu për shtatorin ishte një vijë e fuqishme presioni. Ai la të kuptohej se nuk do kishte tërheqje. La të kuptohej se do kishte trefishim të agresivitetit të gjuhës së tij në mbrojtje dmth në gjuhë denoncuese; vendosi disa piketa për sjelljen e PD-së në të ardhmen, dhe la të kuptohej se mes tij dhe Bashës ka një raport luajaliteti të plotë. Me gjasë ai në mënyrë të koduar la të kuptohen dhe disa kushtëzime që e përcaktojnë këtë luajalitet tash e tutje, ama mbështetur tek e kaluara. Dosja ruse, që sipas Berishës iu dorëzua nga Donald Lu-ja, mund të ishte një kushtëzim, ashtu si mund të ketë dhe gjëra të tjera: Berisha nuk u kujdes ta fshihte se Basha i kishte raportuar dhe irritimin e zonjës, pra detaje!

Berisha si figurë politike, që ka kushtëzuar, përcaktuar zhvillimet tona në 30 vitet e fundit, po sheh që në fundin e karrierës së vet, po merr një goditje të rëndë, gati vdekjeprurëse politikisht. Ai dhe familja e tij  po akuzohen për korrupsion, diçka krejt ndryshe nga futja në listën e zezë të përshembull të kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, zoti Xhaferri,  për rolin e tij në konfliktin e armatosur në vitin 2000 mes UÇK-së dhe shtetit maqedonas. Me këtë lloj vule kaq të rëndë për karrierën e tij të gjatë politike, Berisha është brenda së drejtës së vet individuale që të mbrohet ashtu si di ai. Ta mbrojë dinjitetin e tij dhe të familjes së tij ashtu siç di ai dhe siç mundet ai.

Mund të divergjojmë si të duam, sa të duam nga rruga që ai ka zgjedhur për të mbrojtur dinjitetin e vet. Por që ai të mbrojë veten kjo nuk ka diskutim.

Linjat e mbrojtjes

Dhe le të shikojmë disa prej linjave të mbrojtjes: Berisha, ndoshta në mënyrë inkoherente, do të krijojë idenë se SHBA-të kanë diçka të personalizuar me të. Madje dhe reagimi i shpejtë i ambasadës së SHBA-ve ndaj tij, në kohë reale i shërben kësaj narrative. Zoti Berisha në këtë fazë të jetës së vet, politike dhe njerëzore edhe për shkak të leximeve të veta, –ai është një pasionant i leximit, ndjek disa shembuj nga leximet, por dhe nga eksperienca e jetës sonë kombëtare. Ai e kupton që përballë një akuze të tillë kaq të rëndë të luftosh si Davidi me Goliathin është rrethanë lehtësuese në raportin e tij me historinë, diçka që nuk po e bëjnë të tjerët: më jepni prova! apo padi ndaj Sekretarit të shtetit! Ai beson se do të ishte diçka që të paktën në imagjinatën kolektive të mbrojtësve të vetë mund të ngjajë si një lloj melhemi i mirë për plagën që i ka krijuar kjo goditje e SHBA-ve. Si dikushi që e ka jetuar pjesën më të rëndësishme të rinisë së vet jo thjesht fizike, por edhe asaj politike nën ndikimin e Enver Hoxhës, që u përplas në fillim me rusët, pastaj me amerikanët, pastaj me të dy bashkë, pastaj dhe me Kinën dhe me të tre bashkë, ai thellë-thellë e ka qejf këtë lloj përplasje. Reagimi amerikan që pasoi ishte shumë i qartë: ne do t’i përdorim të gjithë instrumentet që kemi në dispozicion dhe instrumentet që kanë në dispozicion SHBA-të janë të shumta, me karakter legal, politik, me karakter diplomatik, etj. Por ndërkohë nis inkoherenca: ai u përpoq për të krijuar këtë frontin e mbrojtësve publikë a mbështetësve të vet të argumentonte se sulmi ndaj tij është diçka që ka lidhje dhe me PD-në”. Berisha tha diçka që mund të ngjajë, si vetëdëmtuese kur tha që nuk ka patur gjatë këtyre tetë vjetëve( ?) mbështetje të SHBA-ve për PD-në. La të kuptohej kësisoj që ambasadat mbështesin qeveritë, pra edhe se kur ka qenë ai në pushtet, ambasada e SHBA-ve ka mbështetur vetëm qeverinë e tij.  I kapur nga provokimi i pyetjeve, por jo vetëm, ai la të kuptohej që edhe PD do të përfshihet në luftë,  madje edhe Basha! Berisha la të kuptohej  tërësisht se Basha është plotësisht në të njëjtën varkë me të: me fjalë të tjera PD-ja zyrtare do të përfshihet në një përplasje frontale me SHBA-të.  Mirëpo e gjitha kjo që po ndodh prej disa muajsh ndikon- duam apo nuk duam në raportin e publikut me SHBA- të, raport që nuk është konstant dhe i garantuar, kah dashuria dhe adhurimi si në 1991! Pavarësisht se Berisha po mundohet të tregojë: Unë nuk jam antiamerikaN; se PD-ja është parti proamerikane; dhe riposton foto dhe video të takimeve të tij me SHBA: përplasjet e tij me të gjithë ambasadorët, me vulën e këtij të fundit, vendoset qartësisht në një linjë përplasjeje pa kthim me Amerikën. Edhe sa i takon Kosovës, Berisha prapë duhet të kuptojë që shembulli të cilit ai i referohet – shkëmbimi i territorit që e paskësh parandaluar- është retorikë që mban akoma gjallë përçarjen mes Kosovës dhe Shqipërisë; Kosovës dhe SHBA-ve, nxit frymë antiamerikane. Përsëritja që ai bën argumentit të tij kryesor se hyra në listën e zezë sepse kontribuova kundër meje Soros dhe Rama,  i bën dëm atij: Soros bashkëpunoi me Trumpin kundër tij dhe Trump e Biden janë të dy kundër tij? Pra vendimi kundër Berishës qenka bipartizan: Ok, Davidi del trim akoma më i madh, por betejës nuk i dihet fundi!

Mirëpo një proamerikan me çdo kusht, duhet të mendojë se amerikanët nuk gabojnë, por edhe sikur të gabojnë ata, nuk është detyra jonë t’ua tregojmë se ku gabojnë. Ata i zgjidhin vetë gabimet e tyre. Berisha dhe ne duhet të korrigjojmë sjelljen tonë. Ne nuk mund t’u imponojmë kushte atyre. Dikush thotë se ambasadorja Kim ishte më arrogantja e ambasadorëve, por, krejt ambasadorët amerikanë si rregull janë arrogantë. Donald Lu, Arivizu, Limpreht, Mariza Lino ishin arrogantë, ky është stili i tyre: për fat të mirë që është i tillë.  Ndonëse përkundrejt tyre, Berisha në pikëpamje personale duhet të reagojë për t’u mbrojtur, ai ka zgjedhur të mbrohet duke sulmuar.

A kishte dhe ka një rrugë tjetër reagimi të Berishës?

Po sikur Berisha me eksperiencën që ka, të bënte rol tjetër: të ishte pajtues, të gjente të përbashkëtat e dy apo më shumë palëve, të ndikonte në pajtimin e qeverive në Kosovë dhe Shqipërisë, etj? Ai tha se është kundër idesë së qeverisë së përbashkët, sepse kur ata- Basha dhe Rama bëhen bashkë, Berisha ngjan se do ishte delja e zezë për tu sakrifikuar. Mirëpo, për interesin kombëtar ky do ishte funksioni i politikanit me eksperiencë, të ndihmojë më të rinjtë për të mos bërë gabime. Ish-presidentët dhe ish-kryeministrat e Maqedonisë, për shembull, pasi japin dorëheqjen tërhiqen dhe s’janë më të pranishëm në jetën publike. Shihni Gruevskin: antiamerikan, i akuzuar për korrupsion; autokrat, u ndoq penalisht, u arratis, por ama s’eshtë në listë të zezë. Pse? Sepse nuk është i pranishëm në jetën publike dhe po e mban fjalën. Berisha s’rri dot pa folur. Ok, por si Rruga e mesme mund të ishte patjetër ajo pajtuese; Berisha mund ta luante këtë rol. Ishte impresive qartësia e tij në formulimin e  disa çështjeve, për shembull ajo që tha për Ballkanin e Hapur- pa veshjen acidike: paralelja që ai ndërtoi me qasjen e administratës Trump për rishikimin e marrëveshjeve të tregtisë së lirë me Kanadanë; për modelimin e shkembimeve ishte një këshillë e jashtëzakonshme që mund t’i vlejë Ramës. Kur foli për lopët, subvencionin e tyre në Serbi, ai tregoi se ndjek me vëmendje dhe gjëra të holla. Nëse Berisha do të ishte me këtë stil komunikimi, pa atë malinjitetin agresiv që karakterizon komunikimin e tij Berisha, do ishte një aset i madh publik, aq më tepër sot. Është rrezik real statuskuoja për ne, duke patur parasysh se udhëhiqemi nga një njeri si Rama, me të cilin është shumë i fuqishëm rreziku i rrëshqitjes në gabime të reja,  apo që nuk korrigjon gabimet e veta të mëparshme; nëse nuk shkëputet nga grupet e interesit që e sollën apo i konfirmuan pushtetin.

Mirëpo ç’ do të ndodhë?

Me siguri që do të kemi një ashpërsim përplasjeje mes tij dhe SHBA, mes PD dhe SHBA; me instrumente të reja dhe të vjetra. Mund të ketë një çarje të PD dhe ky nuk është një probabilitet i vogël, por i lartë. Nëse ndodh kështu kemi hyrje tek skenari i vendeve të Lindjes komuniste: kështu ka ndodhur kudo, në Serbi, Bullgari, Rumani, etj ku këto parti janë tretur a përçarë prej 1991 e këtej. Skenari i dytë është që SHBA mund të përdorin të gjitha instrumentet, vendore dhe të vetat sepse fjala pandëshkueshmëri, ishte e pranishme në reagimin flakë për flakë të SHBA-ve, dhe kësisoj përplasja mund të jetë e fortë. Një skenar i tillë, me PD që ka për të vijuar kursin e përplasjes, e favorizon Ramën: SHBA duan që të shtyjnë Ballkanin kah këtij drejtimi integrues dhe hëpërhë Berisha është zgjedhur fatkeqësisht si shembull për tu ndëshkuar për këtë politikë agresive të SHBA.