MENU
klinika

"Aktivistët u rrahën, kjo dhunë policore nuk ishte parë që nga koha e..."

Ish-ministja e PS reagon pas arrestimit të bashkëshortit të saj

07.09.2021 - 15:56

Ish-ministja e Arsimit në Shqipëri, Besa Shahini ka reaguar në rrjetet sociale pas arrestimit nga policia të bashkëshortit të saj në Kosovë, Dardan Molliqaj.

Sipas saj, protesta e aktivistëve të PSD-së, mes tyre dhe bashkëshorti i ish-ministres, “u mbyll me dhunë policore, aq në shpërputhje me aksionin e protestuesve, sa nuk ishte parë që nga koha e UNMIK-ut”.

Besa Shahini akuzon kryeministrin kosovar Albin Kurti se po tenton të “shuajë çdo zë opozitar në Kosovë”.

“Nevoja e Albinit që të shuajë çdo zë opozitar në Kosovë ka kaluar në absurditet. Pesë aktivistët në aksionin simbolik kundër gjykatës së padrejtë speciale – tashmë e shndërruar në gjykatë kundër UÇK-së – u rrahën dhe arrestuan dhunshëm”, shkruan Shahini e cila thekson se aktualisht në Kosovë ‘nevoja dhe hapësira për opozitë të re dhe të zëshme po vjen duke u rritur’.

Kjo nuk është hera e parë që Molliqaj arrestohet nga policia. Sot, bashkë me të u ndaluan edhe pesë aktivistë të kësaj partie, pasi kanë penguar konferencën për media të kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.

Postimi i plotë i Besa Shahinit

Nevoja e Albinit që të shuajë çdo zë opozitar në Kosovë ka kaluar në absurditet. Pesë aktivistët në aksionin simbolik kundër gjykatës së padrejtë speciale – tashmë e shndërruar në gjykatë kundër UÇK-së – u rrahën dhe arrestuan dhunshëm.

Në korrik ndodhi e njejta, kur Albini nxorri policinë për të mbrojtur një taksë absurde shtesë të regjistrimit të makinave, të cilën e tërhoqi më vonë.

Para kësaj, u organizua një protestë e vogël kundër hipokrizisë së VV-së e cila bëri fushatë të hapur elektorale, të rrezikshme për shëndetin midis pandemisë dhe menjëherë pasi fitoi zgjedhjet vendosi masa të rrepta duke u thirrur në pandemi, që rezultuan në mbyllje biznesesh dhe gjobitje marramendëse të qytetarëve.

Protesta u mbyll me dhunë policore, aq në shpërputhje me aksionin e protestuesve, sa nuk ishte parë që nga koha e UNMIK-ut.

Nëse nuk i shuan me dhunë, Albini nxjerr ministrat e vet në protestë, për ta përvetësuar kauzen, siç ndodhi me daljen e turpshme të ministres së drejtësisë dhe atij të brendshëm në protestat kundër vrasjes brutale të një gruaje të re nga partneri i saj.

Shëndeti i demokracisë në Kosovë është në pikën e vet më të brishtë që nga paslufta. E vetmja fije shprese është fakti që nën pushtetet e dhunshme, pashmangshëm rritet e forcohet opozita.

Kështu që paradoksalisht, nevoja dhe hapësira për opozitë të re dhe të zëshme po vjen duke u rritur.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN