MENU
klinika

Ekonomia e familjes shqiptare

Rritja e çmimeve ushqimore merr 45% të buxhetit

25.09.2021 - 16:34

Sipas Institutit të Statistikave shumicën e të ardhurave shqiptarët e harxhojnë për ushqime e produkte bazike. Për ekspertët kjo është shqetësuese dhe apelojnë që të përcaktohet sa më parë minimumi jetik.

45% e buxhetit të familjeve në vend shkon vetëm për përballimin e shpenzimeve për ushqime, pije alkoolike dhe duhan, sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2020. Kjo shifër për ekspertin e ekonomisë Klodian Muço është shqetësuese sepse lidhet me varfërinë, dhe është shumë më e lartë se në BE.

“Mjafton që të marrim këtë tregues dhe ta krahasojmë me vendet e BE, dhe ata e kanë sa 1/3 e Shqipërisë, që do të thotë se në vendet e tjera diskutohet për shpenzime për produkte që rrisin në mënyrë të ndjeshme mirëqenien, ndërsa tek ne pjesa dërrmuese e buxhetit familjar shkon për ushqime”, pohon eksperti i ekonomisë Klodian Muço.

Çmimet e larta të produkteve bazike janë shkaku kryesor, për peshën e madhe që mbartin ushqimet në buxhetin familjar. Ndërsa eksperti sqaron disa nga shkaqet që po sjellin shtrenjtimin e produkteve.

“Faktor tjetër që ka ndikuar që ka çuar në rritjen e çmimeve është rritja e ndjeshme e kostove të transportit, pasi transporti me kontejner është rritur në disa raste 4-fish. Tek produktet bujqësore duhet të marrim një konsideratë që ka një abuzim të ndjeshëm nga tregtarët e shumicës dhe pikat e grumbullimit. Në fakt nuk është se ne i përballojmë këto çmime por jemi të detyruar që ti përballojmë këto rritje”, tha Muço.

Ndikim jo të vogël në rritjen e çmimeve ka edhe kërkesa e lartë për konsum.

“Po ndodh për herë të parë që kemi një mos-balancim ndërmjet kërkesës dhe ofertës. Pas një periudhe relativisht të lartë të stepjes së investimeve dhe konsumatorëve për të konsumuar apo investuar në produkte apo shërbime të caktuara, ka pasur një hov me fillimin e 2021, kjo ka sjell rritje të shpejt të kërkesës dhe mos përballimi nga oferta ka çuar në rritjen e çmimit”, thotë Muço.

Pas ushqimeve, shpenzimet për banesën, energji elektrike, uji apo qiraja në vitin që shkoi morën 16,8 % të totalit të buxhetit familjar. Kjo rritje e kostove jo në përputhje me rritjen e pagave, ka bërë që të rritet numri i qytetarëve që rrezikojnë të bien në varfëri. Sipas INSTAT nga mbi 160 mijë qytetar që deklaruan në 2018 se ishin në kufirin e varfërisë, në 2019 kjo shifër arriti në 170.7 mijë qytetar.

Për të shmangur përkeqësimin e situatës ekspertët thonë se duhet të përcaktohet minimumi jetik.

“Në momentin që përcaktohet minimumi jetik duhet të rriten menjëherë pensionet për të përballuar minimumin jetik, si dhe të rritet vlera e ndihmës sociale që të përballohet minimumi i përcaktuar”, tha ndër të tjera eksperti.