MENU
klinika

Alfred Peza

Për qetësinë aktuale pa dashuri, të Ilir Metës!

20.09.2021 - 19:57

Ndryshe nga sa ëndërronin konspiracionistët gjatë pushimeve verore, Ilir Meta e ka bërë si rrallëherë nga 1 shtatori e deri më sot, detyrën e Presidentit të Republikës. E nisi sezonin politik me dekretin për thirrjen e seancës së parë të Parlamentit të ri, të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit 2021 dhe më pas, të Edi Ramës si Kryeministër e ministrave të tij. Për ta përmbyllur këtë proces, me ceremoninë e betimit të tyre në Presidencë, që i hapi udhën fillimit të punës për mandatin e tretë qeverisës të socialistëve.

Askush në mazhorancë dhe nga faktori ndërkombëtar i interesuar nuk kishte dyshime për këtë, ndaj ata të paktët opozitarë që prisnin me nervozizëm për të kundërtën, thjeshtë u zhgënjyen. Ilir Meta ka qenë një President i mirë për ta, vetëm atëherë kur ka çdekretuar zgjedhjet dhe jo kur ka dekretuar produktin e tyre legjitim. Ai ka qenë i mirë për ta, vetëm atëhe kur i është kundërvënë si opozitar mazhorancës dhe jo atëherë kur ka zbatuar siç duhet, frymën dhe gërmën e Kushtetutës.

Nëse Ilir Meta do sillej përgjatë këtyre mbi 4 viteve, brenda kornizës presidenciale, e sigurtë është se ai nuk do shkarkohej nga mazhoranca socialiste në Parlament dhe nuk do ishte sot në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për këtë. Sikundër, edhe partia e tij familjare LSI, do kishte fat të ndryshëm politik dhe tjetër nivel përfaqësimi në Parlamentin e ri. Tek mënyra sesi u soll me detyrën e Kryetarit të Shtetit, shqiptarët panë në kushte reale tek Ilir Meta, mënyën sesi LSI sillet me shtetin dhe pushtetin.

Ajo që e nxiti edhe më shumë Ilir Metën të dilte nga shinat presidenciale, ishte mirazhi që i shfaqi, protesta e 2 marsit 2020. Nuk kishte rëndësi kush e nxori në shesh popullin opozitar, as qëllimet që fshiheshin prapa saj, në kulmin e lojës për fatin e Reformës në Drejtësi. Sapo prozhektorët u fikën atë natë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, vala e entuziazmit kolektiv, e dehu kampin opozitar. Pasi zbriti triumfalisht nga tribuna e prostestës kundër qeverisë, Presidenti besoi se kurora e dafinave, pas kësaj e tutje i përkiste atij.

Ishte ky momenti kur propaganda, nisi fushatën për të krijuar iluzionin publik, se jo Lulzim Bashës por Ilir Metës i takonte të ishte lideri i opozitës. Sali Berisha iku pak më herët atë natë nga sheshi, duke i dhënë krahë zërave se kishte ardhur momenti që Kreu i Shtetit dhe Kreu i PD, ta zgjidhnin mes tyre enigmën e kësaj përballje. Njerëzit e Ilir Metës besuan se ai sapo kishte realizuar ciklin, për të qenë i vetmi që po i kundërvihej mazhorancës së Edi Ramës, duke patur për këtë edhe mbështetjen popullore.

Ky moment përkoi në kohë me trokitjen e pandemisë globale nga Covid-19, e cila pas pak ditës, çoi në mbylljen totale të jetës së vendit. Ora e jetës politike të Shqipërisë, sikundër dhe ajo e aktiviteteve të tjera jetësore, ndali më 2 mars. Kjo i dha edhe më shumë flatra, fantazive opozitare në Presidencë, që nisën të flisnin në emër të “popullit të 2 marsit”. Për shqiptarët kishte vetëm një virus vdekjeprurës mes tyre, ndërsa për opozitarët, sapo ishte zbuluar vaksina antiqeveritare.

Entuziazmi ndër njerëzit rrotull Ilir Metës dhe LSI shkoi në zenit, ndaj në zgjedhjet e 25 prillit nuk e ndjenë si jetike, nevojën për të bërë aleancë parazgjedhore me PD dhe Lulzim Bashën. Të bindur se kishin me vete “popullin e 2 marsit”, dolën me listë kandidatësh për depuetetë më vete, për të bërë sërisht “king maker”-in pas zgjedhjeve. Besuan se do diktonin qeverinë e re të Kryeministrit Lulzim Basha dhe se Ilir Meta, do merte një mandat të dytë presidencial vitin e ardhshëm. Si përfundim, LSI do të ishte më e fortë dhe më e pushtetshme se kurrë më parë, në 16-17 vitet e ekzistencës së saj.

E gjitha kjo, i ngjante asaj skenës së një filmi të vjetër shqiptar, ku personazhi ynë mbante një kaçile të mbushur me vezë në dorë dhe filloi të fantazonte me zë të lartë: Do ti marr këto vezët dhe do ti shtroj, e me to do të çel shumë zogj. Zogjtë do të rriten dhe kur të bëhen pula, do ti shes dhe me lekët që do të fitoj, do të blej disa dele e një dash. Ato do shumohen, derisa të kem tufën më të madhe të fshatit dhe…. Plluq,- kaçilja i ra nga dora. Vezët iu thyen, e bashkë me to u zhbë, edhe ëndrra e tij me sy hapur!

Nëse Ilir Meta do sillej gjithmonë si këto këtë shtator, duke qenë President normal dhe në marrëdhënie normale me qeverinë, askush nuk do vinte bast në zgjedhje se LSI do bëhej sërisht “king maker”. Por e sigurtë është se në asnjë rrethanë, nuk do katandisej me vetëm 4 deputetë, pa patur mundësi të krijojë as grup parlamentar. Atë që të bëkërka populli, përfshi edhe ai i 2 marsit, nuk ta bën as Perëndia!