MENU
klinika

"Por e vë Bashën në pozitë pune të shndërrojë PD në lëvizje dhe thithë votat antiqeveri!"

Nazarko: Berisha nuk ngjan se ia del dot, iniciativa e tij sot favorizon Ramën!

15.09.2021 - 17:32

Analisti Mentor Nazarko i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24 ka deklaruar se Sali Berisha me gjasë nuk ka për ta rrëzuar dot Lulzim Bashën në PD.

Sipas Nazarkos, Berisha është alternativë përçarëse dhe përjashtuese dhe individualisht nuk e arrin dot rrëzimin për të zëvendësuar Bashën në krye të PD apo për të vendosur në vend të tij një të besuar, duke patur kundër SHBA-të, një grup drejtuesish afër Bashes dhe një koniunkturen e pafavorshme.

Për analistin, nga iniciativa e Berishës favorizohet vetëm Rama, por Basha ka në dorë që të vihet në pozita pune dhe te bëjë thirrje për bashkim, të shndërrojë PD-në në lëvizje si dhe të shndërrohet në një figurë tërheqëse për elektoratin.

‘’Nuk besoj se Berisha do ia dalë dot individualisht. Nuk besoj që për shkak të moshës, qasjes përjashtuese dhe ndarëse, tipike të tij, të arrijë objektivin për të rrëzuar kryetarin dhe për ta zëvendësuar me atë vetë apo dikë që gëzon besimin e tij. Nuk besoj se krijon një ortek që do të mundë ta rrëzojë Bashën me një referendum. Iniciativa e tij favorizon Ramën. Ramës i intereson që të jetë e dobët PD. Jam i prirur te shoh megjithatë një element pozitiv tek kjo iniciativë e Berishës. Mund ta shtyjë Bashën të jetë në pozita përbashkuese. Përballë Berishës, alternativë ndarëse e përçarëse, Basha ka mundësi të bëjë thirrje për bashkim ; të shndërrojë PD-në, në Levizje me spektër të gjere ideologiik, duke thirrur të përjashtuarit, duke u bërë më përfaqësues, më propozues ; ta bëjë një lëvizje, ta zgjerojë spektrin e saj ideologjik. Të bashkojë dhe të përjashtuarit. Tu drejtohet jo vetëm të djathtëve, duke parë që në zgjedhjet e fundit, përqindja e votave kundër qeverisë ishin më shumë se 50%. Duhet të jetë i ndërgjegjshëm se shumë nga ato vota nuk shkuan në PD dhe kur partitë e vogla janë tkurrur ato vota mund të shkojnë tek PD. Ato batutat gjoja kërcënuese ndaj zonjës Bozo nuk ishin prelud i mirë, apo sprovë skenike kushedi sa simpatike. Besoj se Basha nga frika e Berishës mund të vendoset në pozitë tërheqëse për elektoratin. PD mund të jetë në një përballje që e çon në dy skenarë, shkatërrimin total si krejt partitë e djathta të Lindjes ose ngritjes së saj.’’- tha Nazarko.