MENU
klinika

Në 8 muajt e parë u shitën minerale dhe energji

Gushti uli eksportet dhe importet

18.09.2021 - 07:58

Shqipëria ka pasur ulje të importeve dhe eksporteve gjatë muajit gusht. Ndryshe nga “bumi” që vendi ynë pësoi gjatë muajve prill dhe maj, duket se sezoni veror ka ardhur në rënie graduale sa i përket vlerës së mallrave në tregtinë e jashtme.

Gjatë muajve mars – qershor, Shqipëria arriti të kishte volum më të madh tregtar edhe se gjatë vitit normal të 2019-ës, por duket se kjo ecuri është ngadalësuar.

Kontributin më të madh në rritjen e tregtisë së jashtme për gushtin e kanë dhënë grupi “Energji minerale, lëndë djegëse” si dhe “materiale ndërtimi dhe metale”. Këto lëndë të para janë bërë mjaft të kërkuara në tregun ndërkombëtar për shkak të kërkesës përtej normale pas pandemisë. Sidomos në energji, ku kushtet e këqija klimatike kanë bërë që shumë vende të rajonit të blejnë energji me çmime shumë të shtrenjta.

Gjithashtu me rritje kanë vijuar edhe ushqimet dhe grupi “makineri, paisje”, ndërsa rënia më e fortë duket tek tekstilet dhe këpucët. Ky sektor nuk po rikuperon as nivelet e vitit pandemik, gjë e cila mund të shkaktojë probleme të mëdha, pasi në ktë industri janë të punësuar rreth 58 mijë persona.

Shqipëria gjatë 8 mujorit të parë të 2021 ka arritur të eksportojë rreth 232.4 miliardë lekë, me një rritje prej 37.3 % në raport me janar-gusht 2020. Ndërsa në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-s, rritja është rreth 16%.

Gjatë këtij tetëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (24,9 %), Kosova (55,3 %) dhe Spanja (35,0 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Ukraina (28,5 %) dhe Rusia (36,5 %).