MENU
klinika

Qeveria "Rama 3"

Buxheti i shtetit duhet të dyfishohet për premtimet

26.09.2021 - 13:49

Buxheti i shtetit, gati duhet të dyfishohet në katër vitet në vijim për të përmbushur premtimet kryesore të qeverisë “Rama 3” të paraqitura në programin e ri ekonomik. Ulja e borxhit publik në 60% të PBB-së, rritja e pagave në sektorin shtetëror me 30-40% gjatë 4-vjeçarit, rritja e pensioneve me 5% në vit, zgjerimi i skemës së subvencioneve për familjet e reja, fëmijëve në sistemin parashkollor, etj., kërkojnë të paktën edhe 390 miliardë lekë shtesë ose rritje të të ardhurave buxhetore me së paku mbi 20% në vit, ndërkohë që 10 vitet e fundit, të ardhurat mesatare janë rritur rreth 3% në vit. Për të realizuar premtimet, ekonomia duhet të rritet së paku me 9% në vit, ndërkohë që programi qeverisës synon rritje me 4.5% në vit. Premtimet u dhanë pa shpjeguar instrumentet se si do të gjenerohen burimet e të ardhurave, ndërkohë praktika e 20 viteve të fundit nuk tregon arritje të tilla. Ekspertët e ekonomisë thanë se, është e pamundur që në një periudhë të shkurtër kohe të synohet një ulje drastike e borxhit dhe rritje e fortë e pagave. Modeli i ekonomik që vendi ndjek nuk garanton rritjet e premtuara

Përmes prezantimit të arritjeve (shumica të pamundura të vërtetohen), qeveria “Rama” publikoi javën e kaluar programin e qeverisë për katër vitet në vijim të përqendruar kryesisht në pesë shënjestra kryesore, 1) Rritje ekonomike mesatarisht 4,5% në vit deri në fund të mandatit; 2) Konsolidim të përshpejtuar fiskal për të çuar borxhin në 60% deri në fund të mandatit (viti 2025); 3) Rritje e të ardhurave për frymë me 20%; 4) Rritje e pagës mesatare në ekonomi me 25%; 5) Rritje e pagave në administratën publike mbi 30%.

Programi i ri i qeverisë përmbysi të gjitha praktikat dhe teoritë ekonomike të  njohura deri më tani edhe ndërkombëtarisht, ku synohet njëkohësisht konsolidim fiskal, ulje e fortë e borxhit publik, por në të njëjtën kohë edhe ekspansion fiskal, duke rritur pagat, pensionet, investimet me ritmet më të larta në të gjithë periudhën e tranzicionit. I gjithë ky proces do realizohet duke ulur taksat dhe duke zgjeruar programin e subvencioneve në sektorët të ekonomisë dhe direkt tek individët.

Llogaritë sugjerojnë se qeveria duhet të rrisë të ardhurat buxhetore rreth së paku me 80% këtë mandat (20% në vit) që të mbajë disa nga premtimet. Për të realizuar rritjen e premtuar të pagave në administratë (30-40%), pensioneve (5%), uljen e borxhit publik (60% të PBB-së), shpërblimet për familjet e reja dhe subvencionet për fëmijët në çerdhe dhe investimet e reja publike, qeveria duhet të gjenerojë së paku rreth 390 miliardë lekë shtesë në 4 vjet ).

Më shumë se gjysma e shtesës rreth (215 miliardë lekë) duhet për të çuar borxhin 60% të PBB dhe pjesa tjetër për të plotësuar premtimet në fushën e shpenzimeve, paga, pensione, investime dhe subvencione. Këto rezultate dalin nga ecuria e treguesve buxhetorë të deritanishëm të publikuar nga Ministria e Financave (viti i fundit 2020) dhe fondet shtesë që kërkon secili nga premtimet e qeverisë.

Shpenzimet e premtuara kërkojnë rritje të të ardhurave buxhetore me rreth 20% në vit dhe një rritje ekonomike vjetore së paku me rreth 9%. Por qeveria synon t’i arrijë këto objektiva, duke rritur ekonominë me rreth 4.5% në vit.

Synimet e reja duken të pamundura duke marrë në konsideratë se në dy mandatet e para të qeverisë “Rama”, 2013-2020 të ardhurat buxhetore të paindeksuara me inflacionin u rritën me 3.4%, ndërkohë që ekonomia u rrit mesatarisht me 2% në vit.

Ekspertët e ekonomisë, Pano Soko dhe Azmi Stringa, me përvojë në parashikimet makro dhe treguesit buxhetorë, e konsideruan absurd programin e qeverisë, sidomos në drejtim të politikës fiskale. Zoti Stringa i konsideroi të ekzagjeruara pritshmëritë e qeverisë për uljen e borxhit dhe rritjen ekonomike dhe të paarritshme. Ai komentoi se analizat e thelluara për realizimin e programit nuk gjejnë vend për premtime absurde të qeverisë. Eksperti Soko tha se ekonomia duhet të rritet rreth 9% në vit që së paku qeveria të realizojë vetëm objektivin për borxhin 60% deri në fund të mandatit, pa marrë në konsideratë shpenzime të tjera që kanë lidhje me pagat, pensionet, etj., etj.

Borxhi i 60% më 2025, objektiv i pamundur

Premtimi për uljen e borxhit nën nivelin e 60% është thjesht i pamundur. Eksperti Pano Soko shpjegoi se ky objektiv nuk mund të ndodhë në një ekonomi e cila rritet me 4.5% çdo vit, siç është deklaruar në programin e qeverisë. Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) aktualisht është 1.682 trilionë lekë dhe sipas Programit Makroekonomik (dokumenti zyrtar i treguesve makro) do të shkojë 2.006 trilionë lekë në 2025 (me rritje mesatare 4.5% në vit).

“Që borxhi të jetë 60% e PBB-së duhet që deri në 2025-n, niveli i tij të jetë 1.203 trilionë lekë, pra poshtë nivelit aktual të këtij viti. Tani, në fund të vitit 2021, borxhi pritet të shkojë 1.323 trilionë Lekë, gjithmonë nëse arrijmë të ruajmë deficitin në nivelet e parashikuara.  Duke supozuar se deficiti nuk do të lëvizë nga parashikimet, në PBA 2021-2023, për vitin 2022 është parashikuar një deficit prej 51.5 miliardë lekësh dhe në 2023, është parashikuar 43.5 miliardë lekë. I bie që borxhi i paravendosur, deri në 2023-shin të jetë 1.418 trilionë lekë. Edhe sikur të supozojmë se në 2024 dhe 2025, Shqipëria nuk do të marrë asnjë lek borxh, duhet të kemi një suficit buxhetor 215 miliardë me qëllim që të mund të arrijmë nivelin e borxhit 60% të PBB-së sipas parashikimit të qeverisë”, përllogariti Soko.

“Ndryshe në çdo vit, duhet suficit buxhetor mbi 20%, që teorikisht është e pamundur, sepse i bie të mos realizohen shpenzimet jetike si paga ose pensione. Kjo do të ishte fatale për vendin dhe praktikisht e pamendueshme”, tha më tej ai.

“Nëse merret e mirëqenë që në 2024-n dhe 2025-n Shqipëria nuk do të marrë asnjë lek borxh, por vetëm me borxhet e marra deri në 2023-shin, Shqipëria do të duhej të arrinte nivelin e GDP-së 2.36 trilionë lekë që borxhi të klasifikohej në 60%. Dhe për të arritur GDP prej 2.36 trilionë lekësh, do të na duhej të rritej ekonomia me 9% çdo vit, çka praktikisht është e pamundur”, tha zoti Soko.

Në programin ekonomik dhe fiskal të publikuar nga qeveria në janar të këtij viti, pritet që borxhi në vitin 2024 të arrijë në 73.8% të PBB-së. Deri tani, qeveritë kanë dështuar të realizojnë premtimet për borxhin. Në programin fiskal të vitit 2015, qeveria synonte ta çonte borxhin publik në 60% të PBB në fund të vitit 2018, por në realitet treguesi arriti në 67.7% të PBB-së nga 71% që ishte më 2015, në kushtet kur u aplikua rritje e taksave dhe një luftë e ashpër antiinfomalitet.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave nga 2010-2020, Prodhimi i Brendshëm Bruto zgjerua me 251 miliardë lekë dhe borxhi publik me 428 miliardë lekë. Shtesa e borxhit ishte 70% më e lartë se shtesa e ekonomike. Të dhënat tregojnë se borxhi i 10 viteve të fundit nuk ka rezultuar efecient, pasi nuk është përkthyer në rritje ekonomike. Përveç sa më sipër, nënçmimi i monedhës vendase do të kishte ndikim edhe mbi koston e borxhit.

Tani me rritjen e borxhit në rreth 77% të PBB-së më 2020, treguesi i eficiencës së borxhit do të përkeqësohet më tej për shkak se, një pjesë e konsiderueshme e rritjes ekonomike duhet të shkojë për interesat dhe shërbimin e borxhit që për vitin aktual pritet të arrijnë rreth 83 miliardë lekë (670 milionë euro) pagesat (principal+interesa). Kjo shumë është 17% e të ardhurave të pritshme buxhetore.

Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë arriti në 552,400 lekë në vitin 2020, nga 433,600 lekë në vitin 2010, sipas të dhënave zyrtare. Gjatë dekadës, PBB për frymë është rritur me 36%. Por borxhi publik për frymë është rritur me ritme më të shpejta. Në vitin 2020, detyrimet publike për banor arritën në 476,105 lekë, me një rritje 75% nga viti 2010, ku treguesi ishte 245,152 lekë për frymë.

Ecuria e borxhit dhe të ardhurave për frymë tregon dy dobësi të aftësive menaxhuese të qeverisë. E para, borxhi nuk ka arritur të prodhojë mirëqenie për shqiptarët dhe e dyta, barra e borxhit po vijon të rritet pa kontroll në projekte që sigurojnë shpërndarje të pabarabartë të shpenzimeve që kryhen me borxh. Për rrjedhojë, gjatë dekadës në vijim, taksat e shqiptarëve do të përdoren, gjithnjë e më shumë, për të shlyer borxhin dhe interesat e tij, në vend që të rriten pagat, pensionet dhe të ndërtohen vepra publike.

Rritja e pagave 30-40% dhe pensioneve 5%, premtim me xhepin bosh

Programi i qeverisë synon që duke filluar nga korriku 2022 të rriten gradualisht pagat e mësuesve, mjekëve dhe infermierëve me 40%, pagat e punonjësve të administratës publike me 30% deri në fund të mandatit të tretë. Synohet që paga mesatare në administratë, nga 72 mijë lekë/muaj të arrijë në 85 mijë lekë/muaj deri në fund të mandatit të tretë.

Në buxhetin e këtij viti, shpenzimet për personelin janë programuar 91 miliardë lekë. Ato janë 20 miliardë lekë më të larta se fondi i pagave në vitin 2013. Fondi ka pësuar  rritje nominale prej 20 miliardë lekësh, ose 28% në tetë vite. Për të realizuar rritjen e premtuar të pagave në administratë me 30-40% brenda këtij mandati, qeverisë i duhen se paku edhe 37 miliardë lekë shtesë mbi fondin aktual, ose një total prej rreth 127 miliardë lekësh. Kjo është rritja më e lartë e fondit të pagave të premtuara në programim e ri ekonomik. Përqendrimi i rritjes së pagave në një mandat pas një anemie për gati një dekadë rrezikon të mbinxehë ekonominë në kushtet e mungesës së një modeli ekonomik që nxit produktivitetin e punës.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, paga reale në sektorin shtetëror u rrit me rreth mesatarisht me 1,4% në vit, ndërkohë që gjatë periudhës 2005-2013 pagat mujore në sektorin shtetëror u rrit mesatarisht me 6.7% në vit. Synimet e qeverisë për të rritur pagat në sektorin shtetëror me 30-40% (10% në vit) janë vështirësisht të arritshme, duke marrë në konsideratë edhe objektivin për uljen e borxhit në 60% në 2025 nga 78.8% që pritet të arrijë këtë vit, i cili, nga ana tij, kërkon një të ardhur shtesë prej mbi 200 miliardë lekësh..

Projeksionet tejet optimiste të mandatit të tretë zbehen nga turbullirat që po krijojnë ndryshimet klimatike  dhe fatkeqësitë natyrore. Përmbytjet, thatësirat dhe sëmundjet janë ngjarje të pashmangshme dhe jo të parashikueshme dhe gjithnjë e më shumë po i bëjnë të pavlefshme parashikimet.

Shqipëria ka nivelin më të ulët të pagave në rajon së paku 30% më poshtë se mesatarja rajonale me të dhënat e vitit 2019, më shumë për shkak të modelit ekonomik joproduktiv që bazohet ende te krahu i lirë i punës (sektori fason dhe bujqësia). Sektori bujqësor është ofruesi më i madh i punësimit në vend me rreth 37% të totalit më 2020, por gjithashtu ofron pagat shumë të ulëta.

Struktura e të punësuarve me pagë zyrtare tregon se një pjesë e madhe e tyre punon me paga më të ulëta se paga minimale zyrtare. Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e fundit të vitit 2020, nga totali i të punësuarve që pagunin sigurime, 25.6% e tyre kishin paga mujore deri në 26 mijë lekë, ndërsa 12% e totalit të të punësuarve merrnin pagë minimale në nivelin 30 mijë lekë. Pjesa tjetër e të punësuarve, rreth 52% e totalit, paguhen me paga mbi 30 mijë lekë në muaj.

Të dhënat mbi pagat tregojnë modelin në të cilin po zhvillohet ekonomia shqiptare, ku gati 38% e të punësuarve marrin nivelin më të ulët të pagës, më pak se 30 mijë lekë në muaj. Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, sugjeron se rritja e pagave duhet të nxitet nga produktiviteti dhe ky fundit përmirësohet duke orientuar modelin ekonomik drejt zhvillimeve teknologjike, nxitjes së sektorëve me vlerë të shtuar, të cilat nxiten përmes investimeve në arsimin.

Drama e pensioneve dhe premtimet e pamundura për rritje

Qeveria premtoi të rrisë pensionet me 5% gjatë mandatit në vijim deri në vitin 2025. Supozohet se pensionet do të jenë 20% më të larta se të këtij viti. Po për të arritur këtë objektiv duhet të ndryshojë ligjin e sigurimeve shoqërore, i cili nuk lejon rritje të pensioneve përtej normës së inflacionit dhe së dyti, duhet të gjenerojë fondet e mjaftueshme për këtë qëllim.

Në vitin 2021 shpenzimet për sigurimet shoqërore pritet të rriten në 142 miliardë lekë, me një rritje 5.8% nga viti 2020. Rritja e fondit për pensionet nuk po vjen nga rritja e masës së përfitimeve për pensionin por nga rritja më shpejtësi e numrit të përfituesve për shkak të plakjes së popullsisë. Skemës publike të pensioneve çdo vit i shtohen më shumë se 16 mijë pensioniste të rij. Vetëm për të gjeneruar rritjen e premtuar nga qeveria me 5% në vit duhen së paku edhe rreth 30 miliardë lekë në katër vitet në vijim, të cilat do të duhen siguruar ose duke rritur borxhin, ose duke rritur të ardhurat buxhetore.

Vitin e kaluar, për herë të parë në historinë e tranzicionit, pensioni mesatar në qytet në vitin 2020 shënoi ulje që kur ekzistojnë të dhënat zyrtare. Masa e pensionit mesatar urban arriti në 15,732 lekë gjatë vitit të kaluar, nga 16,2543 lekë në vitin 2019, sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Ulja në vlerë ishte 3.2%, por duke përllogaritur edhe efektet e inflacionit, ulja reale ishte edhe më e madhe me rreth 4.8%

Ekspertët sqarojnë se ulja e pensioneve po nxitet nga dalja në pension e gjeneratave që kanë kaluar një pjesë të madhe të viteve të punës gjatë periudhës së tranzicionit. Duke qenë se një pjesë e madhe e tyre kanë punuar në të zezë, nuk kanë punuar fare, ose kanë paguar më pak sigurime, ato nuk i përmbushin kushtet për përfitime maksimale të pensioneve të pleqësisë.

Brezi i tranzicionit rrezikon të kalojë një pleqëri në skamje për shkak se masa e pensionit mesatar, në vend që të rritet, po i kthehet uljes. Kjo tendencë e ecurisë së pensioneve pritet të zhysë në varfëri një pjesë të madhe të popullsisë e cila përbëhet nga pensionistët. Numri i tyre po rritet nga viti në vit, për shkak se tani po del në pension bumi i lindjeve në vitet 1950-‘60.

Edhe rritja që premton qeveria nuk mjafton të mbulojë rënien që po vjen si rrjedhojë e pamundësisë për të plotësuar kushtet për pensione të plota. Nga viti 2010-2020, përfituesit në skemën e pensioneve u rritën me 22%, por ndërkohë pagesat për një pensionist kanë nisur rënien. Gjatë vitit të kaluar, numërohen 665,863 përfitues pensioni në të gjithë vendin nga 651,539 mijë që ishin më 2019 me një rritje prej 2,2%. Nga këto ishin pensione pleqërie rreth 440 mijë. Plakja e popullsisë po rrit me shpejtësi numrin e pensionistëve në vend e për pasojë, nevojën për fonde shtesë ndaj arkës së pensioneve.

Miliardat në programet të reja të pajustifikuara

-Qeveria ka zgjeruar dimensionin e saj social në mandatin e tretë duke përfshirë në mbështetje financiare direkte familjet e reja dhe ato me fëmijë.

-Në program thuhet se familjet e reja do të përfitojnë 1 milion lekë mbështetje për pagesën fillestare  dhe zbutjen e interesit për blerjen e shtëpisë.

-Qeveria do të financojë shpenzimet e paketës së fertilitetit për të gjitha nënat që duan të sjellin në jetë një fëmijë.

-Gjithashtu do të ofrohen 10 mijë lekë /muaj për shpenzimet e çerdhes/kopshtit për familjet me të ardhura deri në 100 mijë lekë/muaj.

-Në Shqipëri ndodhin çdo vit rreth 14 mijë martesa, që supozohet se kanë nevojë për strehim. Financimi i tyre me rreth 1 milion lekë në vit kërkon një fond vjetor prej 14 miliardë lekësh.

-Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2021 në vend ishin 145 mijë fëmijë të moshës 0-4, vjeç. Shumica e të punësuarve në vend marrin pagë më të ulët se 50 mijë lekë në muaj. Kështu që qeveria do duhet të financojë shumicën e familjeve më fëmijë në moshë poshtë 5 vjeç, që kërkon edhe disa miliarda lekë të tjera, të cilat do të duhet të gjenerohen nga të ardhurat ose nga borxhi.

Modeli ekonomik nuk i garanton premtimet

Programi i ri ekonomik vjen me premtime të fryra, por i mungojnë instrumentet se si do të realizohen premtimet. Modeli ekonomik që zbatojmë nuk premton rritje të të ardhurave dhe vlerës së shtuar. Qeveritë, nisur nga përfitimet afatshkurtra nuk janë thelluar ndër vite për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm, për të çuar vendin drejt sektorëve që sigurojnë fitime më të larta për punonjësit e për pasojë, edhe të ardhura më të larta për buxhetin e shtetit.

Të dhënat tregojnë se struktura e ekonomisë ka mbetur pothuajse e pandryshuar në dy dekadat e fundit. Në 2019-n, pesha e bujqësisë ishte rreth 18.4% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), pothuajse e njëjtë si në 2005-n. Në rritje të lehtë ishte industria, gjithsej me gati 2 pikë përqindje më shumë se në 2015-n, duke arritur në 11.6%, që ka ardhur më së shumti nga zgjerimi i industrisë së nxjerrjes së naftës (shfrytëzimi i burimeve natyrore të vendit).

Pesha e ndërtimit, që kulmoi në pjesën e parë të tranzicionit, erdhi në ulje ciklike deri në 2019-n, (nga 15% në 2015-n, në 8.6% në 2019-n), por po i kthehet sërish rritjes së shpejtë. Në 2020-n, vitin e krizës, pesha e tij u rrit në 9.2%, më i larti që nga viti 2013. Për shkak të normës së lartë të kthimit dhe lehtësisë së injektimit të parave informale, ndërtimi po tërheq kapitalet e lira dy vitet e fundit, duke shfrytëzuar dhe çlirimin e lejeve të ndërtimit pas 2018-s.

“Tregtia; transporti; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor”, një gjenerator kryesor i punësimit, vijon të kontribuojë me gati 17% të PBB-së. Pesha e “Informacionit dhe komunikacionit” është ulur me 1.5 pikë përqindje në këto 14 vite, pas maturimit të industrisë së telefonisë së lëvizshme, ndërsa “Aktivitete financiare dhe të siguracionit” kanë mbetur në rreth 2% të PBB-së.

Nëse ka një aktivitet që ka lulëzuar, është ai i sipërmarrjes individuale të vetë njerëzve, sidomos të profesioneve të lira. “Aktivitete shkencore, profesionale, administrative dhe mbështetëse”, që përfshijnë shërbime juridike dhe të kontabilitetit, Aktivitete të drejtimit të ndërmarrjeve dhe aktivitete të konsultimit, Aktivitete arkitekture dhe inxhinierie; aktivitete të kontrolleve dhe analizave teknike, Kërkim dhe zhvillim shkencor, sollën gati 7% të PBB-së në 2019-n, nga më pak se 2% në 2005-n. Në rritje ka ardhur edhe pesha e argëtimit dhe çlodhjes, nga 1.5% në 2.3% të PBB-së.

Modeli ekonomik nuk rezulton të ketë nxitur produktivitetin. Sipas të dhënave të Anketës Strukturore të INSTAT, shifra e afarizmit vjetor për të punësuar për të gjithë prodhuesit në treg, në 2019-n ka rënë me 6.2% në krahasim me 2010-n. Në të njëjtën periudhë, numri i të punësuarve pothuajse u dyfishua. Ecuria tregon se bizneset kanë investuar më pak në teknologji dhe janë bazuar më shumë te kapitali intensiv i punës. Për të njëjtën periudhë, norma e fitimit për të gjithë prodhuesit në treg zbriti nga 12.2% në 8.4%.

Në programin e ri, Qeveria Rama synon të nxisë ekonominë  drejt zhvillimeve teknologjike, por ky proces kërkon riorientim të sistemit arsimor, investime të huaja me vlerë të shtuar dhe investime në teknologji.

Programi i mandatit të tretë, piketat kryesore

5 shënjestrat në ekonomi

  • Rritja ekonomike do të jetë mesatarisht 4.5% në vit dhe do të mbështesë një rritje më të madhe të pagave në nivel vendi.
  • Konsolidim i përshpejtuar fiskal, duke synuar borxh nën 60% në fund të mandatit
  • Rrisim të ardhurat e disponueshme me 20% deri në fund të mandatit
  • Rrisim pagën mesatare mujore bruto me 25%, në mënyrë graduale deri në fund të mandatit
  • Rrisim pagat e administratës publike, 30-40%.

Rritja e pagave

  • Rrisim pagat e mësuesve, mjekëve dhe infermierëve me 40%, deri në fund të mandatit të tretë.
  • Rrisim pagat e punonjësve të administratës publike me 30%, deri në fund të mandatit të tretë.
  • Rrisim pagën mesatare në administratë, nga 72 mijë lekë/muaj në 85 mijë lekë/muaj deri në fund të mandatit të tretë.

Biznesi 

  • Nga 1 janari 2023, rimbursimi i TVSH për bizneset do të jetë automatikisht
  • Shërbimet ndaj tatimpaguesve 100% dixhitale. Inspektorët do të vizitojnë bizneset vetëm për verifikime, jo më shumë se një herë në vit.
  • Vijojmë të nxisim sipërmarrjet e të rinjve. Fondi i mbështetjes për sipërmarrjet e reja start-up do të 5-fishohet, duke arritur në 10 milionë euro.

Familja

  • Familjeve të reja do t’u ofrojmë 1 milion lekë mbështetje për pagesën fillestare dhe zbutjen e interesit për blerjen e shtëpisë.
  • Programi i banesave sociale – në bashkitë e mëdha me prurje të lartë demografike, do të ndërtohen rreth 2000 mijë banesa në vit për familjet të cilat nuk përfitojnë nga paketa e familjeve të reja, përmes një instrumenti të posaçëm të garancisë sovrane nga qeveria. Programi nis brenda vitit 2022 me një fond 100 milionë euro të Bankës Europiane të Investimeve.
  • Financojmë paketën e fertilitetit falas, duke nisur nga viti 2022.
  • Ofrojmë 10 mijë lekë/muaj për shpenzimet e çerdhes/kopshtit për familjet me të ardhura deri në 100 mijë lekë/muaj.
  • Krijojmë dy programe të dedikuara falas për kujdesin e syve dhe atë oral, për të gjithë fëmijët e moshës 6-15 vjeç.
  • Fillojmë punën për ndërtimin e Qendrës Kombëtare për Fëmijë brenda qershorit 2022. Kjo qendër me sipërfaqe rreth 4500 m², pranë liqenit artificial të Tiranës.

Infrastruktura dhe energjia