Këngëtarja Fjolla Morina është liruar nga paraburgimi, ka konfirmuar për Express avokati i saj Fanol Krasniqi. Sipas avokatit, gjykata ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për ekstradimin e saj në Shqipëri dhe këngëtares i është ndërprerë masa e paraburgimit.
“Gjykata me datën 15 shtator 2021 ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për ekstradimin e saj dhe të njëjtes ia ka ndërpre menjëherë paraburgimin”, tha Krasniqi për Gazetën Express.
Fjolla Morinës i ishte caktuar masa e paraburgimit prej 40 ditë nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Kjo masë ishte llogaritur prej momentit kur Morina është arrestuar me 17 korrik 2021 në Prishtinë.
Këngëtarja u shpall në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, pasi mbi të rëndon akuza për trafikim të armëve dhe municionit në Shqipëri.
Arrestimi i parë i Fjolla Morinës u bë në shtator të vitit të shkuar, në pikën e kalimit kufitar Morinë, ku këngëtares iu gjet një armë zjarri pistoletë tip “Zoraki” me 23 fishekë. Pas arrestimit në Morinë ajo doli nga qelia, pasi gjykata e Kukësit vendosi për të masën “arrest shtëpie”. Mirëpo, pas disa javësh këngëtarja u arratis. Gjatë arratisë ajo organizoi edhe ceremoninë e martesës me partnerin e saj Fisnik Syla në Maldive.