MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Nga ndryshon hiperaktiviteti nga ADHD?

19.09.2021 - 14:13

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Nga ndryshon hiperaktiviteti nga ADHD?

Mjeku: Çrregullimi i pamjaftueshmërisë së vëmendjes me hiperaktivitet (ADHD) karakterizohet nga prania e mungesës së vëmendjes, aktivitetit të tepruar dhe impulsivitetit.

Pavëmendja i referohet stilit të sjelljes, përfshirë çorganizimin dhe mungesën e vazhdimësisë së më tepër sesa një procesi psikologjik, që del në pah prej testeve të vëmendjes. Paraqitja e saj, merr forma të ndryshme në mosha të ndryshme dhe ndikimi i saj ndryshon sipas kërkesës që bën ambienti për vëmendje.

Aktiviteti i tepruar i referohet thjesht një shtimi të lëvizjeve. Shpesh është problemi më madhor në fëmijërinë e hershme, por më i parëndësishmi në jetën si i rritur. Tiparet e tij janë statistikisht të lidhura ngushtë me impulsivitetin dhe shpesh futen brenda një termi, atij të “hiperaktivitetit”.

Impulsiviteti nënkupton të vepruarit pa u menduar. Ky është shpesh një aspekt që i fut të rinjtë në telashe, ose që i irriton njerëzit e tjerë. Sidoqoftë, në fëmijërinë e hershme dhe ndoshta pak më vonë, këto tipare të impulsivitetit mund të jetë e vështirë të ndahen nga tipet e tjera të sjelljes opozicionale. Mungesa e qartësisë mbi rregullat sociale, ose rezistenca me inat ndaj të rriturve, mund të jenë të tjera shkaqe për thyerjen e rregullave.

A mund të themi se çdo fëmijë i lëvizshëm është hiperaktiv?

Sigurisht që jo!
Fëmijët që janë mjaft aktivë dhe të vështirë për t’u përballuar në klasë, mund të diagnostikohen dhe të trajtohen gabimisht për ADHD. Disa prej këtyre fëmijëve aktivë mund të jenë nën ndikimin e stresorëve psikosocialë në shtëpi, të vuajnë prindërimin e papërshtatshëm, apo ndonjë sëmundje tjetër psikiatrike.

Cfarë e shkakton hiperaktivitetin apo ADHD?

Ndonëse ka mjaft studime kërkimore, shkaqet përfundimtare të ADHD-së mbeten të panjohura. Ka shumë mundësi të jetë një kombinim faktorësh, të tillë si: toksinat ambientale, ndikimet prenatale, trashëgimia, si dhe dëmtimi i strukturës trunore dhe funksionit të tij (McCracken, 2000).

A ka faktorë predispozues që mund të ndikojnë kur fëmija është në barkun e nënës?

Ekspozimi prenatal ndaj alkoolit e duhanit pra një nënë që konsumon alkool apo duhan gjatë shtatzënisë, ekspozimi ndaj ndotjes ambjentale si plumbi, mendohet se rrisin gjasat për shfaqjen e ADHD.

Po ashtu edhe kequshqyerja e rëndë në fëmijërinë e hershme, rrit gjasat për shfaqjen e ADHD-së.

Faktorët e riskut për ADHD-në përfshijnë:

– Praninë e ADHD-së në familje, pra të tjerë anëtarë të familjes janë diagnostikuar me ADHD
– Nëse ka të afërm meshkuj me çrregullim të personalitetit antisocial;
– Nëse ka të afërm femra me çrregullim somatizimi;
– Nëse jeton në një familje me status social ekonomik të ulët;
– Të qënit mashkull,
– Prania e konflikteve martesore apo familjare si divorci, neglizhimi, abuzimi apo mungesa e
prindërve;
– Pesha e ulët në lindje dhe lloje të ndryshme të insulteve trunore

Si kryhet vlerësimi i fëmijës me ADHD?

Vlerësimi i një fëmije që ka simptoma hiperaktiviteti dhe që mendohet se mund të ketë ADHD do duhet të kryhet në ambjente të ndryshme që frekuenton fëmija gjatë jetës së përditshme.

Vlerësimi i fëmijës kur është mes moshatarëve jep të dhëna mjaft të dobishme, për arsye se sjellja e fëmijës mund të jetë e ndrydhur, ose e ndryshme gjatë ndërveprimit vetëm me psikiatrin apo mjekun që po e vlerëson.

Intervista me prindërit është një element thelbësor dhe vetë prindërit mund të raportojnë se fëmija i tyre ka qenë gërnjar dhe ka patur probleme, që kur ishte bebe. Ose ata mund të mos kenë vënë re ndonjë sjellje hiperaktive, derisa fëmija arriti moshën e kopshtit ose të shkollës.

Fëmija probabilisht ka vështirësi në të gjithë fushat madhore të jetës, si shkolla apo loja dhe shfaq sjellje tepër aktive deri të rrezikshme në shtëpi. Shpesh prindërit thonë se fëmija është “jashtë kontrollit” dhe ndihen të paaftë ta përballojnë këtë sjellje. Prindërit mund të tregojnë për përpjekjet e tyre të pasuksesshme për të disiplinuar fëmijën ose për t’i ndryshuar sjelljen atij.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.