MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Çfarë është çrregullimi i përshtatjes?

17.09.2021 - 10:30

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Çfarë është çrregullimi i përshtatjes?

Mjeku: Çrregullimi i përshtatjes përkufizohet si vështirësi për t’u përshtatur ndaj faktorëve stresorë në jetë. Shpërngulja në një qytet tjetër, ndryshimet në marrëdhënien dashurore ose ndërrimi i karrierës janë vetëm pak nga shembujt e stresorëve, që mund të shkakojnë që dikush të përjetojë luhajte të humorit e të sjelljes.

Simptomat e Çrregullimit të Përshtatjes

Sipas DSM-5, manuali më i ri diagnostik, i përdorur nga klinicistët për të diagnostikuar çrregullimet mendore, në kriteret për çrregullimin e përshtatjes përfshin:

Zhvillimi i simptomave emocionale ose të sjelljes si përgjigje ndaj një stresori të dallueshëm, të cilat janë shfaqur brenda tre muajve nga nisja e stresorit

Simptomat dhe sjellja duhet të jenë klinikisht domethënëse, të përcaktuara nga një ose më shumë prej të mëposhtmeve; stres i dukshëm, i cili nuk përputhet me rëndesën ose intensitetin e stresorit dhe/ose shkakton dëmtim të rëndësishëm social, në punë ose në fusha të tjera të funskionimit.

Simptomat nuk duhet të zgjasin më tepër se gjashtë muaj pas largimit të stresorit. Gjithashtu duhet të mos jenë në përputhje me normat dhe vlerat kulturore të individit dhe nuk përfaqësojnë një periudhë zije normale. Shqetësimet gjithashtu nuk duhet të përmbushin kriteret e një çrregullimi tjetër mendor (si psh. ankthi ose depresioni).

Klinicistët saktësojnë se si simptomat ndikojnë në funksionimin e individit duke treguar nëse çrregullimi i përshtatjes është:

Me humor depresiv– humori i rënë, qarje të shpeshta ose ndjenjat e të qenit i pashpresë mbizotërojnë

Me ankth – nervozizmi, shqetësimi i tepruar, dridhja ose ankthi i ndarjes janë mbizotërues

Me humor depresiv dhe ankth përzier– mbizotëron ndërthurja e depresionit me ankthin

Me shqetësime të sjelljes – Ndryshimet në sjellje mbizotërojnë

Me përzierje të shqetësimeve emocionale dhe të sjelljes–Mbizotërojnë si simptomat emocionale (depresioni, ankthi) ashtu edhe shqetësimet në sjellje

E paspecifikuar –Për reagime të papërshtatshme që nuk mund të klasifikohen në një nga nëntipet e çrregullimit të përshtatjes.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.