Në një konferencë shtypi, pas publikimit të të dhënave të INSTAT, që tregonin se Shqipëria ka njohur një rritje ekonomike prej 11.7% në tremujorin e dytë të këtij viti, ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, bëri një panoramë të plotë të të gjithë situatës.
Ajo tha se shumica e sektorëve kanë njohur rritje ekonomike, ndërsa rënie ka pësuar vetëm bujqësia, për shkak edhe të rritjes së çmimeve. Sa i përket papunësisë, ky nivel sipas Ibrahimajt është në rënie.
“Përshëndetje! Sot jemi për të dhënë lajmet e mira që vijnë nga INSTAT, për 3 mujorin e dytë. Ekonomia shqiptare tregoi që kishte aftësi rikuperuese dhe bizneset treguan që kishin qëndrueshmëri për të përballuar krizat. Në tremujorin e dytë rritja ishte e konsiderueshme dhe kjo na jep indicie të rëndësishme për të ardhmen. Zbatimi i reformave dhe ecuria e deritanishme na bën besimplotë për këtë. Në total në gjashtëmujor ekonomia shqiptare u rrit me 11.7% që është rritja më e madhe e Rajonit. Vendet e tjera kanë pasur ulje.
Zgjerimi i aktivitetit ekonomik ka rezultuar në bazë të gjerë duke u mbështetur nga sektori privat. Kontributi i kërkesës së huaj ka ardhur nga rritja e eksperteve dhe importeve. Kontributi i sektorit privat ka ardhur në rritje, i mbështetur nga pagat e luftës, rritja e kredisë konsumatorë. Një e dhënë tjetër pozitive është formimi bruto i kapitalit fiks. Kontributin e dytë më të lartë e ka pasur ajo e tregtisë dhe transportit, që reflekton rritjen e lartë të tregtisë me shumicë dhe transportit. Sektori i ndërtimit është ndikuar si nga investimet publike dhe ato private. Administrata publike, arsimi dhe shëndetësia kanë pasur kontribut pozitiv. Një pjesë e aktiviteteve profesionale kanë pasur produkt pozitiv. Roli i qeverisë dhe masave të ndërmarra është i prekshëm dhe i dukshëm.
Edhe sektori financiar ka performuar mirë. Me kontribut privat negativ ka rezultuar sektori i bujqësisë. Duhet theksuar se gjatë vitit të kaluar, kur të gjithë sektorët kanë rezultuar me rënie, ky sektor ka qenë pozitiv. Papunësia ka ardhur në rënie dhe inflacioni ka qenë i qëndrueshëm. Mbështetja e qeverisë në përballimin e krizave kanë reflektuar pozitivisht në disa sektorë”, tha Ibrahimaj.