MENU
klinika

Radhë për tampon në Kakavijë

Masat e reja kufizuese shkaktojnë kaos në kufij!

07.09.2021 - 09:07

Pas një vere të shfrenuar dhe pa asnjë masë shtesë edhe pse qarkullonte “Delta”, nga 6 shtatori, Komiteti Teknik vendosi masa shtrënguese, midis të cilave edhe tamponin negativ brenda 72 orëve, rapid test të 48 orëve të fundit, kartë vaksinimi ose provë për kalimin e infeksionit, si kusht për të hyrë në Shqipëri.

Që në ditën e parë, kufijtë u përballën me radhë të gjata pasi nevojitet më tepër kohë për përpunimin e dokumentacionit, minimalisht dhjetë minuta për çdo qytetar.

KAOS NË MORINË

Radha e automjeteve në pritje për të kaluar doganën e Morinës këtë të hënë arriti në disa kilometra. Qytetarë të shumtë që kanë dashur të kalojnë kufirin drejt Kosovës janë përballur me vonesa të shumta për shkak të masave të reja anti-Covid të vendosura prej ditësh nga qeveria e Kosovës, ku i kërkohet çdo qytetari që hyn në territorin e saj test PCR ose certifikatë vaksinimi. Hyrja në fuqi e shtrëngimeve të reja nga pala shqiptare veçse e ka përkeqësuar gjendjen atje, duke sjellë radhë nga të dyja anët. Sipas qytetarëve, pritja po shkaktohet si rezultat i kontrolleve të rrepta për dëshmi vaksinimi e teste të shpejta pas hyrjes në fuqi të masave nga shteti shqiptar. Ndërsa Ministria e Brendshme e Kosovës nga ana e saj thotë se pika më problematike është Vërmica dhe Morina.

KAKAVIJË

Një numër qytetarësh që donin të depërtonin dje në vend u detyruan të kryejnë tamponin në Kakavijë dhe të vijojnë rrugëtimin vetëm pasi të kenë marrë rezultatin. Për këtë arsye të dyja klinikat e instaluara në pikën kufitare që deri të dielën e javës që shkoi u shërbenin vetëm qytetarëve në dalje, (pasi testi ka kohë që është i detyrueshëm për të hyrë në Greqi) tani po i shërbejnë edhe fluksit hyrës në Shqipëri. “Duhet të jetë vaksinimi, dy dozat e para, të ketë kaluar 14 ditë, testi antigen dhe certifikimi përmes analizave 3-mujore ose 6-mujore që kanë kaluar Covid-19. Një pjesë janë shumë të informuar, një pjesë janë të vaksinuar dhe shumica janë me testet e nevojshme për kalimin”, shprehen autoritetet kufitare.

KAPSHTICË

Ndryshe nga Kakavija, situata në pikën tjetër kufitare me Greqinë, Kapshticë, por edhe në Muriqan mësohet të ketë qenë më e qetë ditën e djeshme. Të informuar në kohë, pjesa më e madhe e qytetarëve kanë qenë të pajisur me certifikatën e vaksinimit dhe testin negativ PCR, por ka pasur edhe nga ata që janë kthyer mbrapsht, pasi nuk kishin me vete dokumentet e kërkuara. Ata janë izoluar në banesa për një periudhë dhjetëditore, duke mbajtur kontakt me autoritetet e shëndetit publik. Ndërsa ata që kanë dashur të depërtojnë përmes pikës së Muriqanit, duket se e kanë bërë një ditë më herët. Vetëm të dielën, kur ende nuk kishin hyrë në fuqi masat e reja mësohet të kenë hyrë në vend një numër i madh udhëtarësh, 6837 qytetarë.