Nga: Ibrahim Kelmendi, shkrimtar nga Gjermania
10-VJETORI I MISIONARIZMIT TË RILINDASIT BRANKO MANOJLOVSKI
Po falënderoj Haki Morinën që më provokoi me konstatimin e tij kuturu “maqedonët janë më antishqiptarë sesa serbët” – për të rikujtuar se para 10 viteve isha pjesëmarrësi aktiv në një “aventurë” goxha romantike.
Rilindasi Branko Tanashi / Manojlovski, tani deputet i BDI-së në Kuvendin e Makedonisë, ishte përcaktuar për të ec këmbë rreth 420 km, buzë Lumit Vardar, nga Burimi në Vrutok (Gostivar) deri në Derdhje / Delta në Detin Egje. Fatmirësisht u treguan të gatshëm edhe profesorët universitarë Vullnet Ahmeti (tani Rektor i UTSH-së) dhe Ibrahim Dehari, sepse këta, si profesorë fizkulture, kishin përvojë dhe kondicion edhe për ecje maratonike. U paraqiten edhe të tjerë veprimtarë të Shoqatës Josif Bageri. Po veqoi dibranen Donka Kaziovska, e cila ka mbaruar studimet e Gjuhës shqipe në Universitet të Shkupit, përndryshe vajzë e Babait arvanit, i dëbuar në vitet e 1960-ta nga Greqia në Makedoni si “egejc”.
U përcaktova t’i shoqëroja si gazetar reporter, por u ndieva i detyruar të këmbësoroj edhe unë, sepse nuk ishte etike t’i shoqëroja i hipur në xhip, të cilin e kishim ngarkuar me proviant, shatora dhe pajisje tjera për pushim e fjetje gjatë rrugëtimi.
Gjithë ekipi shoqërues i Xha Brankos mbante veshur triko të bardhë, ku ishte stamuar Emblema e Shoqatës Josif Bageri. Xha Branko donte të informonte bashkatdhetarët dhe bashkëqytetarët, sidomos ata maqedonisht-folës, për diskriminimit dhe asimilimin që u kishte ndodhur shqiptarëve ortodoks në Makedoni, nga vitii 1913 kur ka ndodh pushtimi serb, deri në vitin 2001, kur është bërë Marrëveshja e Ohrit. Trakti në maqedonisht, që e shpërndanim gjatë rruge, përmbante informacionin për historinë dhe gjendjen e shqiptarëve ortodoks në Makedoni.
Branko Tanashi / Manojlovski, tashmë deputet i BDI-së në Kuvendin e Makedonisë
Përjetime e përvojë interesante: asnjë makedon nuk na ka fye gjatë gjithë këmbësorimit mbi 400 kilometërsh, deri kur kemi arritur në kufirin për të kaluar në Greqi (buzë Gjevgjelie). Aty policia greke pat arrestuar shkurtimisht Xha Brankon për t’ia ndaluar rrugëtimin buzë Vardari në territorin makedon nën Greqi. Por meqë Xha Branko ishte edhe shtetas amerikan, e liruan shpejt; nga dalja e Shkupit deri në kufirin me Greqi kemi pa e përjetuar makedonë të varfër deri në kockë, të cilët Pologun e vlerësonin si Gjermani…
Të gjithë u surprizuam, pse asnjë makedon, nga momenti kur këtë mision e uruan me ceremoni fetare Prifti i Kishës së Vrutokut, bashkë me Hoxhën e Xhamisë së Vrutokut (Gostivar), deri në kufirin me Greqinë, nuk na shau, fyeu e kritikoi, përkundrazi shprehnin keqardhje për ato që i lexonin e dëgjonin nga misionarët e Josif Bagerit dhe Branko Tanashit, duke na uruar rrugëtim të mbarë e suksese.
Ditëlindjen e 70-të (1 gusht 1941) te Xha Brankos e patëm festuar në Gjevgjeli (më 1 gusht 2011). Na nderuan mysafirë të shumtë, që erdhen enkas nga anët e anëve, për ta uruar Xha Brankon, i cili po emetonte misionarizëm human e patriotik dhe energji pozitive, që bashkëqytetarët në Makedoni të njihen e mirëkuptohen sa më shumë – për bashkëjetesë sa më të qytetëruar!