MENU
klinika

Zjarr në Uznovë në Berat

Digjen dhjetëra ha plantacione me fiq e ullinj

27.09.2021 - 16:45

Plantacionet me fiq e ullinj në lagjen “Uznovë” në Berat janë përfshirë nga flakët. Flakët janë shfaqur fillimisht në një prej parcelave por të favorizuara nga era ato janë përhapur në të gjithë plantacionin e zonës që njihet si “blloku i fiqve”.

Flakët e zjarrit përparuan me shpejtësi edhe drejt banesave të lagjes por falë ndërhyrjes në kohë të forcave zjarrfikëse, flakët e zjarrit drejt banesave janë lokalizuar shpejt, ndërkohë që në zonë ka ende shumë vatra aktive.

Flakët e zjarrit janë duke përparuar drejt kodrës dhe po rrezikojnë linjën e tensionit të lartë të energjisë elektrike. Zjarrfikësit e kanë të pamundur ndërhyrjen me mjete drejt kodrës mbi “bllokun e fiqve” për shkak të terrenit të thepisur dhe shuarja e flakëve po kryhet me mjete rrrthanore.

Burime në vendngjarje bëjnë me dije se zjarri mund të jetë vendosur nga vetë banorët për të djegur mbeturinat por era e ka nxjerrë jashtë kontrollit situatën. Të njëjtat burime pohojnë se po punohet për zbardhjen e shkaqeve të kësaj zjarrëvënie, një tjetër nga të shumta zjarre të qëllimshme e të mbetura pa autor.