MENU
klinika

"Jam në krye të detyrës"

Sherri për karrigen në Vlorë, drejtori i Ujësjellësit nuk liron zyrë

21.09.2021 - 10:38

Shkëlqim Leskaj nuk liron zyrën e drejtorit të Ujësjellësit të Vlorës. Mëngjesin e së martës përmes një deklarate për mediat, “UKV” deklaron se Shkëlqim Leskaj vijon që të jetë në krye të detyrës. Por si qëndron situata?

Pikënisja është në 6 gusht, datë kur Shkëlqim Leskaj ka firmosur dorëheqjen nga detyra e drejtorit të Ujësjellësit të Vlorës. Por disa ditë më pas, Leskaj është penduar duke kërkuar që ta kthejë mbrapsht, por kryetari i bashkisë së Vlorës nuk e ka pranuar, duke i qëndruar vendimit të parë të drejtorit të UKV-së.

Një burim i tha “ABC”-së se Leskaj, pavarësisht se dha dorëheqjen nuk mund të largohej në gusht pasi mori lejen vjetore dhe për këtë arsye është pritur data e rikthimit për t’i komunikuar procedurën.

Në datë 15 shtator, drejtorit iu kërkua që të lironte zyrën, por Leskaj e ka refuzuar kërkesën duke mos pranuar madje duke e kyçur derën.

Kjo ka bërë që konflikti mes palëve të përfundojë në drejtorinë e policisë së Vlorë, që ditën e djeshme ka thirrur Lelin dhe Leskajn për t’u marrë dëshminë mbi ngjarjen. Por as policia nuk e ka zgjidhur dhe konflikti vazhdon.

Deklarata e plotë e UKV

Drejtuar: Mediave kombëtare dhe lokale, vizive dhe të shkruara.

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime Vlorë, nëprëmjet kësaj deklarate për shtyp, kërkon të sqarojë opinionin publik në lidhje me situatat e pasqyruara nga disa media dhe portale për disa mos marrëveshje të lindura gjatë një mbedhje të organizuar në zyrën e kreut të Shoqërisë,  mes administratorit të Ujësjellës Kanalizime Vlorë, Zotit Shkëlqim Leskaj dhe kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Zotit Dritan Leli.

Ju bëjmë me dije se nuk ka asnjë ndërprerje të veprimatrisë së Shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Vlorë, duke vijuar realizimin normalisht të të gjitha detyrave në shërbim të qytetarëve dhe klientëve tanë, si familjarë ashtu edhe privatë.

Drejtori Shkëlqim Leskaj është në krye të detyrës, duke ushtruar kompetencat e tij, në zbatim  të Ligjit Nr. 9901, datë 14.04.2008 për “Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare”.

Kreu i Shoqërisë, mëngjesin e kësaj të marte, datë 21.09.2021, zhvilloi normalisht mbledhjen e mëngjesit, duke ndarë edhe detyrat përkatëse për të gjithë Sektorët e Ndërmarrjes.

Sqarojmë se:

  1. Zoti Shkëlqim Leskaj vijon të qëndrojë në detyrë, brenda të gjitha tagrave që i atribuohen sipas legjislacionit në fuqi.
  2. Zoti Leskaj, vijon të jetë i rregjistruar pranë QKR, si subjekt i legjitimuar në cilësinë e Administratorit të Shoqërisë.
  3. Nuk ka patur asnjë “grabitje” nga titullari sa i përketë vulave dhe librave të protokollëve sikundër pretendohet, ato qëndrojnë sipas legjislacionit në selinë e Shoqërisë.
  4. Gjatë kësaj periudhe nga ana e Shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Vlorë dhe administratorit të saj, nuk janë nënshkruar kontrata tenderuese për kontatorët matës së ujit (sahatët), klorinimin dhe uniformat e punonjësve.

Gjatë një viti në krye të Ujësjellës Kanalizime Vlorë, Zoti Shkëlqim Leskaj ka drejtuar me përkushtim të plotë në drejtim të shërbimit ndaj qytetarëve, duke qenë maksimalisht i angazhuar dhe i pranishëm kudo në terren, edhe jashtë orarit zyrtar, përfshire edhe orët e vona të natës, për tu dhënë zgjidhje efektive dhe në kohë sa më të shkurtër të gjitha problematikave të shfaqura në rrjetin e ujësjellësit dhe të kanalizimeve.

Të gjitha akuzat e ngritura ditët e fundit në adresë të Zotit Leskaj, janë spekullime, me qëllim dashakeqës për të prishur imazhin e kreut të kësaj Shoqërie dhe për të përbaltur të gjithë aktivitetin dhe energjitë e harxhuara prej tij gjatë gjithë kësaj detyre që po e vazhdon me përkushtim të plotë.

Faleminderit për bashkëpunimin e deritanishëm