23-vjeçarja nga Kosova, Zarife Imeri ndërroi jetë një ditë më parë në rrethana të paqarta. Familjarët e saj kanë ngritur akuza se e reja ka ndërruar jetë për shkak të vaksinës, vetëm tre ditë pasi kishte marrë dozën e parë.
Lidhur me këtë ngjarje të rëndë ka reaguar dhe Klinika Emergjente e QKUK-së duke sqaruar se vdekja e 23-vjeçares nga Drenasi është si pasojë e hemorragjisë intraabdominale (gjakderdhje në bark), shok hemorragjik dhe jo nga vaksina.
Djali i dajës së saj, Haxhi Xhemajli në një lidhje me Skype për emisionin “Abc-ja e mëngjesit tha se Zarifja nuk vuante nga ndonjë sëmundje specifike. Ai tha se autoritetet kanë bërë autopsinë dhe janë në pritje të përgjigjes për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
“Pasi bëri vaksinën nuk ka pasur asnjë simptomë ditën e parë, në të dytën tha se kam turbullime në bark dhe në të tretën ka shkruar për të punuar. Ka pasur etje dhe ka kërkuar ujë dhe marramendje. Pas 48 orësh që ka marrë vaksinën ka filluar të humbë vetëdijen dhe e kanë nisur për Prishtinë.
Ka qenë e shtrirë në spital pasi humbi vetëdijen. Ka qenë prezent i vëllai. Mjekët kanë thënë se ka pasur gjakderdhje të brendshme. Kanë kërkuar nga vëllai i Zarifes që të bëhet autopsia dhe ai s’e ka ditur çfarë është fjala. Ne dyshimet i kemi se vdekja ka ardhur shkak i vaksinës.“, tha ai.