MENU
klinika

Të akuzuar për ekzekutimin e dyfishtë në Elbasan

GJKKO kalon për gjykim dosjen ndaj Ardian Çapjes

15.09.2021 - 10:06

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kaluar në gjykim dosjen ndaj katër të akuzuarve për vrasjen brenda shtëpisë së tij të Gentian dhe Nezir Beqirajt, ngjarje e ndodhur në Elbasan në vitin 2012.

Ndërkohë që për vrasjet akuzohen zyrtarisht gjashtë persona, dosja në gjyq është dërguar vetëm për katër prej tyre, përkatësisht për Ardian Çapen, Klajdi Dokolin, Etjen Canin dhe Ervis Bardhin.

Dosja është ndarë për dy të akuzuar të tjerë, përkatësisht Florenc Çapen dhe Olsi Lekun, për shkak se ndodhen jashtë vendit.

Florenc Çapja ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa Leku ndodhet në Greqi, i dënuar me burgim.

Ata akuzohen nga SPAK për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.

ARRESTIMI I ARDIAN ÇAPES

Ardian Çapja u arrestua mëngjesin e 29 marsit të këtij viti duke u akuzuar pas më shumë se 10 vitesh si porositës i vrasjes së Gentian Beqirit dhe babait të tij.

Ai u arrestua në kuadër të operacionit policor të koduar “Krasta 2021”.

“Në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, në bazë të informacioneve të grumbulluara nga strukturat hetimore të DVP Elbasan dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë, mëngjesin e sotëm, gjatë operacionit policor të koduar ‘Krasta 2021’, u bë ekzekutimi i urdhrit të ndalimit të lëshuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan për shtetasin Ardian Çopja alias Çapja, 53 vjeç, banues në Elbasan, si dhe u shpall në kërkim shtetasi Florenc Çapja, 40 vjeç, banues në Elbasan.

Ndalimi i 53-vjeçarit dhe shpallja në kërkim e 40-vjeçarit u bë për veprat penale ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese’ kryer në bashkëpunim dhe ‘Armëmbajtja pa leje’. Këta shtetas në vitin 2012 dyshohet se në bashkëpunim edhe me shtetas të tjerë kanë vrarë me armë zjarri shtetasit Gentian Beqiri dhe Nezir Beqiri (babë e bir)”, sqaronte Policia.

Gjatë operacionit, në banesën e shtetasit Ardian Çapja u sekuestrua edhe një armë zjarri kallashnikov.

ARRESTIMI DHE LIRIMI I FLORENC ÇAPES

Florenc Çapja, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritet shqiptare, u arrestua në fund të muajit maj të këtij viti në Dubai, ku ai jeton me gruan dhe fëmijën e tij.

Ai akuzohet si porositës për ekzekutimin në 15 gusht të vitit 2012 të Gentian dhe Nezir Beqirit në Elbasan. Ka qenë një nga autorët e ngjarjes që ka zbardhur atentatin në banesën e të dyja viktimave.

Sipas tij, Çapja i ka takuar në zonën e Kërrabës dhe për porosinë ka dhënë 50 mijë euro. Megjithatë, autoritetet shqiptare dështuan të ekstradojnë nga Emiratet e Bashkuara Arabe një nga personazhet më të kërkuara të botës së krimit në Elbasan.

Florenc Çapja, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për dy vrasje të ndodhura rreth 9 vite më parë, tanimë është një qytetar i lirë në Dubai dhe ai mund të largohet pa pengesa nga ky vend. Vendimi është marrë më 12 korrik të këtij viti, datë kur ka përfunduar edhe mbikëqyrja nga autoritetet vendase.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN