MENU
klinika

Analiza nga Euractiv

Pse po dështon vazhdimisht BE-ja me Ballkanin Perëndimor?

24.09.2021 - 12:20

Nga Dušan Reljić, Euractiv

Me sa duket kërkimi i autonominë strategjike të BE-së,ka filluar që në qershorin e vitit 1991, kur Ministri i Jashtëm i Luksemburgut Jacques Poos, që drejtonte një mision diplomatik të Komunitetit Evropian për të negociuar zgjidhjen e krizës jugosllave, deklaroi:“Kjo është ora e Evropës, dhe jo e amerikanëve!”.

Tre dekada më vonë, BE-ja po përpiqet ende të sigurojë ndonjë provë në zonën post-Jugosllave se e ka fituar autonominë e saj strategjike, gjë që në thelb do të thotë se ajo mund të “vendosë, të modifikojë dhe zbatojë rregullat ndërkombëtare sipas bindjeve të saj, dhe josipas rregullave të vendosura nga të tjerët”.

Strategjia e parë e Sigurisë së BE-së në vitin 2003, ishte një përgjigje ndaj vështirësive të BE-së për të adoptuar vet-përkufizimin e saj si forca shtytëse për dhënien fund të luftës dhe transformimin e konfliktit në Jugosllavi. Që atëherë, udhëheqësit e BE-së kanë përsëritur se “anëtarësimi i plotë në BE për Ballkanin Perëndimor” është “një investim gjeostrategjik në një Evropë të qëndrueshme, të fortë dhe të bashkuar”.

Aktualisht, BE mendon se vendet e rajonit mund të luajnë ende një “rol kyç” në zinxhirët globalë të vlerave që furnizojnë BE-në. “Në një periudhë afatgjatë, kjo do të kontribuojë në autonominë strategjike të BE-së”- përsërisin në Bruksel.

Por shumë shtete anëtare të unionit, e pranojnë frikën e tyre se “aktorë të tjerë janë gati të ndërhyjnë në çështjet rajonale, shpesh në kurrizin tonë”.Për më tepër, disa ekspertë shqetësohen se perspektivat për autonominë strategjike të BE-së nuk do të përmirësohen as pas largimit të Britanisë.

Kjo duke pasur parasysh “anëtarësimin e mundshëm në të ardhmen të shteteve të vogla të Ballkanit me pak potencial, por me të drejta të plota të votës”.Dhe kjo nuk është ndonjë gjë e re. Humbja e besueshmërisë së BE-së në lidhje me pretimet e saj për t’u zgjeruar në Ballkanin Perëndimor, dhe depërtimi i disa aktorëve në rajon, janë çështje të debatuara prej vitesh.

E megjithatë, institucionet e Brukselit vazhdojnë që të bëjnë publike dokumente politikash shumë optimiste për “një perspektivë të besueshme të anëtarësimit në BE”të Ballkanit Perëndimor. Po ashtu, udhëheqësit e shteteve anëtare të BE-së lavdërojnë në mënyrë rutinore të ardhmen e rajonit si pjesë e BE-së.

Në fakt, unioni nuk e mbështeti me burime të përshtatshme financiare synimin e vet për arritjen e një autonomie strategjike në Ballkanin Perëndimor, dhe kësisoj ishte i dënuar që të dështonte. Sipas të dhënave të siguruara nga Parlamenti Evropian, shuma e fondeve për periudhën 2021-2027 për programin IPA III është 12.6 miliardë euro (me çmimet e vitit 2018), por që në fuqinë blerëse është 1 për qind më pak se sasia e fondeve të IPA II.

Gjatë periudhës 2007-2013, IPA I kishte një buxhet prej rreth 11.5 miliardë eurosh. Pasardhësi i tij, IPA II, për periudhën 2014-2020, arriti në shumën 11.7 miliardë euro, që

në termat e fuqisë blerëse, shënonte një rënie. Rreth gjysma e parave të IPA I dhe IPA II shkuan për Turqinë.

Pjesa tjetër u shpërnda në shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kroacinë, deri në vitin 2013 (kur vendi hyri në BE). Zyrtarët e BE-së, kanë konfirmuar se vendet e Ballkanit Perëndimor do të marrin deri në 9 miliardë euro në grante përmes Planit Ekonomik dhe Investimeve, një pjesë e IPA III.

Rreth tre të katërtat e tregtisë së rajonit janë me BE-në, dhe kryesisht me Gjermaninë dhe Italinë. Shumica e investimeve të huaja direkte vijnë nga Bashkimi Evropian, dhe pjesa më domethënëse e kapitalit bankar i përket bankave nga BE.

Megjithatë, duhet të merren parasysh shpenzimet financiare shtesë, si shlyerja e huave nga bankat dhe qeveritë në BE, riatdhesimi i fitimeve të ardhura nga investimet e huaja direkte të kompanive të BE-së, kostoja e madhe e subvencioneve qeveritare për të tërhequr investitorë të huaj, dhe mbi të gjitha humbja masive e kapitalit njerëzor përmes migrimit nga rajoni në Bashkimin Evropian.

Sipas një studimi të fundit ndërkombëtar, rajoni i Ballkanit Perëndimor po humbet deri në 5.5 miliardë euro në vit për shkak të emigrimit të qytetarëve të tij, kryesisht në BE. Këtu përfshihen shpenzimet e humbura arsimore, dhe atë që vendet humbasin në rritjen potenciale të PBB-së për shkak të migrimit.

Në fakt, Ballkani Perëndimor transferon çdo vit shumë më tepër burime në BE sesa merr nga kjo e fundit. E kombinuar kjo me qeverisjen e dobët, korrupsionin dhe sundimin autoritar në këto vende, mbeten disa nga faktorët më të rëndësishëm që pengojnë konvergjencën e të ardhurave të Ballkanit Perëndimor me mesataren e BE-së.

Gjërat do të ishin ndryshe në rast se BE-ja do ta trajtonte Ballkanin Perëndimor me të njëjtin solidaritet si vendet më të dobëta midis anëtarëve të BE-së, me shumicën që ndodhen në skajin juglindor të unionit. Konvergjenca e ekonomive të tyre është përshpejtuar në mënyrë vendimtare përmes kapitalit me kosto zero, të cilin vazhdojnë ta marrin nga BE.

Ashtu si këto vende, edhe ato të Ballkanit Perëndimor kanë hapur tregjet e tyre ndaj BE-së. Ekonomitë e tyre kombëtare janë shumë të integruara në superstrukturën e BE-së në kontinent, madje më shumë sesa disa anëtarë të BE-së.

Por përkundër “perspektivës për tu bërë pjesë e BE-së” statusit të tyre kandidat (përveç Bosnjes dhe Kosovës, të cilat janë “kandidate të mundshme”, këto vende nuk kualifikohen për të pasur qasje në fondet strukturore të BE-së që i shërbejnë zhvillimit apo për në fondet e rimëkëmbjes nga pandemia e Covid-19.

Grantet nga BE-ja për shtetet anëtare të Evropës juglindore (Bullgaria, Kroacia, Greqia, Hungaria, Rumania dhe Sllovenia), do të jenë gjatë 7 viteve të ardhshme deri në 11 herë më të larta sesa ato që do të marrë Ballkanin Perëndimor.

Përveç disbursimit të kapitalit nga fondet strukturore të BE-së, anëtarët e unionit do të marrin alokime të konsiderueshme nga fondi i rimëkëmbjes nga pandemia. Ballkanit Perëndimor do të marrë vetëm 500 euro fonde për frymë gjatë viteve 2021-2027. Gjatë së njëjtës periudhë, Greqia do të marrë 5.700, ndërsa Kroacia gati 5.200 euro për frymë.

Për pasojë, në të ardhmen e parashikueshme“muri” socio-ekonomik midis territoreve të BE-së rreth Ballkanit Perëndimor do të ngrihet edhe më lart, dhe do të mbetet i pakapërcyeshëm. Njerëzit në të gjithë vendet post-komuniste të Evropës prisnin një konvergjencë ekonomike me pjesën tjetër të kontinentit.

Ata pranuan një rritje të moderuar të pabarazisë, dhe shpresuan për vendosjen e demokracive të konsoliduara. Mbështetja për demokracitë në shoqëritë në“tranzicion”, lidhet me suksesin ekonomik dhe të ardhurat e individit. Por besimi se regjimet demokratike do të sjellin një transformim të tillë, tashmë është zbehur ndjeshëm.

Ky është një nga shpjegimet më të rëndësishme për prapambetjen demokratike dhe rritjen e populizmit. Rënia është shumë më e fortë në Ballkanin Perëndimor, ku pasojat e luftërave post-Jugosllave vazhdojnë, dhe ku progresi në përgjithësi është i kufizuar. Njerëzit kanë gjithnjë e më pak besim se BE-ja do t’i japë rajonit atë që ka predikuar për dekada të tëra.

Përmbysja e tendencave politike është ndoshta e realizueshme, pasi shumica e popullatës së Ballkanit Perëndimor e mbështet ende anëtarësimin në BE.

Përmes ndërveprimit njerëzor, Ballkani Perëndimor është ndërthurur fort me shoqëritë e anëtarëve të BE-së. Dhe integrimi ekonomik me BE-në është i tillë që nuk mund të zëvendësohet lehtë nga Kina dhe partnerët e tjerë ekonomikë. Në këto kushte, për të realizuar autonominë e tij strategjike në Ballkanin Perëndimor, unioni do të duhej të zbatonte një program të financuar në mënyrë adekuate të konvergjencës socio-ekonomike dhe mjedisore të rajonit me BE-në.

Supozoni sikur BE-ja të zgjidhte ta trajtonte Ballkanin Perëndimor si të ishte de fakto anëtar. Në këtë rast, sipas një studimi të ekonomistëve në Universitetin e Lubjanës, barra e vlerësuar financiare (pa shfrytëzuar fondet e rimëkëmbjes) për anëtarët e BE-së, mund të arrijë midis 0.014 -0.026 për qind të PBB-së së tyre kombëtare, ose çdo vit 1.6 dhe 10.8 euro për frymë. Kjo do të ishte një barrë e parëndësishme për Be-në, por një investim gjeostrategjik që e ndryshon rrënjësisht situatën. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Shënim: Dushan Reljić është kreu i Zyrës në Bruksel të Institutit Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (SWP).

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Kërkoi leje për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës

Gjykata e Lartë merr vendimin për Fredi Belerin

Arrestohet disa orë pas daljes nga burgu “Buzëderri”!

Sokol Simonati përfitoi nga amnistia, por…

"Të rikthehen koalicionet dhe lista të hapura"

Bylykbashi prezanton qëndrimin për reformën zgjedhore