MENU
klinika

''Injorantë, apo dashakeqës?''

Grand Gala dhe polemika, Inva Mula: Si mundet, unë spektatore?!

22.09.2021 - 20:40

          Shtëpia e re e Operas, u përurua me mbrëmjen Grand Gala.

Me entuziazmin e standardeve krejtësisht të reja dhe pa dallim nga simotrat në botë, koncerti e justifikoi mungesën e gjatë të skenës origjinale dhe spektatorit fanatik.

Natyrisht, kryefjala e mbrëmjes artistike, ishte i ftuari i nderit, tenori i madh Placido Domingo, si dhe një emër tanimë i konfirmuar botërisht, për suksesin dhe shkëlqimin artistik, si Ermonela Jaho. Të dy artistët, sikur ishin bekimi për udhën e re, bashkohore, të muzikës klasike në Shqipëri.

Ndërsa, koreografi shumë i sukseshëm në Francë, shqiptari Angjelin Preljocaj, do të dallohej fare lehtë, pothuaj me një shikim krejt amatoresk, për finesën, elegancën, virtuozitetin dhe profesionalizmin përcjellë me një ndjeshmëri delikate, mbi puantet e balerinëve të Teatrit të Opera dhe Baletit…

Ngjarjes dyfish të rëndësishme, nuk i kanë munguar kritikat.

Sopranoja e njohur shqiptare po ndërkombëtarisht, Inva Mula, ka folur për mungesën gjatë ceremonisë çelëse, ku ishin të ftuar personalitete dhe figura të rëndësishme të artit.

Inva Mula ka shpjeguar se personalisht, ka marrë ftesë për në mbrëmjen gala, por si spektatore, duke shtuar se diçka të tillë, nuk mund ta pranonte… Nuk mund të ishte spektatore, në një skenë ku është ngjitur vetëm 22 vjeçe, duke performuar “Traviatën” dhe ku historinë, e kanë shkruar edhe prindrit e saj.

“Më vjen keq që kanë dalë, se po bëhet si gjyq. Kuptuat, apo nuk kuptuat? Jam ftuar në publik, po. Më ka ardhur ftesë nga sekretarja e drejtorisë, për të qenë në publik, si spektatore dhe nga ministria e Kulturës si spektatore, por nuk e kam pranuar.

Nuk mund të jem spektatore. Inva, nuk mund të jetë spektatore. Unë mund të isha edhe 99 vjeçe, por prapë nuk do të isha spektatore në një ngjarje të tillë. Se nuk ishte vetëm hapja e rinovimit të teatrit, por përkonte me një përvjetor të teatrit.

Ky teatër ka një histori. Ky teatër ka një memorie e cila rëndon mbi supet e shumë artistëve.

Po një peshë, një gur i rëndësishëm në këtë memorie është familja Mula, aty brenda. Nuk bëhet fjalë për Invën. Bëhet fjalë, për Nina dhe Avni Mulën.

Nuk e di, por paskam bërë shumë mirë që s;kam qenë dhe si spektatore, pasi aty nuk është folur për prindrit e mi. Atje nuk ka dalë një imazh i premierës të Invës 22-vjeçare, me ”Traviatën”, që kam thyer të gjitha rekordet. Deri atëherë, nuk kishte ndodhur një gjë e tillë. Domethënë, historia në Shqipëri do të shkruhet nga njerëz të cilët ose nuk e njohin, ose janë dashakeqës,”- ka shprehur indinjatën, Inva Mula.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Së bashku për Skënderbeun”

Artistët shqiptarë koncert në Itali

Çmimi: “Ordine della stella d’Italia”

Inva Mula vlerësohet me çmim në Itali