MENU
klinika

Ben Andoni

PD-ja, absurde me aksionin e Berishës dhe e humbur me Bashën

22.09.2021 - 19:10

Partia Demokratike është në sfidën e saj ndoshta më të madhe prej nga themelimi i saj. Jashtë fjalëve dhe inkurajimit të vazhdueshëm që po i afron i gjithë publiku, zhgënjimi prej saj është gati i plotë. Vetëm pak ditë më parë ishte kjo parti që me ngucin e kryetarit aktual Basha vendosi ta rizgjedhë, gati 90%. Ndërkohë që kërkohej reflektim dhe mendësi sesi do të zhvillohej aksioni për të ashtuquajturën “masakër zgjedhore”, aty punohej për Bashën!!

Nën heshtjen e shumë prej protagonistëve të sotëm, që po mundohen ta shfrytëzojnë paq z. Berisha kundër Bashës, kryetari aktual i PD-së zhvilloi një proces pas të cilës i dha partisë imazhin, frymën dhe… padobinë e vet. I vetëm Mark Marku dhe fare pak të tjerë u munduan ta zgjojnë nga letargjia partinë që tashmë është përçarë keqazi.

Transformimi pas humbjes së tretë në zgjedhjet e përgjithshme kërkohej me asgjë tjetër veç me krijimin e shtratit të një transformimi rrënjësor dhe përmirësimit të një ideologjie, e cila i përshtatej ndryshimeve. Por, më shumë nga të gjitha, Kuvendi me yes-man e saj tregoi realisht nevojën e rikrijimit të PD-së dhe përthithjes prej saj të një slogani që sapo u shtri në publik u harrua si shumë gjëra nga kryetari Basha: Krijimi i një Republike të Re.

Ajo që e ka prishur më shumë imazhin e PD-së është përpjekja absurde ndaj vendimit të Departamentit të Shtetit, me të cilin të gjitha palët përfshirë dhe vetë “të dëmtuarin” e madh Sali Berisha po përballen. Në dukje të gjitha thonë: jo dhe realisht duhet të jetë kështu pasi kushdo që të vij në krye të PD-së do gjendet përballë të së njëjtit verdikt: Largimin e Berishës.

A do jetë kjo mënyra sesi do të mblidhen këtej e tutje në aksion demokratët kudo në vend për të organizuar Kuvendin e PD-së apo thjesht e gjitha do kamuflohet me retorikën kundër Bashës? Për të ardhur keq është se: edhe ata që e kundërshtonin nënzë Berishën, thjesht për inat të Bashës, sot bëjnë si të flaktë në mbrojtje të ish-kryetarit. Veçse Berisha e kupton që përkrahja e tyre është thjesht mënyra sesi mund t’i kundërvihen Bashës për t’i marrë partinë dhe jo mbështetja reale. Si gjithnjë me duart e të tjerëve.

Ndaj aksioni i Berishës është aksion absurd, qoftë me sloganet prej tij, por edhe me kujtimet dhe sidomos me retushimet e së shkuarës. Për ata që kanë harruar: Azem Hajdari pak herë shkoi mirë me të dhe ishte ai dhe vetëm ai: autori i linçimit të tij. Për ata që e ndjekin dhe sot “i gjejnë” gabime Bashës të cilat nuk i flisnin më parë, paradoksalisht ato i kishin mu para syve. E ndërkohë Basha është drejt një flirti të ri me Ramën, pikërisht atë që mund t’i japë pak oksigjen përkrahësve të tij dhe ta bukosi këtej e tutje fare Partinë Demokratike, që tashmë i janë sulur të gjithë gjoja për ta përvetësuar në emër të parimeve….

Me logjikë nuk do ketë ndryshime dhe kjo do e bëjë më absurd të gjithë këtë aksion të PD-së, megjithëse ku ta dish se ku mund të arrijë marrëzia, ashtu si ka ndodhur kurdoherë kur Bashës i është dhuruar. Pasi Basha është mësuar t’i dhurohet dhe kjo nuk është më kërkesë por është destin, që “çuditërisht” atij i afrohet. Dhe, paradoksi i radhës shqiptar është se: Nuk ndodh gjë as me Bashën dhe as me Berishën me gjumin e SPAK por do të ketë të vuajtur veçse militantët besnikë të PD-së dhe idealistët e saj, që dhanë gjithçka për parimet dhe të ardhmen e formacionit të parë antikomunist në vend.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga Ben Andoni

E keqja, na mundi!