Humbja e shëmtuar e Barcelonës, pa as edhe një goditje në portë, kundër Bayern Munich në Ligën e Kampionëve, vë në pikëpyetje pozicionin e trajnerit Ronald Koeman.
Pas ndeshjes, presidenti Laporta u mbyll në një dhomë me zv.presidentin Yuste dhe menaxherin Alemany për një mini-samit që zgjati deri në orën 2 të mëngjesit. Sipas “Sport”, holandezi ka tre ndeshje për të shmangur përjashtimin.
Në gusht 2020, 2-8 në Lisbonë kundër bavarezëve i dha fund trajnimit të Quique Setien dhe tani, pak më shumë se një vit më vonë, historia mund të përsëritet. Në bankën e të akuzuarve përfundon trajneri Koeman, i mbrojtur dhe mbështetur gjithmonë nga Laporta, por pozicioni i të cilit fillon të lëkundet.
Arsyetimet sigurisht që nuk i mungojnë trajnerit holandez, i cili pa Messin dhe Griezmann të largoheshin, dhe as nuk mund të llogarisë të dëmtuarit Ansu Fati, Aguero, Dembélé dhe së fundmi Braithëaite, të gjithë sulmues.
Lëndimet e Pedri dhe Jordi Alba erdhën për të treguar momentin e keq nga të gjitha këndvështrimet. Laporta është i zemëruar me trajnerin e tij, por ai nuk dëshiron të marrë vendime të nxituara.
Barcelona do të luajë në gjashtë ditë kundër tre skuadrave që sigurisht nuk janë të parezistueshme, Granada, Cadiz dhe Levante. Presidenti pret një reagim nga ekipi, shfaqje bindëse dhe 9 pikë. Ndryshe Koeman mund të shkarkohet.