MENU
klinika

Shtator 1916

Komisia Letrare, e para nismë për standardizimin e shqipes

02.09.2021 - 14:17

Dita e parë e shtatorit të vitit 1916 do të sillte lajm goxha të madh për shqiptarët. Atë për shkrimin e shqipes. Një grup i elitës së atëhershme do të themelonte Komisinë Letrare të Shkodrës. Anëtarët do të vinin në përfundim se shkrimi i gjuhës shqipe të bazohej në të folmen e Elbasanit, pikërisht aty ku është kufiri i dy dialekteve të shqipes, gegërishtes dhe toskërishtes. Komisia ishte themeluar tetë vjet pasi në Manastir Kongresi vendosi që alfabeti shqip të përbëhej nga shkronjat latine. Përvjetorin e themelimit të Komisisë e ka sjellë në vëmendje Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në Shqipëri.

Nëpërmjet një afishimi në rrjete sociale, Drejtoria ka njoftuar së më 1 shtator 1916, nën udhëzimet e autoriteteve austro-hungareze dhe me nxitjen e konsullit të përgjithshëm të Austro-Hungarisë, August Ritter von Kral, u krijua në Shkodër Komisia Letrare Shqype.

“Synimi i saj ishte të krijonte një normë të gjuhës letrare dhe të sanksiononte drejtshkrimin standard të shqipes zyrtare që do të përdorej veçanërisht në shkolla. Anëtarë të Komisisë ishin intelektualët më në zë të kohës: Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Maksimilian Lamberc, Mati Logoreci, Ndre Mjeda, Hilë Mosi, Sotir Peci, Hafiz Ali Korça, Gjergj Pekmezi dhe Aleksandër Xhuvani. Pas diskutimeve Komisia vendosi përdorimin e dialektit të Elbasanit si gjuhë standarde letrare”, shkruhet në njoftim. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka publikuar edhe disa protokolle të mbledhjeve, të cilat janë të shkruara me shkrim dore.

Sipas të dhënave, struktura e Komisisë ka pasur një kryetar dhe sekretarin. Sipas Statutit të përkohshëm të KLSH-së të miratuar nga anëtarët duhej të mblidheshin çdo ditë nga 1 deri në 3 orë. Por më 16 shtator ishin marrë vesh që anëtarët e Komisisë do të mblidheshin tri herë në javë nga dy orë. Çdo mbledhje kishte procesverbal, miratohej tema dhe vendimet merreshin me shumicë votash. Sipas Statutit për zgjidhjen e ndonjë problemi me rëndësi mund të angazhohej ndonjë dijetar i huaj që njihej si autoritet në filologjinë shqiptare. Kryetar i KLSH-së nga Komanda ushtarake austriake ishte caktuar Gjergj Pekmezi, i cili e kreu këtë detyrë nga data 24 shtator 1916 deri më 17 shtator 1917. Për largimin Pekmezit nga KLSH-ja ka dy njoftime të kundërta, të dy të botuara në gazetën “Posta e Shqipnies”.

“Marrim vesh se i ndritshmi z.Dr.Gjergj Pekmezi, të cilin kryekomanda e ushtrisë e ka pasë emnue kryetar në Komisinë Letrare, ka hjekë dorë prej kësaj zyreje. Kryekomanda i lutet që ta mbajë prap atë zyrë, por tue pasë prej punësh të tjera nuk kishte si me iu shtrue kësaj barre, e pranoi dorëheqjen e tij”, shkruhej në njoftim. Pas katër ditësh ishte botuar një tjetër njoftim.

“Dorëheqjen time e dhashë se s’kam qenë aspak i marrun vesh me vendimet e dhanuna përmbi ortografinë e gjuhës shqipe prej Komisisë Letrare , tue u ndodhë për pushime në Vjenë…”. Pastaj detyra e kryetarit iu ngarkua Luigj Gurakuqit.