MENU
klinika

20 lekë më shtrenjtë

Pas bukës, rritet edhe çmimi i kafes!

26.09.2021 - 13:46

Çmimi i kafesë pritet që të rritet deri në 20 lekë! Kreu i shoqatës së Bar-Restoranteve, Enri Jahja në një intervistë për “Report Tv” tha se e gjitha vjen si rrjedhojë e rritjes së çmimit të lëndëve të para, njëjtë siç ndodhi dhe me grurin. 

“Është rritur çdo lënë e parë, hekuri, çimento, gruri kështu që teknikisht do rritet edhe kafeja, duke qenë se në jemi vend importues, do rritet edhe çmimi. Vlen të theksohet se ka të paktën 20 vite në Shqipëri që nuk ka pasur rritje të çmimit të kafesë si në çdo vend të botës. Gjithsesi si çdo gjë tjetër edhe këtu funksionojnë gjërat mbrapsht sepse kemi një ofertë shumë të lartë kafeje për konsumatorët, ndërkohë do rritet edhe çmimi kafesë si lëndë e parë, absurditet për tregun e lirë. Sivjet ka qenë një vit i keq në prodhimin e kafesë dhe tregjet botërore kanë më pak ofertë për kafe lënë të parë, kjo sjell rritjen e kërkesës edhe rritjen edhe çmimit, sepse oferta nuk e përmbush kërkesën. Kjo do të sjell rritjen. Te ne funksionon ndryshe, ne kemi kërkesë të madhe, që do sjell rritjen e çmimit. Parashikohet 10 deri në 20 lekë“, tha Jahja.

Po ashtu, ai shtoi se rritja e çmimit të kafes pritet që të reflektohet nga mesi i muajit tetor, duke futur në “grupim” edhe kafen turke.

“Kjo besoj do fillojë të ndihet nga mesi i tetorit, pasi atëherë do reflektohet te kafeja lëndë e parë, por edhe tek kafja turke. Do ketë reflektim gjithëpërfshirës, edhe kafja e restorantit, edhe e shtëpisë. Dy janë importuesit kryesor, Italia, një pjesë e vogël nga Greqia, por shkohet edhe më tej në Brazil, një nga importuesit kryesor. Së fundmi sipas informacioneve nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave kemi të paktën rreth 400 deri në 500 importues kafeje. Për vendin tonë është një shifër e madhe dhe e lartë. Jemi diku tek 700 deri në 1 mijë ton,”-shtoi ai.

Prej ditësh furrat po e shesin bukën me çmim deri në 10% më të lartë, ndërkohë që shoqata e Prodhuesve të Bukës deklaron se gjithçka ka ndodhur për shkak të rritjes së çmimit të grurit që vjen nga Rusia dhe produkteve të tjera. Parashikohet se më këto ritme, rritja e çmimit mund të shkojë deri në 20%.

(k.m/dosja.al)