MENU
klinika

Poeti suprem

Klasiku 700-vjeçar!

13.09.2021 - 13:38

         Një popstar në Mesjetë, Dante Aligeri vdiq 700-vjet më parë.

“Komedia Hyjnore”, poema epike vijon të mbetet një nga veprat letrare botërore më të mëdha. Mbetet e panjohur data e saktë e lindjes, por me sa duket poeti i madh italian lindi diku në maj ose qershor 1265. Gjithsesi, vendlindja e tij s’diskutohet – Firence. Ai u pagëzua me emrin Durante, por filluan ta thërrisnin shkurt Dante. Poeti u martua me Gemma Donati rreth viteve 1285, nga një familje me influencë. Çifti pati katër fëmijë, mirëpo zemra e Dantes i përkiste Beatriçe Portinarit, e cila ishte martuar me dikë tjetër. Dante nuk e harroi kurrë, madje e përjetësoi në veprat e veta, e cila shfaqet në pjesën e fundit të “Komedia Hyjnore” dhe në “Vita Nuova” (“Jeta e re”). Dante nuk ishte vetëm poet dhe studiues, por edhe aktivist politike. Asokohe në Itali, përkrahësit e perandorit, si autoriteti laik dhe Papati, si autoriteti fetar, u përballën në luftë për pushtet dhe Dante u bashkua me supremacinë e Papës. Dy fraksionet luftuan ashpër, ndërsa Dante u kap në mes./Konica.al

 

Rreth vitit 1302, ai u dëbua nga Firence brenda natës pa asnjë mundësi faljeje ose kthimi, kurse prona iu konfiskua. Pjesën e mbetur të jetës Dante do ta kalonte në mërgim, për të mos u kthyer kurrë në vendlindje – Firence. U frymëzua nga filozofia, teologjia dhe shkenca të tjera, shkroi “Monarkia”, “Banketi” dhe “Jeta e re”, por krijimi që do t’i jepte statusin e yllit të popstarit gjatë jetës, një vepër e paharrueshme deri më sot, është padyshim “Komedia Hyjnore”, vepër që e shkroi në mërgim dhe e përfundoi pak para se të vdiste. Poeti i çon lexuesit në një udhëtim nëpër ferr, purgator dhe parajsë. E shkroi në gjuhën e tij amtare, duke e ngritur italishten në statusin e një gjuhe letrare. Dante, i cili e përjetësoi veten si hero në poemën e tij epike, e fillon udhëtimin me poetin e lashtë romak, Virgjili. Ai takon individë nga mitologjia dhe historia, të cilët, në varësi të mëkateve, vuajnë ndëshkimet në ferr ose lejohen të qëndrojnë pezull në një nga qerthujt e jashtëm të ferrit. Të tjerë persona takon në parajsë, përfshi Beatriçen e tij të dashur. Dante vdiq në Ravena. Firence asnjëherë nuk i reshti përpjektjet ta rimerrte në vendlindje, por pa sukses. Në shekullin XIX, qyteti ngriti një cenotaf, një varr nderi për poetin popullor të Italisë.

Historia dhe kuriozitete për varrin e poetit 

Përpos asaj që besohet, Dante nuk prehet në Firence, por në Ravena.

Ai vdiq në Ravena natën midis 13 dhe 14 shtatorir 1321, në moshën 56-vjeçare. Pas vdekjes, eshtrat u varrosën në Ravena në kishën e San Françeskos. Funerali, i organizuar nga Guido Novello da Polenta, qe solemn, madje Xhovani Bokaçio e përshkruan me hollësi ngjarjen në veprën “Vita Dantis”. Exul immeritus, poeti i dënuar të endej dhe të jetonte në kufijtë e mikpritjes së të tjerëve, as i vdekur nuk gëzoi paqe. Bokaçio ishte i pari që krijoi dikotominë midis Firences, njerkë mizore dhe persekutuese, dhe Ravenës, nënë birësuese dhe dashamirëse, e lumtur të mirëpriste një jetim kaq të shquar. Qyteti i zambakut nuk e pranonte dot idenë, se kockat e poetit të preheshin diku tjetër. Rreth shekullit të pesëmbëdhjetë, i kërkoi Ravenës kthimin e tij, kjo e fundit refuzoi, por duhej t’ia jepte një shekull më vonë, kur kërkesa u mbështet edhe nga Papa, Leo X, i biri i Lorencos së Madhërishëm. Këtu nisën edhe surpizat: nën efektin e emocioneve, kur u hap varri, ai u gjet bosh. Autoritetet nuk kishin shpjegime, si rrjedhojë u desh të jepnin dorëheqjen përballë provave të jashtëzakonshme. Habia nuk mbaroi kurrë: eshtrat e Dantes ishin zhdukur. Misteri vijoi për shekuj me radhë, deri në shekullin e gjashtë të lindjes së poetit./Konica.al

Në fakt, në 1865 u vendos restaurimi i varrit bosh.

 

Gjatë punimeve në manastirin françeskan të Ravenës, një punëtor, duke prishur një mur, zbuloi një kuti druri. Kutia mbante brenda kocka njeriu dhe një letër të superiorit, të datës 1677, ku pranohej se eshtrat ishin të Dantes të vjedhura nga fretërit për të parandaluar sjelljen e tyre në Firence. Enigmë mbetet fakti, se ku qëndruan mbetjet mortore të zhvendosura nga 1519 (viti kur u hap arkivoli) në 1677, viti kur u gjetën në vendin e fshehur. Mbase ishin zhvendosur në ndonjë arkiv të pluhurosur, ose përfundin sekret të ndonjë dallapi sakristi. Sidoqoftë, kockat e gjetura u futën në urnë me ceremoni dhe nderime publike. Mirëpo, çuditë nuk reshtën: në 1878 një kuti me copëza kockash, që pretendohej se ishin të poetit, të vjedhura gjatë zbulimit të 1865, arriti në bibliotekën “Classense”. Në 1886, një arkivol me kocka të ngjashme mbërriti në bashkinë e qytetit të Ravenës. Një kuti e ngjashme mbërriti në 1900. Ndofta historia e vjedhjeve dhe rizbulimeve kishte grishur imagjinatën e njerëzve të Ravenës. Trafiku i pseudorelikeve ishte një komplot i denjë për një roman të Bokaçios.

Për të frenuar këtë përhapje alarmante, me rastin e 700-vjetorit të vdekjes, u vu në dispozicion një ekzaminim rigoroz shkencor i kockave, që rindërtoi skeletin në të gjitha pjesët e tij, duke eleminuar çdo relikt të rremë. Vlerësimi tregoi se Dante kishte shtat mesatar, me shpatulla të rëna dhe një artrit ankilozues, që e detyroi të ecte paksa i epuar (dhe në fakt Bokaçio shkroi se Alighieri “pasi arriti moshën madhore, ecte disi i kërrusur”). Prej vitit 1921, trupi i Dantes prehet në Ravena, ku edhe meriton me të drejtë që të mbetet. Fare mirë mund të thuhet, se si hakmarrje e denjë e “Komedisë Hyjnore”, Firence, fajtore për dëbimin e Dantes, është e destinuar të jetojë me pendimin e përjetshëm për trupin e tij./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Pambarimi i Leopardit"

Më i madhi lirik i kombit të vet