MENU
klinika

Boks

E papritura, Joshua humb titujt përballë Usyk

26.09.2021 - 12:16

Boksieri ukrainas Oleksandr Usyk është kampioni i ri i botës në peshën e rëndë. Ai mposhti me vendim unanim të gjyqtarëve britanikun Anthony Joshua (117-112, 116-112, 115-113), duke i “rrëmbyer” titujt kampionë të kësaj peshe në kategoritë IBF, WBA e WBO.

Një humbje e papritur kjo për Joshua, e dyta në karrierën e tij (ka edhe 24 fitore), që përballë 70 mijë fansave në Londër (në stadiumin e Tottenham), nuk arriti të mbrojë titujt kampionë.

Kjo është hera e dytë që ai i dorëzon ato, këtë herë ndaj Usyk, që e meritoi fitoren. Ukrainasi e dominoi sfidën në shumicën e raundeve, duke qenë më agresiv, lëvizte më shumë në ring, mbrohej mjaft mirë dhe e vuri mjaft në vështirësi Joshua, që u lodh shpejt.

Ky i fundit e goditi shumë pak Usyk, që dukej më në formë dhe tregoi aftësi të mira. Madje në sekondat e fundit të raundit të fundit (12) Joshua rrezikoi të përfundonte KO, por e shpëtoi gongu.

Usyk, falë këtij triumfi, mbetet i pamposhtur në ring (19 fitore, 0 humbje) dhe pasi u shpall kampion bote në peshën “cruiserweight”, tashmë është kampion edhe në peshën e rëndë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN