MENU
klinika

Çfarë përfitojnë qytetarët?

“‘Certifikata e vaksinimit’ do njihet nga BE brenda shtatorit”

09.09.2021 - 08:35

Prej 1 korrikut të këtij viti, të vaksinuarit mund të udhëtojnë lirisht, pra, pa qenë të detyruar që të kryejnë tamponin apo karantinën. Por kjo nuk vlen në rastin e Shqipërisë.

Pasaportat e vaksinimit të lëshuara nga autoritetet shqiptare për personat që kanë injektuar dy dozat antiCOVID, nuk janë të vlefshme për të udhëtuar në një nga vendet e Bashkimit Europian, duke detyruar udhëtarët që të paraqesin përgjigjen e testit PCR apo të qëndrojnë të karantinuar. Por, edhe pse nuk foli me siguri, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se kanë përfunduar procedurat me Bashkimin Europian për integrimin e sistemeve jo vetëm për kalimet në kufi, por edhe për aksesin ndaj shërbimeve në vendet e unionit.

“Tashmë kemi përfunduar të gjithë procedurat me Bashkimin Europian për të integruar sistemet, jo vetëm për kalimin e kufirit, por gjithashtu edhe për aksesin ndaj shërbimit në Europë, të njihet ky sistem, të njihet ‘Green Pass’, besoj brenda shtatorit”, tha ministrja.

VAKSINAT

Por pikëpyetje ka edhe për vaksinat që do të njihen. Në vendin tonë janë administruar 4 lloje vaksinash: “Pfizer”, “AstraZeneca”, “Sputnik” dhe “Sinovac”. Për dy të fundit nuk është dhënë akoma aprovimi nga Agjencia Europiane e Barnave. Duke qenë vaksina të pacertifikuara mbetet ende i paqartë qëndrimi që Bashkimi Europian do të mbajë ndaj të vaksinuarve me vaksinën kineze dhe atë ruse. Pra, nëse do të njihen certifikatat e vaksinimit me “Sinovac” dhe “Sputnik” apo do të krijohen diferencime.

PROCESI

Deri më tani, sipas të dhënave zyrtare, janë aplikuar mbi 1.5 milionë doza vaksine, por më pak se gjysma prej tyre kanë injektuar të dyja dozat. “Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,553,626 doza të vaksinës ndaj COVID-19. Prej tyre 681,510 qytetarë i kanë kryer të dyja dozat e vaksinës anti-COVID. Ditën e martë, datë 7 shtator, janë kryer 14,394 vaksinime në të gjithë vendin. Muaji shtator do të jetë i hapur për vaksinimin, të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç mund të paraqiten me kartën e identitetit në qendrën e tyre shëndetësore, në poliklinika ose në qendrën më të afërt të vaksinimit, për të kryer vaksinën anti-COVID”, apelojnë autoritetet. Deri tani kanë mbërritur në vendin tonë 1,982,130 vaksina anti-COVID, ndërsa brenda muajit dhjetor numri i vaksinave të mbërritura në vendin tonë sipas ministres Manasturliu do të jetë mbi 3 milionë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Kërkoi leje për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës

Gjykata e Lartë merr vendimin për Fredi Belerin

Arrestohet disa orë pas daljes nga burgu “Buzëderri”!

Sokol Simonati përfitoi nga amnistia, por…

"Të rikthehen koalicionet dhe lista të hapura"

Bylykbashi prezanton qëndrimin për reformën zgjedhore