MENU
klinika

Dy legjendat e NBA

Jordan apo LeBron James, kush është më i pasur?

18.09.2021 - 13:27

Lojtarët e NBA janë ndër më të paguarit në botë sa u përket sportistëve, madje kalojnë edhe yjet e futbollit botëror. LeBron James është një ndër më të paguarit në vitet e fundit.

Ai e ka parë gjithmonë Michael Jordan si një model gjatë karrierës së tij në basketboll, dhe nuk është rastësi që ai ka veshur fanellën me numër 23, disa herë gjatë udhëtimit të tij, por kush nga kjo dyshe ka më shumë para?

James aktualisht ka katër unaza kampioni në krahasim me gjashtë që ka Jordan, megjithëse koha është kundër të parit, i cili do të mbush 37 vjeç në dhjetor, kur bëhet fjalë që të kap me trofe idhullin e tij.

Perandoria e biznesit të Jordanit ishte e përqendruar rreth markës ‘Jordan’, e cila u bë e madhe pas tërheqjes së tij nga sporti, dhe si e tillë pasuria e tij spekulohet të jetë në vlerë rreth 1.65 miliardë dollarë.

Fillimisht ai preku shifrën e 2.1 miliardë dollarëve, por kuptohet se ka humbur rreth 500 milionë dollarë për shkak të krizës pandemike. Jordan fitoi rreth 90 milionë dollarë në karrierën e tij në NBA, por pjesa më e madhe e pasurisë së tij është falë bizneseve me të cilat filloi dhe punoi pasi u largua nga terreni për herë të fundit.

Ai investoi 175 milionë dollarë në Charlotte Hornets në 2006 dhe kur përfundimisht u bë pronari më i madh i ekskluzivitetit në vitin 2014, u vlerësua se ai kishte futur rreth 625 milionë dollarë të parave të tij në Hornets.

Megjithatë, pavarësisht nga pandemia globale, vlera e ekipit është rritur në 1.5 miliardë dollarë, që do të thotë se Jordan është i destinuar të fitojë nga investimi i tij sa herë që ai vendos se është koha për të shitur.

James gjithashtu mburret me një perandori të rëndësishme biznesi larg basketbollit, dhe ai nuk është shumë prapa Jordanit për sa i përket portofolit.

Sipas Forbes, James ka fituar më shumë se 1 miliard dollarë gjatë karrierës së tij 18-vjeçare në NBA me 400 milionë dollarë nga ajo që vjen në pagë, ndërsa më shumë se 600 milion dollarë kanë arritur përmes sipërmarrjeve të tij të ndryshme të biznesit.