MENU
klinika

Inzaghi më mirë se Conte

11 autorë golash në 5 sfida, ky Inter të tremb

23.09.2021 - 16:05

Inter po tregon që në fillim supremacinë e tyre në sulm duke arritur të shënojnë plot 18 herë në 5 javë. Me gola dhe spektakël, formacioni i Inzaghit po bën më mirë edhe se ai i vitit të kaluar, kohë kur shpalleshin kampionë.

Trembëdhjetë pikë nga 15, me 18 gola të shënuar dhe 5 të pësuar, janë shifra më të mira se ato të startit të vitit të kaluar. Pas 5 javësh, grupi i Conte pati 10 pikë, kishte shënuar 5 gola më pak dhe kishte pësuar 3 më shumë, pa harruar se kalendari fillestar ishte më pak i butë se ai aktual.

Reparti ofensiv humbi potencë me shitjen e Lukakut dhe pasojat pritet të ndiheshin që në fillim, por nuk po rezulton kështu. Jo vetëm që mungesa e Lukakut nuk po ndihet, por Interi po bën më mirë se kurrë. Krijon më shumë, ka zhdërvjelltësi në lojë dhe është më i paparashikueshëm.

Futbollistët argëtohen dhe po tregojnë se grupi vjen para gjithçkaje. Jo më kot golat vijnë nga çdo repart. Paradën e rrjetave e ka nisur pikërisht një mbrojtës: Skriniar realizoi në minutën e 6 të ndeshjes së parë kundër Genoas dhe e bëri përsëri kundër Bologna.

Pikërisht kundër kësaj të fundit gjeti golin edhe Dimarco që bashkë me Perisic e Darmian plotësojnë autorët e golave të ardhur nga mbrojtja. Calhanoglu e Barrela kanë nderuar mesfushën, ndërsa nga treshja e titullarëve vetëm Brozovic nuk ka shënuar ende.

Inzaghi ka gjetur shpëtim edhe te zëvendësuesit Vidal e Vecino, të cilët me realizimet e tyre kanë qenë shumë të rëndësishëm për ekipin. Normalisht që më mirë se sulmuesit askush nuk mund të japë shfaqje në zonën kundërshtare dhe mes Dzeko, Lautaros e Correas janë plot 9 gola, gjysma e atyre aktualë.

Ai që ka pasur më shumë ndikim deri tani është pikërisht 35-vjeçari Dzeko. Me katër golat e tij është ai udhëheqësi i këtij Interi, duke vënë në dispozicion të ekipit eksperiencën e tij të pafundme. Edhe pse mes dyshimeve si pasardhës i Lukakut, po provon të jetë gjithmonë e më vendimtar.

Fillimi i mbarë gjysma e punës, thotë populli. Por Inzaghi e di mirë që nuk do të jetë e lehtë, sepse do të ketë sfida me skuadra të tjera më të forta, duke nisur që nga kjo e shtunë me Atalantën në “San Siro”.

Pas pushimit pë shkak të ndeshjeve të kombëtareve, pastaj vijnë përballjet me Lazion, Juventusin, Milanin dhe Napoli. Një muaj zjarri për zikaltrit, ku do të kuptohet nëse do të jetë në gjendje të mbrojë titullin apo starti i tanishëm është thjesht rastësi.