MENU
klinika

Gjergj Fishta

Malcorët u binë turvet

24.09.2021 - 14:05

         “Ishte nata e Nuncjatës 24 Mars 1911, e natën nëpër terr nji çetë tetmdhetë vetesh, shtatë me armë e njimdhetë pa armë, rrugë pa rrugë, bite Qafës Bukoviqit, drejt ka Rrapsha, ku gjindej nji ndër blochaus, qi Bedri Pasha kishte ngref kah Malcija. Tue shkue malit e tue bisedue të vogel njani me tjetrin, po zën e thotë Kol Marash Vata, qi u kishte pri:

“Me nimë të Zotit, burra, na i herë sande po i bijmë kaushës se asqerit e… të dalë ku të dalë. Për në kjoftë se na ec falli mbarë, po i marrim njato tridhet mauzerre të turkut e masandej po ia çojmë puçë Bedri Pashës e po ia lajmë të dhetat me kokrra plumash. Por në kjoftë thanë prej zotit me mbetë, prap mirë se mirë, mos tjetër, s’kemi me pa dhunitë e barbaritë, qi Xhemleti don me na ba mbi Malci. Ma mirë dekë si burrat, së gjallë e më marre”

Kështu tha Kol Marashi dhe çeta iu avit blochausit të ushtarëve të Turkisë. Aty xunë vend, e masi u shtërnguen me armë ia nisën pushkën ushtarëve, shtatë malcorë e tridhet ushtar. Ushtarët mrenda e malcoret jashtë. Krisi pushka sa krisi e qatje vonë xu me i lshue zemra ushtarët edhe u ranë ndore malcorëve. Malcorët u muarne armët, e ushtarët i lshuan me shkue ka deshtën. Nuk ishin Sllav me pre robt e nxanun. Malcorët atëherë në fillim mësyen kaushën e Çemerrit dhe e pushtuen pa pushkë të shtime.

Gruda në tjetrën anë, tue luftue si kulshedra me dragoj, kishte marrë kaushet e Pikalës e të Shtegut te Selishtit, të Bokrrines e kur u err dita e 25 Marcit, Kol Mirashi e Gjon Pllumi me shokë të vet u kishin marrë ushtarëve të Turkis 86 mauzerre. Atëbotë iu qit kushtrimi Malcisë, e mësyen e morën Tuzin e filluen me u shtërngue për më i ra Shkodrës.

Mjaf ka kenë prej anet të malcorëve me mujt me e mendue!”

At’ Gjergj Fishta i ka përshkruar fazat e ndyshme të kësaj kryengritje në “Hyllin e Dritës” 1914, me një varg artikujsh me titull “Lot Gjaku” në “Mrizin e Zanave” e “Lahutën e Malcisë”, duke e përjetësuar trimin e malësorëve, Ded Gjo’lulin.

Edhe pas gritjës së flamurit në Deçiq më 6 prill 1911, Ded Gjo’luli nuk e ndali luftën.

Më 16 prill 1914 dymbëdhjetë batalione malazeze mësyjnë natën Malsinë dhe bëjnë masakra në Hot e Grudë. Flakë kallën fahatrat bagëtia e pasuria. 575 shtëpi bëhen të pabanueshme dhe malsorët lëshojnë vendin.

Ded Gjo’luli bashkë me dy krenë nga paria e Shkodrës i kërkon ndihmë qeverisë së Durrësit… Mbi armikun krisi pushka!

Më 24 shtator 1915 u nda nga jeta Dedë Gjo Luli, prijësi legjendar që u rreshtua krahë heronjve të shquar të kombit tonë.

Dedë Gjo Luli kujtohet sa herë që sjellim ndërmend përpjekjet dhe luftrat që janë bërë për pavarësinë e vendit nga Turqia dhe ruajtjen e trojeve shqiptare nga “orekset” e fqinjëve.

Emri i Dedë Gjo Lulit është mishërim i betejave të mëdha të shqiptarve për liri e pavarësi. Kujtojmë se betejat më të njohura janë ato që u zhvilluan në Deçiç më 6 dhe 22 prill dhe 3 maj 1911, ku u ngrit për herë të parë dhe flamuri shqiptar me shqiponjën e zezë dykrenare.

Ai mori pjesë si luftëtar në Vraninë, si komandant në Lidhjen e Prizerenit dhe si prijës e valvitës i flamurit të Skënderbeut në Bratile të Deçiçit, në kryengritjen heroike të malësorëve në vitin 1911 (e cila u shoqërua me programin e pavarësisë kombëtare të Greçës më 23 qershor të po atij viti).

Për Dedë Gjo Lulin, Shqipëria ishte mbi të gjitha. Kështu deklaroi Presidenti i Republikës Bujar Nishani në vitin 2015, kur e nderoi (pas vdekjes) me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”.

Dedë Gjo Luli lindi në vitin 1840 dhe në Tiranë gjendet busti në nder të heroit, si dhe shkolla dhe rrugë mbajnë emrin e tij. Dedë Gjo Luli ishte atdhetari i shquar dhe prijës i lufës për liri dhe pavarësi.

Arkivi Qendror Shtetëror publikoi këtë 106-vjetor të ndarjes së tij nga jeta, fotografi nga ceremonia e sjelljes së eshtrave të Heroit të Popullit në Shkodër.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit