MENU
klinika

Surprizat në kabinetin e ri

Edi Rama shpall sot ministrat, nota kaluese për Manastirliun, Ballukun

02.09.2021 - 09:20

Kryeministri Rama do të shpallë sot emrat e qeverisë së re për mandatin e tretë radhazi.

Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së që do të mblidhet në orën 10:00 në Pall- atin e Kongreseve kryesocialisti do t’i japë fund dilemave me emrat që kanë ditë që qarkullojnë, ndërsa për ministrat aktualë 1 shtatori ka qenë një natë e gjatë. Ajo që dihet sipas vlerësimeve të vetë Kryeministrit, janë tre ministrat e qeverisë aktuale që kanë marrë nota pozitive pa vërejtje për punën e tyre.

Ato janë ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, dhe ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka. Nisur dhe nga ky vlerësim, por dhe deklaratave të mëparshme të kryeministrit, kur është shprehur se “gratë janë për punë dhe burrat për fjalë”, duket se gratë do të dominojnë kabinetin e ardhshëm qeveritar.

Ajo që mbetet top sekret është profili i ministrave të rinj, nëse ato do të kenë më shumë profil të spikatur teknik apo politik, nëse do të vijnë nga institucionet shqiptare apo ato ndërkombëtare. Mësohet se Edona Bilali, kryesuesja e listës së PS-së në Shkodër do të jetë pjesë e kabinetit të ri, me shumë gjasa në postin e zv.kryeministrit. Përmes këtij posti jo pritet të rrisë profilin e saj politik për të qenë kandidate favorite për kryetare bashkie në Shkodër, nëse sondazhet dhe faktorët përcaktues në këtë qark do t’i jepnin asaj avantazhe. Pritet të ketë dhe një ristrukturim të ministrive, siç është rasti i Ministrisë për Rininë dhe Inovacionin apo dhe Ministria e Ekonomisë dhe Rindërtimit.

KRYESIA

Në mbledhjen e sotme të Asamblesë Kombëtare do të zgjidhet edhe kryesia e re dhe sekretarët e rinj të saj. Gjatë fjalës së tij në takimin me grupin e ri parlamentar socialist dhe deputetët që sapo mbyllën mandatin, Kryeministri Rama e tha qartë se ata që nuk janë më deputetë do të jenë pjesë e ekzekutivit dhe e forumeve të partisë në funksion të fitores së zgjedhjeve të ardhshme lokale dhe atyre parlamentare pas 4 viteve.

“Të gjithë ata ndër ju që gjatë mandatit të tretë nuk do të jenë përsëri në Kuvend, do të kenë mundësinë të përfshihen në punët e mëdha të ekzekutivit dhe të partisë të cilës duhet paralelisht me qeverisjen t’i japim një energji të re, t’i japim forca të reja në drejtim dhe frekuenca të reja më të larta të veprimtarisë së saj në çdo pjesë të territorit. Tani nis njëkohësisht në tri hapësira të ushtrimit të detyrave tona në Kuvend, qeveri, parti, puna e madhe për dy fitore të tjera shumë të rëndësishme në mbështetje të vizionit ‘Shqipëria 2030’, zgjedhjet vendore të 2023 dhe zgjedhjet parlamentare të 2025-ës”, u shpreh Rama para deputetëve.

Asambleja pritet të zgjedhë kryesinë e re të Partisë Socialiste dhe sekretariatit ekzekutiv të saj, emrat e të cilëve do të propozohen nga kryetari Rama. Asambleja mund të propozojë emra alternativë, por kjo nuk ka ndodhur në rifreskimet e fundit. Gjithashtu, mësohet se në mbledhjen e Asamblesë do të propozohen edhe drejtuesit e rinj politikë të PS-së në qarqe që do të drejtojnë fushatën e anëtarësimeve të reja, analizave dhe zgjedhjeve të reja në strukturat lokale të PS-së.