MENU
klinika

"Përplasjet mes tij dhe Bashës në dëm të PD"

Përjashtimi i Berishës, Mark Marku: I vonuar, duhej të kishte ndodhur më herët

24.09.2021 - 15:19

Pedagogu Mark Marku, i ftuar në rubrikën “Opinion”, në “News 24”, komentoi zhvillimet e fundit në PD. Sipas Markut, vendimi i përjashtimit të Sali Berishës nga grupi parlamentar ishte ai i duhuri, madje sipas tij, ishte i vonuar.

Zgjidhja më e mirë sipas pedagogut do të ishte që ish-kryeministri Berisha të jepte vetë dorëheqjen, ndërsa shtoi se lideri aktual i PD, Lulzim Basha, duhej të merrte një vendin ndaj tij, që në momentin ku DASH e shpalli atë ‘non grata’.

Ndër të tjera, Marku nënvizoi se përplasjet mes dy individëve duhet të mënjanohen, pasi në fund sipas tij ajo që e pëson është Partia Demokratike.

E prisnit këtë furtunë të madhe, kur vendosët të largoheshit?

Mark Marku: Ekzaktësisht nuk e dija, por kisha parandjenjë që gjërat nuk do të shkonin mirë. Nëse PD nuk do të lëvizte, nuk shpikte një fabul të re, nuk bënte akte të shpejta, ndërkohë dhe afatgjata, normalisht mendoja që gjendja ishte e pashpresë.

Kush ka faj për këtë gjendje?

Mark Marku: Në PD janë problemet si në të gjitha partitë shqiptare, janë problem të akumuluara në 30 vite. Ne themi që jemi vend gjysmë demokratik, shteti ligjor nuk funksionon. Themi që ekonomia nuk shkon në pritshmëritë e duhura. Shteti, qeveria, nuk i përgjigjen nevojave minimale për një jetë normale në Shqipëri. Por kur bëjmë analizën nuk shkojmë te partitë politike. Ne e kemi bërë debatin shoqëror duke shkuar te sistemi dhe nuk kemi shkuar te partitë politike. Partitë Politike asnjëherë nuk bëjnë analizë, e ngarkojnë fajin te kundërshtari, kjo ndodh se jeta demokratike nuk funksionon. Duke i shtyrë problemet pafund, ne automatikisht kemi shkuar në degradim të partive politike. Në 30 vite, një parti që krijoi pluralizmin në Shqipëri, ishte brenda misionit të vet, por partitë duhet të rishikojnë misionin, alternativën, duhet të ndryshojnë elitat, duhet të krijojnë mundësi që shoqëria të gjej platformë debate, brenda PD, duke pasur parasysh vlerat që ka. Në këtë kuptim, partitë bëhen struktura në raport me shoqërinë. Në partitë politike shqiptare, duke qenë se janë post-komuniste, janë të orientuara drejt liderit. Partitë janë grupe interesi, koordinojnë interesa të caktuara shoqërore. Do të duhej dhe mendoj që ky është problemi që nuk funksionon, duhet të gjejnë mundësi të ndryshojnë vetveten. Nga parti që lidhen me interesa të caktuara, bëhen një grup i ngushtë interesi. Kjo analizë nuk është bërë, ka shty këtë debat të brendshëm dhe jemi këtu.
Unë e di realitetin shqiptar. E njoh realitetin e partive politike. Unë nuk mendoja që PD mund të ishte një parti e përkryer. Unë mendova dy gjëra, e para nevoja për ndryshim, sepse ne po shkojmë si shoqëri në 30 vite përplasje dhe ngecje, por në fund të fundit ndryshojmë pak nga pak. Duke qenë shumë hezitues në vetvete, nuk garantojnë shumë gjëra, sepse s’po bëjnë lëvizjet e duhura. Unë interesat ë tipit pragmatist nuk kam, e s’do të kem. Kur duhet bërë diçka, mendon se është e moralshme ta bësh dhe desha ta bëja dhe e bëra.

Ju ishit një nga njerëzit që e kërkonit ndryshimin e brendshëm të PD që do të vinte me rotacionin që kërkuat. Ju vjen keq që nuk jeni pjesë e PD për ta ndihmuar në këtë situatë që ndodhej.

Mark Marku: Asnjë nuk është i domosdoshëm në një formacion politik. Ajo çfarë kërkoja unë nga një persona ë erdha nga jashtë, ishin kushtet elementare të aktivitetit politik. Kur angazhohesh do të gjesh atmosferën e duhur që të kesh mundësi të kontribuosh në fushën e ideve. Një njeri që vjen nga fusha e medias, shoqërisë civile, për çfarë shkon aty? Shkon për të ndjekur një diçka ndryshe. Unë krijova përshtypjen personale për herë të dytë që këta nuk e duan kontributin, të ftojnë dhe thonë hajde se na duhesh, ndonjëherë edhe duke të rrit vlerat kot e në fund nuk ekziston dëgjimi si koncept në partitë politike shqiptare.

Do të doja të më thoshit si e gjykoni vendimin e zotit Basha për të përjashtuar zotin Berisha e më andej si e shikoni aksionin e zotit Berisha?

Mark Marku: Kjo është çështje e të gjithëve. Me mënyrën se si do të funksionojë PD në të ardhmen lidhet fati i opozitarizmit në Shqipëri që është jetike për fatin e vendit. Opozita nuk mban përgjegjësi për mënyrën se si qeveriset, por mban përgjegjësi për atmosferën e krijuar. Unë e kam thënë që zoti Basha duhej ta merrte këtë vendim më parë, ishte i vonuar. Zoti Basha nuk kishte pse ta merrte këtë vendim sepse zoti Berisha duhej ta merrte vetë vendimin e largimit. Berisha është aty me themelimin e PD. Ndonjëherë nga përkujdesja e tepërt ne e dëmtojmë fëmijën në mënyrë të parikuperueshme. Edhe në rastin e partisë, mendoj që pavarësisht faktit se si e ka konsideruar Berisha marrëdhënien me PD, Basha dhe vetë PD duhet të kishte krijuar marrëdhënie të tillë që ti je aset i partisë, por partia duhet të ndërtohej në aspektin e hierarkisë. Shoqëria mendonte që vërtetë është Basha aty, por mbrapa ka qenë Berisha. Një nga pengesat ka qenë kjo që Basha e ka pasur të vështirë të merrte këtë vendim. Kjo që po bën Berisha sot tregon që ai ka qenë aty, ka pasur kontrollin dhe kur nuk ka kontrollin reagon.

Pse u anashkaluan strukturat?

Mark Marku: Po siç e thotë Basha sepse ka menduar të mos përçaje partinë. Por në fakt partia sot është e përçarë. Unë mendoj që në momentin që e zgjedh liderin ke deleguar dhe të drejtën për të marrë vendime. Gjithsesi ai është vendim politik i Bashës.

Po rriten mbështetësit e Berishës?

Mark Marku: Berisha për shkak të marrëdhënies që ka me PD, nuk e ka të vështirë të mbledhë 200 apo 300 vetë. Edhe në rrugë ata që nuk e duan do të donin ta takonin. Problemi është te qëllimtësia dhe rezultatet e një akti politik që po ndodh. Berisha ka të drejtë të ndihet i fyer sepse po bëhet me Berishën diçka që nuk bëhet me të tjerët. Vendimi i SHBA s’duhet gjykuar se janë superfuqitë e botës. Ju e dini që ata sulmuan Irakun, shpikën provat për prezencën e armëve bërthamore dhe në fund të fundit s’i dha shumë llogari botës.

Po zoti Bash a ka pasur alternativë tjetër?

Mark Marku: Ka pasur dy mundësi ose të mbajë Berishën dhe koston që do të kishte. Cili do të ishte rezultati? Ama po të njëjtët persona do i thoshin po na le jashtë pushtetit. Sepse çdo parti në shtete të vogla vjen në pushtet nga instrumente të brendshëm dhe të jashtëm. Unë mendoj që është shumë e vështirë për të ardhur në pushtet. Unë e kuptoj edhe zemërimin e Berishës, edhe zemëratën, reagimin. Ai ka kredo morale, thotë që më është bërë padrejtësi. Por kur kalojmë në fushën e vlerësimit të politikës duhet të kemi parasysh pasojat. Unë mendoj që Berisha me aq sa ka përvojë politike, por reagon si një njeri i fyer, ndoshta dhe me të drejtë, por po bashkon veten me PD. Asnjë s’mund ta bëj këtë. Berisha po bën një betejë morale personale.

Deri ku mund të shkojë kjo lëvizje?

Mark Marku: Unë mendoj që ti (Zoti Berisha) s’mund të ofrosh si alternativë shkarkimin e kryetarit. Ajo është lëvizje e brendshme për të marrë partinë. Të njëjtët persona, kanë votuar para disa muajsh dhe e kanë mbështetur fort Bashën që të jetë kryetar, cilat janë arsyet që të largohet tani? Sepse largoi Berishën nga grupi parlamentar. Basha duhet të marrë përgjegjësitë për atë që ka bërë. Të jetë akti i fundit berishist në parti, sepse edhe Berisha ka larguar nga partia njerëz në atë mënyrë. Nëse duan të rrëzojnë Bashën duhet të tregojnë alternative se përse duhet të heqin Bashën, ndryshe për çështje personale le ta bëjnë, por s’jep rezultate. PD nuk është çështje e dy peronave. Sa më e ashpër të bëhet kjo betejë, aq më shumë e pësojnë anëtarët.