MENU
klinika

Historia e bandës

Arratisja… me shefin e Sigurimit të Divizionit të Korçës!

16.09.2021 - 11:44

       Pjesa e dytë

Publikohet historia e panjohur dhe e bujshme e të ashtuquajturës “banda Xhevdet Mustafa”, ku bënin pjesë: Sabaudin Haznedari, Xhevdet Mustafa dhe Halit Bajrami, të cilët në mesnatën e 26 shtatorit të vitit 1982, me anë të një motoskafi të vogël që ishte nisur nga brigjet italiane, zbarkuan në bregdetin e Divjakës, ku pasi vranë një oficer policie dhe një fshatar të zonës, nën forcën e armëve, mbajtën peng një polic tjetër, i cili do t’u tregonte rrugën për të përparuar në brendësi të territorit shqiptar, deri sa ata arritën në qytezën e vogël të Rrogozhinës, ku u zbuluan nga njerëzit e Sigurimit të Shtetit dhe pas një përpjekje me armë, ‘kapo’ i saj Sabaudin Haznedari, mbeti i vrarë në një qendër zjarri, dhe po ashtu të njëjtin “fat” do të kishte edhe Xhevdet Mustafa, që mbeti i vrarë pas disa orësh, në një shtëpi të fshatit Zhamë të Lushnjes, pasi më parë kishte vrarë të zotin e shtëpisë dhe një nënoficer policie që po e ndiqte me motoçikletë. Dëshmia e rrallë e Gafurr Haznedarit nga qyteti i Durrësit, vëllait të ‘kapos’ së asaj bande, që rrëfen për herë të parë gjithë historinë e së ashtuquajturës “banda Xhevdet Mustafa”, e cila sipas versionit të Enver Hoxhës, “ishte dërguar nga UDB-ja në bashkëpunim me Leka Zogun, me qëllim për të vrarë sekretarin e parë të Komitetit Qendror të PPSH-së”. Ngjarja e panjohur, vjen nëpërmjet vëllait të ‘kapobandës’, Haznedari, duke filluar nga historia e tyre familjare për të cilën aktori dhe dramaturgu i njohur, Sulejman Pitarka, do t’i kushtonte dramën “Familja e peshkatari”, si dhe të gjithë kombinacionet e Sigurimit të Shtetit, që nga arratisja e tyre dhe deri në ngjarjen e 26 shtatorit 1982, ku Sabaudini dhe Xhevdeti mbetën të vrarë, në përpjekje me forcat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, kurse Halit Bajrami, pasi u mbajt disa kohë në “Hetuesi” dhe te Hotel “Tirana”, u përcoll nga Zbulimi Shqiptar në Zelandën e Re, ku jetoi i qetë edhe pas viteve ’90-të, duke mos pranuar të shkelte më në Shqipëri!

Nga: Dashnor Kaloçi

Plot 39-vjet më parë, në paraditen e së dielës së 26 shtatorit të vitit 1982, një ngjarje aspak e zakontë dhe tepër e bujshme e ndodhur në një qytezë të vogël të Shqipërisë së Mesme. Shprishi heshtjen e monotoninë mbytëse që mbizotëronte prej vitesh në Shqipërinë komuniste të asaj kohe, duke shkaktuar pështjellim e panik të madh edhe në radhët e hierarkisë së lartë të udhëheqjes komuniste të kryesuar prej Enver Hoxhës. Po atë pasdite, lajmi mbi atë ngjarje, që ishte përhapur me një shpejtësi po të pazakontë pothuaj në të gjithë vendin, duke u rrëfyer në forma nga më të ndryshmet. U bë i ditur edhe nga Radio-Televizioni Shqiptar, me anë të një njoftim zyrtar të dhënë nëpërmjet një komunikate zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili u transmetua në emisionin e lajmeve të orës 20.00. Ajo komunikatë zyrtare në mes të tjerash, bënte të ditur se: ‘një bandë e armatosur e financuar dhe e stërvitur nga shërbimet sekrete të disa vendeve fqinje, në bashkëpunim dhe me armiqtë e popullit shqiptar, kishte zbarkuar disa km në thellësi të territorit shqiptar në bregdetin e Divjakës, ku dhe ishte asgjësuar plotësisht nga forcat e Ministrisë së Brendshme’.

Afro dy muaj më pas, akoma pa u shuar jehona e asaj ngjarje, gjatë një takimi që kreu i Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, mbajti me zgjedhësit e zonës së tij elektorale në Tiranë, në mes të tjerash foli dhe për atë “bandë” që tashmë ishte bërë e njohur, kudo në të gjithë Shqipërinë, si “Banda e Xhevdet Mustafës”. Lidhur me këtë, ai u shpreh: “Banda e armatosur e kriminelit Xhevdet Mustafa, që u përgatit dhe u financua nga Leka Zogu në bashkëpunim me UDB-në jugosllave dhe shërbimet e huaja sekrete, të disa vendeve fqinje, u asgjësua e u eliminua plotësisht brenda gjashtë orëve nga zbarkimi i tyre, akoma pa e parë mirë diellin shqiptar”.

Për këtë ngjarje të bujshme, që asokohe tronditi gjithë Shqipërinë dhe hapi panik të madh për disa muaj me radhë duke vënë në gatishmëri të lartë të gjitha repartet e Forcave të Armatosura dhe çetat vullnetare, është folur dhe shkruar vetëm pas viteve ’90-të, me shembjen e regjimit komunist, por përsëri, e gjithë ngjarja e 26 shtatorit të vitit 1982, ku mbetën të vrarë Sabaudin Haznedari dhe Xhevdet Mustafa, si dhe e ashtuquajtura “banda Xhevdet Mustafa”, edhe pse kanë kaluar katër dekada që nga ajo kohë, vazhdon të mbetet e mbuluar me mister, duke mbajtur mbi vetë një sërë pikëpyetjesh!

Në këtë kontekst, me qëllimin për të tentuar për të hedhur sadopak dritë mbi atë ngjarje të largët, Memorie.al i rikthehet përsëri një cikli shkrimesh për të ashtuquajturën “banda Xhevdet Mustafa”, duke publikur fakte dhe ngjarje të reja të panjohur më parë, të cilat vijnë nëpërmjet intervistës me Gafurr Haznedarin nga qyteti i Durrësit, i cili është vëllai i Sabaudin Haznedarit, kryetarit të “grupit komando”, që së bashku me Xhevdet Mustafën e Halit Bajramin, zbarkoi në bregdetin e Divjakës në mesnatën e largët të 26-shtatorit të vitit 1982, ku sipas versionit të Tiranës zyrtare të artikuluar nga vetë Enver Hoxha në fjalën e mbajtur para zgjedhësve të tij të zonës elektorale në Tiranë, “ishte dërguar nga UDB-ja në bashkëpunim me Leka Zogun, me qëllim për të vrarë sekretarin e parë të Komitetit Qendror të PPSH-së”.

Pas intervistës me z. Gafurr Haznedari që do të publikohet në gjashtë numra radhazi, (duke filluar nga sot), Memorie.al do vazhdoj përsëri me shkrime të tjera, me dëshmi dhe intervista, nga aktorë të asaj ngjarje, të afërm të familjeve të tyre, si dhe dëshmitarë të ndryshëm, që rastësia i lidhi, apo i çoi në atë vend ku 39 vite më parë zbarkoi ‘grupi i armatosur komando’ i njohur ndryshe si “banda Xhevdet Mustafa”, ngjarje e cila edhe sot pas katër dekadash, vazhdon të mbetet e mbuluar me mister.

Dëshmia e rrallë e Gafurr Haznedarit, vëllait të “kapos’ së “Bandës Xhevdet Mustafa”

Vijon nga numri i kaluar

Zoti Gafur, ç’ndodhi pas kësaj?

Kjo gjë në atë kohë bëri zhurmë të madhe deri në Tiranë dhe për zgjidhjen e atij problem, u angazhuan krerët më të lartë të PKSH-së , të cilët erdhën disa herë në Durrës, për të thyer të pabindurit, ku bënte pjesë dhe Sabaudini. Sekretari Politik i Qarkorit të Durrësit, Adil Çarçani, në atë kohë njoftoi Enver Hoxhën lidhur me agravimin e situatës dhe ndër shkaktarët e saj, të cilët ai i etiketonte si rebelë, bënte përgjegjës edhe Sabaudinin.

Çfarë thuhej në letrën që Adil Çarçani i shkruante Enver Hoxhës?

Në atë letër në mes të tjerash, Adil Çarçani, nga pozita e Sekretarit të Përgjithshëm të Qarkorit të Durrësit, shkruante: “Në raportet që ju kemi dërguar, ju kemi shkruar vazhdimisht se nga anëtarët e Partisë, një pjesë janë të rinj dhe pa eksperiencë në punë dhe një pjesë tjetër, megjithëse të vjetër, janë me një shumicë pakënaqësish dhe pretendimesh. Këta elementë të vjetër, që më parë kanë qenë me punë të mira, nuk ju pëlqen që të mos kenë prapë pozita të mira dhe për këtë, ata mundohen duke përgatitur shokët e tjerë të flasin, jo kundra Partisë, por kundra shokëve që Partia i ka vënë në krye. Këta shokë siç e dini janë: Hysen Ballhysa, Skënder Çela, të infektuar nga Mark Toçi, Drita Malile, Semiha Ishmi, Sabaudin Haznedari, Petro Laku, Kudret Ballhysa etj., flasin më hapur.

Pas kësaj çfarë ndodhi me Sabaudinin?

Siç thashë dhe më lart, Sabaudinin e shkarkuan nga Kryetar Këshilli dhe e përjashtuan edhe nga Partia. Ky ishte dënimi më i lehtë, sepse shokët e tij, si Hysen Ballysa, Drita Malile e ndonjë tjetër, i futën në burg, ndërsa Skënder Çelën dhe Mark Toçin, i pushkatuan pa gjyq, pak kohë më vonë. Për të gjitha këto që ju thashë, disponoj dokumenta arkivor dhe mund të vij e t’i shoh kushdo.

Pasi e përjashtuan nga Partia dhe e hoqën si kryetar këshilli, me çfarë u mor Sabaudini?

Pasi e përjashtuan nga Partia dhe e shkarkuan nga funksionet që kishte në Këshillin Nacionalçlirimtar të Durrësit, Sabaudini filloi punë si Shef-Llogarie në Ndërmarrjen e Ujërave të qytetit të Durrësit.

Pas përjashtimit nga Partia dhe Këshilli, a ishte i pakënaqur Sabaudini dhe a i shprehte me njeri pakënaqësitë e tij?

Që nga dita që atë e eliminuan nga ato funksione që kishte, Sabudini ra në një dëshpërim të thellë. Në parantezë, desha të them diçka për karakterin e tij. Ai ishte një komunist idealist dhe nuk i duronte dot prapaskenat dhe poshtërsitë, që bënin në atë kohë komunistët brenda radhëve të tyre, si dhe në popull gjatë qeverisjes. Kur i shihte të gjitha ato që bëheshin, Sabaudini, vinte dy duart në kokë dhe thoshte: “Po pse, për këto luftuam ne”. Sabudini ishte i pezmatuar nga ideali komunist, që ai kishte përqafuar që në vitin 1942 dhe padyshim ajo gjë vinte nga që atij, nuk i ishte dhënë vendi që i takonte, pasi kishte pasur një kontribut jo të vogël gjatë Luftës. Me pak fjalë, Sabudini, ishte shumë i pakënaqur dhe shprehej se nuk e shihte të realizuar, idealin për të cilën kishte luftuar.

Me kë i bënte këto biseda Sabaudini, duke ditur se ato përbënin rrezik?

Këto biseda dhe debatet më të mëdha Sabaudini i bënte brenda familjes, me dy vëllezërit më të vegjël, që vazhdonin të ishin në Parti. Lidhur me këtë, në parantezë përsëri desha t’ju them: a e mbani mënd dramën “Familja e peshkatarit”, të Sulejman Pitarkës, të cilin ne e kemi pasur fqinj, ngjitur me ne, në “Tokat e Batallëkut”. Shtysën për të shkruar atë dramë, Sulejmani e ka marrë nga familja jonë, deri tek titulli që lidhet me shtëpinë tonë që quhej “Kasollja e peshkatarit”. E vetmja gjë që ka ndryshuar Pitarka, është zhvendosja e ngjarjes në kohë, pra: ato debate brenda familjes sonë me Sabaudinin, të cilin në dramë ai e ka quajtur Selim, nuk janë bërë gjatë kohës së Luftës, por pas sajë, kur Sabaudinin e përjashtuan nga Partia. Pra vetëm ky është ndryshimi.

Me cilin nga vëllezërit debatonte më shumë, Sabaudini?

Debatet më të ashpra, Sabaudini i kishte me vëllanë e dytë, Eminin, i cili në atë kohë ishte komunist fanatik dhe nuk lëshonte pe, në vijën e Partisë, që ndiqte Enver Hoxha. Që nga koha që Sabaudinin e përjashtuan nga Partia e deri në gushtin e vitit 1950, kur ai u arratis nga Shqipëria, në familjen tonë nuk pushuan kurrë debatet në mes Sabaudinit dhe Eminit.

Përse bëheshin këto konflikte dhe debate, dhe çfarë i kërkonte Emini, Sabaudinit?

Sherret dhe konfliktet në shtëpinë tonë në mes Sabaudinit dhe Eminit, e kishin pikënisjen dhe zanafillën në idealet e tyre komuniste, pra në problemet e politikës. Sabaudini, ishte shumë liberal dhe siç thashë më sipër, ishte një komunist idealist. Ndërsa e kundërta qëndronte me Eminin, i cili ishte shumë fanatik. Kështu që ata të dy nuk përputheshin në mendimet e tyre. Por, ndonëse po flas për dy vëllezërit e mi, nuk mund të rri pa thënë të vërtetën. Desha të theksoj dhe kjo është e vërteta, se ishte Emini ai që i shkaktonte sherret dhe konfliktet, duke i kërkuar Sabaudinit, që të hiqte dorë nga mendimet e tija dhe të bënte lutje për t’u futur përsëri në Parti.

Po Sabaudini, nuk ishte dakord me ato që i kërkonte Emini?

Jo jo, jo vetëm që nuk ishte dakord, por ai nuk mund t’i duronte dot ato që thoshte ai. Dhe kjo gjë, pra sherret që bënte Emini me të, i’a nxinë jetën dhe ja bënë të padurueshëm, qëndrimin në shtëpi.

Si e zgjidhi Sabaudini këtë problem?

Duke qenë në atë gjendje krejt të padurueshme, në 14 gusht të vitit 1950, Sabaudini u arratis nga Shqipëria?

Si u bë e mundur arratisja e tij?

Në atë kohë, pra kur Sabaudini ishte në kulmin dëshpërimit të tij, ai u takua me një ish shokun e tij të vjetër, që nga koha e fëmijërisë dhe e Luftës, Halit Bajramin dhe me të bëri planet e u arratisën të dy.

Nga ishte Halit Bajrami dhe çfarë detyre kishte në atë kohë?

Halit Bajrami, me sa di unë është me origjinë nga Tivari, por ai kishte lindur në Durrës dhe familja e tij në mos gaboj, në atë kohë banonte në Shkozet. Halit Bajrami, siç thashë kishte qenë partizan dhe nga Lufta më duket se kishte dalë me gradën e aspirantit apo togerit, nuk e di mirë këtë gjë. Në atë kohë që Sabudini, u takua me Halitin, ai mbante detyrën e zv/Shefit të Sigurimit për Divizionin e Korçës.

Ku takoheshin ata, kur Halit Bajrami ishte me punë në Korçë?

Në atë kohë, vërtet Halit Bajrami ishte me punë në Divizionin e Korçës, por ai vinte me pushime në Plazhin e Durrësit dhe aty u takua me Sabaudinin. Për herë të parë Haliti erdhi me pushime në Plazhin e Durrësit në verën e vitit 1949 dhe ai ishte takimi i parë mes tyre. Në atë takim, si duket ata bënë planet që të arratiseshin më vonë. Pas asaj, Halit Bajrami, erdhi përsëri verën tjetër me pushime në Plazhin e Durrësit, në korrikun e vitit 1950 dhe përsëri Sabaudini shkoi dhe e takoi. Siç duket aty vendosën që të arratiseshin, gjë të cilën ata e realizuan në 14 gusht të atij viti.

Si dhe nga u arratisën ata të dy?

Pasi Halit Bajrami erdhi për herë të dytë në Plazhin e Durrësit, ai u takua me Sabaudinin dhe së bashku, qëndruan për tre katër ditë, duke biseduar nga mëngjesi në darkë. Në ato ditë, ata vendosën që të arratiseshin dhe për të humbur gjurmët, porsa mbaruan pushimet në Durrës, morën fleta kampi dhe shkuan për pushime në Shtëpinë e Pushimit të Dardhës, në Korçë. Në atë Shtëpi Pushimi, ata qëndruan tre katër ditë dhe më pas u arratisën pa ndonjë problem, sepse Haliti e njihte mirë atë vend, ku shërbente si zv/Shef Sigurimi për Divizionin e Korçës.

Kur dhe si e mësuat ju në familje, arratisjen e Sabaudinit?

Në atë kohë që Sabaudini u arratis nga Shqipëria, ai la në shtëpi bashkëshorten e tij me djalin e vogël, Skënderin, që ishte disa muajsh. Pra, desha të them, se ai vendim për t’u arratisur nga Shqipëria, nuk ka qenë i lehtë për të, por dëshpërimi i tij ishte i madh dhe kishte arritur kulmin. Ne në familje u bëmë merak, sepse Sabudini nuk po vinte në shtëpi dhe ajo gjë, nuk kishte ndodhur kurrë me të. Dini, siç e thërrisnim ne në familje, ishte një prind dhe familjar i rregullt, e nuk kishte ndodhur të mungonte disa ditë, pa ardhur në shtëpi. Nisur nga kjo babai, Mahmudi, shkoi në Tiranë për t’u interesuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Çfarë i thanë babait në ministrinë e Brendshme, për Sabaudinin?

Atje i thanë se Sabaudini, ishte arratisur nga Shqipëria dhe asgjë më tepër. Pas kësaj babai erdhi në shtëpi dhe na dha lajmin, që na tronditi pa masë, sidomos dy vëllezërit, Emini dhe Naimi, që ishin të dy komunistë dhe me punë me përgjegjësi.

Pas arratisjes së Sabaudinit, çfarë masash dhe çfarë qëndrimi mori dhe mbajti shteti ndaj familjes tuaj?

Pas arratisjes së Dinit, në fillim ne nuk na ngacmuan. Por ajo ishte e përkohshme dhe masat nda familjes sonë filluan gradualisht. Si fillim na hoqën nga puna, të tre vëllezërit që punonim në Portin Detar. Unë dhe vëllai i katërt, Abdurrahimi, në atë kohë punonim si saldator në Port, ndërsa vëllai tjetër, Naimi, që ishte i treti nga vëllezërit, në atë kohë ishte Drejtor i ‘Hozrashotit’ po në Port. Pasi na hoqën të tre nga Porti, Naimin e çuan shef-furnizimi në një Kooperativë Bujqësore, kurse unë dhe Abdurrahimi, gjetëm punë vetë po si saldator, pasi na e kishin nevojën, se na konsideronin si mjeshtra në zanatin tonë.

Po Naimin, e përjashtuan nga Partia?

Megjithëse Naimin e hoqën nga Porti, ku ishte drejtor, atë nuk e përjashtuan nga Partia, por vazhdimisht në mbledhjet e organizatës ku bënte jetën e Partisë, atij i’a përmendnin gjithmonë, se kishte një vëlla të arratisur”.

Si e mendoni arratisjen e tyre, a ishte ajo një truk i Sigurimit të Shtetit apo erdhi nga që ata ishin të pakënaqur nga regjimi komunist?! Është thënë se Haliti u arratis nga që pati një konflikt me shefin e tij Mehmet Shehun dhe nga frika se mos e arrestonte, ai u detyrua dhe iku. Si e shpjegoni këtë si për Sabaudinin ashtu dhe për Halitin?

Po e nis shpjegimin tim nga Halit Bajrami. Dihet se Haliti, ishte zv/Shef Sigurimi dhe arratisja e tij ishte një truk i Sigurimit të Shtetit. Kjo shpjegohet dhe me deduksion logjik, po të shohim se si u zhvilluan ngjarjet më vonë. Pra, po të kemi parasysh se Halit Bajrami, i shërbeu gjithë jetën Sigurimit të Shtetit, nga vende të ndryshme të botës, ku ai ishte apo shkonte sipas urdhrave e porosive, që merrte nga Tirana, nga Kadri Hazbiu. Por për këtë do të flas më poshtë. Ndërsa ndryshe qëndron problemi me Sabaudinin, megjithëse ata të dy u arratisën bashkë.

Nuk e shihni pak kontradiktore arratisjen e Sabaudinit me Halit Bajramin, që ishte njeri i Sigurimit dhe u nis me mision jashtë Shqipërisë?

Në pamje të parë ashtu është, por po të shohësh se si rrodhën ngjarjet më vonë, del se Sabaudini, jo vetëm që nuk kishte asnjë lidhje me Sigurimin, por përkundrazi ishte dhe mbeti një armik i betuar, i regjimit komunist të Enver Hoxhës, gjë të cilën do t’jua argumentoj me fakte konkrete më poshtë.

Si e shpjegoni arratisjen e të dyve?

Për këtë gjë mund t’u them shumë versione, që ju me të drejtë mund t’i quani hipoteza, prandaj unë ju them, se po ju rendis fakte konkrete, që Sabaudini e tradhtoi idealin e tij të rinisë dhe u bë një antikomunist i betuar. Këtë nuk e them vetëm unë, por është fakt i pamohueshëm se e tregoi më së miri edhe fundi i tij. /Memorie.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Rrëfimi i ish-të dënuarit që u arratis në 85-ën

“Si e njoha Sherif Merdanin në burgun e Tiranës dhe ç’më tha”

Historiania: Kundërshtari i partisë quhej tradhtar!

“Martin Camaj u mor me detyrim në Sigurimin e Shtetit, por…”


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit