MENU
klinika

Von der Leyen njofton vizitën në Ballkan

“Do përçoj angazhimin tonë për anëtarësimin në BE”

15.09.2021 - 10:13

Presidentja e KE-së, Ursula Von der Leyen gjatë prezantimit vjetor të gjendjes së BE-së në Parlamentin Europian ka deklaruar se do të vizitojë Ballkanin. Gazetarja Erisa Zykaj raporton për ABC se Von der Leyen do të udhëtojë në rajon para fundit të muajit.

“Para fundit të muajit, do udhëtoj në Ballkan për të përçuar angazhimin tonë për anëtarësimin në BE. Ne ia kemi detyrim këtë të rinjve, që besojnë në të ardhmen europiane,” ka thënë Von der Leyen.

Ajo ka shtuar se do të rrisin investimet në Ballkanin Perëndimor.“Ne po rrisim investimet në Ballkanin Perëndimor me rreth një të treten e prodhimit të brendshëm bruto të rajonit. Investimi në të ardhmen e Ballkanit është një investim për BE-në,” ka theksuar presidentja e KE.

Një ditë më parë në Shqipëri ishte kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila u takua me liderët e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit. Ndër të tjera në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama, Merkel, e cila lë detyrën pas disa ditësh theksoi se BE duhet të mbajë premtimin për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.