MENU
klinika

Rehabilitimi i hapësirave të reja

Qendra mesjetare e Beratit, në transformim

03.09.2021 - 13:34

Transformimi i qendrës mesjetare të Beratit, ku ndodhen xhamia “Mbret” dhe teqeja e “Helvetive”, do të vijojë me rehabilitimin e plotë të hapësirave të tjera, raportojnë mediat shqiptare. Lajmi është dhënë nga kryetari i Bashkisë së Beratit, Ervin Demo, i cili ka njoftuar se punimet për këtë do të vazhdojnë.

Xhamia “Mbret” dhe teqeja e “Helvetive”, dy nga atraksionet më të veçanta të qytetit, janë ridimensionuar totalisht në çdo hapësirë të tyre duke ofruar për mijëra vizitorë copëza identitare të trashëgimisë sonë kulturore.

“Së shpejti do të fillojë transformimi i plotë i hapësirave të tjera në zonën mesjetare, të cilat do të jenë vlerë e shtuar për qytetin e Beratit dhe pikënisja kryesore për çdo turist të huaj”, ka thënë Demo, raporton Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Xhamia “Mbret” dhe teqeja e “Helvetive” janë dy objekte mahnitëse që i japin vlerë të gjithë zonës, duke mbajtur në themele shekujt e mesjetës dhe shpalosur bukuritë arkitekturore.

Xhamia “Mbret” është një nga objektet më të rëndësishme e kultit në qytetin e Beratit dhe monument kulture i kategorisë I, i shpallur që në vitin 1948. Ajo është pjesë e kompleksit të Qendrës Islamike dhe është ndërtuar nga Sulltan Bajaziti II në fund të shekullit XV. Është një nga më të vjetrat, e ndërtuar rreth vitit 1480.

Teqeja e “Helvetive” është një tjetër monument i qendrës mesjetare të Beratit dhe një nga realizimet më të mira të arkitekturës në qytet. Është ndërtuar në shekullin XV dhe është rindërtuar nga Ahmet Kurt Pasha në fund të viteve ’70 të shekullit XVIII. Objekti i përket sektit me të njëjtin emër dhe ndodhet në pjesën lindore të Xhamisë “Mbret”. Teqeja është e rrethuar nga oborri, i pasuruar me shumë konakë, siç quhen në gjuhën lokale ballkonet.