MENU
klinika

Mentor Nazarko

Kacekët e erës së ftohtë nga Drini u mbyllën

28.09.2021 - 12:38

Vizita e djeshme e Edi Ramës në Prishtinë ndonëse e përgatitur shpejt, ngjante se adresoi në mënyrë të plotë kritikat ndaj tij, por dhe se energjizoi bashkëpunimin midis dy shtyllave ku mbështetet kombësia jonë e dy shteteve, Shqipërisë dhe Kosovës. Me gjasë e përgatitur me punën superefektive e të pabujë të Minxhozit, ambasadorit të Shqipërisë në Prishtinë, ndërsa Kosova nuk ka ende ambasador në Tiranë.

Vizita theu ritualin që respektonin kryeministrat e Kosovës, pra, dhe Albin Kurti, sipas të cilit Kryeministri i ri i Kosovës vjen së pari në Shqipëri. Ishte Rama kësaj here, Kryeministri i Shqipërisë, i fillimit të mandatit të tretë që shkoi atje. Vajti me komplekset prej stihisë ngritur kundër tij për çështjen e Ballkanit të hapur, jo vetëm në rrjet, por dhe në deklarimet diplomatike, përfshi dhe Presidenten e Kosovës nga Gjermania, pa (edhe foli) erdhi, më i qetë dhe i çliruar në Tiranë. E bëri këtë me “Air Albania”-n, zogun që të çon në Kukës, por dhe përtej kufijve.

Duke marrë shumë ministra që folën shumë me homologët e vet (më shumë se Rama- Kurti), Rama u përpoq t’i jepte vizitës karakterin e vizitës së punës dhe jo asaj të diplomacisë patriotike apo personale.

Rama erdhi në Kosovë, ndërsa kriza e targave po globalizohet, me shtimin e patrullimit të KFOR-it në Veri, me retorikën BE dhe NATO, plus Rusisë për këtë temë, ndërsa avionët serbë uturojnë në vijën e kufirit, sepse ka skaduar marrëveshja e Kumanovës që i mbante kilometra larg, Rama u solidarizua me vëllain e vogël, por ama hoqi paralele me krizën e taksës. Mbajtja pa afat e policisë speciale në Veri, njëjtë si taksa, mund të prodhonte efekt bumerang- tha Rama, i cili është vëlla, por dhe dikush që jep e merr me Perëndimin, dhe në cilësinë e dikujt që vjen nga OKB, ku së shpejti Shqipëria do të jetë anëtare e Këshillit të Sigurimit. Rreziqet e komplikimit të situatës nëse nuk ka strategji dalëse, ekzistojnë. A e dëgjoi vëllai i vogël a jo, kjo mbetet për t’u parë…

Rama përfitoi me arrogancë nga bujaria e mikpritësit në shtëpinë e erërave dhe frikërave (për t’i dhënë të drejtë vetes) në lidhje me Ballkanin e hapur, të cilin e çmitizoi, ndonëse shumë vonë, nga kjo iniciativë- në Prishtinë. E bëri këtë më detajisht, në takimin me studentët pa u sfiduar nga askush, duke të krijuar keqardhjen: pse nuk e kishte shpjeguar më parë? Pse nuk e kishte mbrojtur më parë iniciativën e vet, duke qenë ai komunikues i mirë?

Ndonëse nuk takoi Presidenten, e cila ka ecur pak më larg se Kurti me kritikat a pozicionimet e saj publike në lidhje me Shqipërinë, të cilën maksimumi e quan motër dhe jo nënë, Rama u pajtua historikisht me Haradinajn. Takimi në fjalë ngjante i organizuar në moment të fundit si dukej nga axhendat me ndryshime të shpërndara deri në momentin e fundit, por kryesorja për të ishte se pas debateve në distancë, përshëndetjes së parë në distancë në një hotel në Durrës, Rama e takoi Haradinajn në selinë e partisë, që gjendet në fushatë. Ai tregoi kësisoj se di të menaxhojë shumë mirë me shkallëzim qejfmbeturit dhe fronte tretësore lufte propagandistike me ta, fronte të cilat janë mbyllur më së shumti prej kohës së pamëshirshme apo zgjedhjeve. I respektoi krejt partitë, sepse është kohë fushate, madje bëri dhe qoka, i ftoi në Shqipëri liderët e rinj përballë Kurtit dhe korrigjoi kështu gabimet e mëparshme, kur ishte selektiv në raport me gjithë spektrin e partive.

Duke nderuar një figurë të madhe si Rexhep Qose në 85-vjetorin e tij, në prani edhe të Kurtit, me një dekoratë që “ka sy”, më shumë sesa dekoratat shtetërore të parashikuara me ligj, në fakt Rama u dekorua nga vetë shkrimtari dhe aktivisti i shquar me medaljen e patriotizmit dhe jo të nacionalizmit. Profesori e dha dekoratën e tij me vlerësimet ornamentale për Ramën me një ligjërim unik, që do t’u kujtohet gjatë të gjithëve. Edhe kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, prania e të cilit theksonte plotësinë dhe qendërsinë e ceremonisë (por jo vetëm) të nderimit të Qoses, nga kryeqyteti kryesor i kombit. Dhe ajo ceremoni ka bërë të heshtin shumë kritikë të Ramës, që e adhurojnë Qosen, por dhe Kurtin. Fotoja e të treve vlente më shumë sesa gjithçka: urë me tre harqe, kapak i artë për polemikat ndërshqiptare, dhe ftesë e urtë për bashkëpunim. Kurti megjithatë pati rastin të spikaste aty me një fjali të shkëlqyer mbi epërsinë e romantizmit mbi cinizmin… e spektatorëve. Një fjalim i shkurtër, më i ngjeshur se fjalimi i gjatë i Ramës, dhe që tri fjalimet shkëlqenin.

Vizita e organizuar mirë dhe shpejt çmagjepsi shtrigat, çminoi terrenin midis dy pjesëve të kufirit, mbylli kacekët e erës së vjeshtës midis shqiptarëve (kacekët e Eolit, perëndisë së erërave sipas mitologjisë greke), demistifikoi deri diku krijimet kuazi patriotike të aktorëve politikë dhe socialë të Kosovës dhe rriti afërsinë mes Kosovës dhe Shqipërisë. Këto dy pjesë të kombit kanë rëndësi jashtë shqiptare vetëm kur janë bashkë. Le të shpresojmë se efektet do të jenë afatmesme, deri në krizën e re që mund të lindë prej dy personaliteteve të forta, që “janë dhe intelektualë, dhe krijues dhe të suksesshëm njëlloj” – si tha profesor Qosja. (48% Rama pas 15 vjetësh në pushtet; 50% Kurti pas 15 vjetësh në opozitë). Kurti përballet me zgjedhje pas tr javësh, dhe me gjasë kjo vizitë do t’i shërbejë shumë në rejtingun, që nuk është më i njëjti.