MENU
klinika

"PS e gatshme të ulet në tryezë dialogu me opozitën"

Damian Gjiknuri takon delegacionin e ODIHR

29.09.2021 - 15:58

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri ditën e sotme ka zhvilluar një takim me delegacionin e ODIHR nga ambasadorja Urszula Gacek, shefe e misionit vëzhgues për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Gjiknuri shkruan se ka shprehur gadishmërinë e mazhorancës për tu ulur sa më parë në tryezë me opozitën me synim adresimin e të gjitha rekomandimeve të lëna nga raportet e OSBE/ODIHR-it, përfshirë nevojë për depolitizimin e administratës zgjedhore.

“Pata kënaqësinë të pres në takim një delegacion të ODIHR-it kryesuar nga ambasadorja Urszula Gacek, shefe e misionit vëzhgues për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit.

I falenderova për kontributin e tyre si në procesin e hartimit të reformës elektorale përpara zgjedhjeve ashtu edhe në monitorimin e mëpasshëm të procesit zgjedhor.

Duke e vlerësuar si shumë të rëndësishëm për procesin e dialogut politik rikthimin e opozitës në institucione, shpreha gadishmërinë e mazhorancës për tu ulur sa më parë në tryezë me opozitën me synim adresimin e të gjitha rekomandimeve të lëna nga raportet e OSBE/ODIHR-it, përfshirë nevojë për depolitizimin e administratës zgjedhore.

Dialogu politik brenda institucioneve ka raste të shumta suksesi të kryerjes së reformave të rëndësishme bipartizane. Në këtë frymë, Partia Socialiste është e gatshme të ulet në tryezë dialogu me opozitën si për reformën zgjedhore ashtu edhe për atë territoriale” shkruan Gjiknuri në postimin e tij.