MENU
klinika

Analiza

Si u shndërrua në një dështim total lufta kundër terrorizmit

21.09.2021 - 19:28

Nga Ashok Swain, Gulf News

Saktësisht 20 vjet më parë, SHBA shpalli zyrtarisht nisjen e Luftës së saj kundër Terrorizmit. Në fjalimin e tij në Sesionin e Përbashkët të Kongresit më 20 shtator 2001, presidenti amerikan George W.Bush, deklaroi me solemnitet në mesin e duartrokitjeve në sallë:

“Lufta jonë kundër terrorizmit do të nisë me Al Kaedën, por nuk do të përfundojë me të. Ajo nuk do të marrë fund derisa të gjendet, arrestohet dhe mposhtet çdo grup terrorist që ka shtrirje globale”.

Që prej asaj kohe kanë kaluar dy dekada, dhe SHBA ka zhvilluar luftëra të mëdha në Afganistan dhe Irak. Avionët luftarakë dhe dronët e saj fluturojnë mbi qiellin e 7 vendeve, dhe ajo është e angazhuar në operacione kundër terrorizmit në të paktën 85 vende të botës.

Por sikurse e thekson Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare me qendër në Uashington,në këto 2 dekada është rritur jo vetëm numri i grupeve terroriste në mbarë botën, por po ashtu është shtuar me gati 3 herë numri i militantëve që luftojnë në radhët e këtyre organizatave.

Në fakt, pas sulmit të 11 Shtatorit 2001,SHBA nuk ka qenë dëshmitare e ndonjë sulmi të madh terrorist nga një grup terrorist ekstremist. Gjatë 2 dekadave të fundit, më pak se 100 njerëz kanë vdekur në SHBA për shkak të akteve terroriste të motivuara nga feja.

Dhe disa nga këto të fundit, cilësohen si rrjedhojë e Luftës kundër Terrorizmit të filluar nga George W.Bush. Gjithsesi, SHBA ka qenë relativisht e suksesshme në mbrojtjen e vetes jo për shkak të luftërave apo sulmeve me dronë, por edhe për shkak të përmirësimit të sigurisë së brendshme.

Edhe nëse janë penguar të ndërmarrin akte terroriste në shkallë të gjerë në territorin e SHBA-së, këto grupe terroriste kanë shënjestruar rregullisht interesat dhe aleatët e Amerikës, duke kryer sulme vdekjeprurëse nga Londra në Nisë, nga Parisi në Stamboll, dhe nga Brukseli në Bali të Indonezisë.

Lufta kundër Terrorizimi arriti që t’i mposhtë talebanët në luftën e vitit 2001, dhe madje ia doli të vrasë edhe Osama Bin Ladenin në vitin 2011. Megjithatë, ajo nuk i ka dhënë fund terrorizmit trans-nacional, pasi Bush e fokusoi SHBA-në drejt atij objektivi të paarritshëm. Sot militantizmi fetar është bërë më global, më i ndryshëm dhe më i veçantë. Dëbimi i talebanëve nga Kabuli, ishte misioni i parë i Luftës kundër Terrorizmit. Megjithatë, talebanët u rikthyen në pushtet në Afganistan muajin e kaluar nëpërmjet një fitoreje në shkallë të gjerë.

ISIS mund ta ketë humbur territorin e vet në Irak dhe Siri, por nën-grupet e tij po fuqizohen shumë diku tjetër.

Terrorizmi fetar ka përfshirë tashmë Sahelin, Magrebin, madje edhe Mozambikun dhe Kongon. Përhapja gjeografike e këtyre grupeve terroriste është zgjeruar në dy dekadat e fundit, nga një pjesë e vogël e vendeve në Azinë Qendrore dhe Lindjen e Mesme, në disa vende në Azi dhe Afrikë.

Shumë prej tyre janë fuqizuar më tej nga zhvillimet e javëve të fundit në Afganistan. Ndërsa 20 vitet e Luftës kundër Terrorizmit kanë dështuar në mënyrë të mjerueshme që të arrijnë objektivat e saj të deklaruara, kostoja e kësaj lufte është bërë shumë e lartë.

Sipas llogaritjeve të projektit të Kostove të Luftës në Universitetin Braun, kostoja totale e Luftës Globale kundër Terrorizmit, i ka kushtuar SHBA-së shumën marramendëse prej 8 trilionë dollarësh. Të paktën 801.000 njerëz janë vrarë në këtë luftë në Afganistan, Irak, Pakistan dhe Jemen, përfshirë 7.000 ushtarë amerikanë.

Gati 38 milionë njerëz janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre. Shumë prej tyre i kanë kaluar kufijtë e vendit, duke u bërë refugjatë. Mbështetja në rritje tek dronët pa pilotë që nga koha e administratës Obama për të goditur terroristët ka shkaktuar vrarjen e mijërave civilë të pafajshëm, dhe në këtë proces SHBA ka armiqësuar shumë qeveri në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, duke shkaktuar zemërim të mëtejshëm në të gjithë botën.

Imazhi publik i Shteteve të Bashkuara në vendet myslimane, është dëmtuar rëndë gjatë 2 dekadave të fundit. Sikurse e kanë zbuluar rregullisht Anketat e Qëndrimeve të Qendrës Pew Global, SHBA-ja është më pak popullore në Lindjen e Mesme sesa në çdo pjesë tjetër të botës.

Ana e errët e Luftës kundër Terrorizmit, nuk kufizohet vetëm tek humbjet e mëdha njerëzore dhe ekonomike, por edhe në dëmtimin e madh të imazhit publik të Amerikës. Kjo luftë ka krijuar një klimë paragjykimi, dhe ka sjellë rritjen e nivelit të islamofobisë në të gjithë botën.

Ky zhvillim jo vetëm që ua ka bërë më të lehtë ngjitjen në pushtet në shumë vende  populistëve të krahut të djathtë, por ka qenë gjithashtu një kontributor i rëndësishëm në rënien globale të demokracisë përgjatë16 viteve të fundit.

Terrorizmi i së djathtës ekstreme është rritur në mënyrë eksponenciale vitet e fundit, duke shkaktuar masakra të rënda nga Norvegjia në Zelandën e Re. Në SHBA, terrorizmi i së djathtës ekstreme, ka vrarë më shumë njerëz sesa terroristët e motivuar nga besimi i tyre fetar.

Madje ushtria amerikane është seriozisht e shqetësuar, për infiltrimin në rritje të supremacistëve të bardhë të ekstremit të djathtë në radhët e veta. Nuk ka asnjë dyshim:lufta e Shteteve të Bashkuara kundër terrorizmit jo vetëm që ka dështuar, por ajo është bërë edhe kundër-produktive, duke e bërë vendin më të dobët dhe më të pasigurt.

Shtetet e Bashkuara duhet që të vazhdojnë ta udhëheqin luftën globale kundër terrorizmit. Por kjo luftë ka nevojë për një vizion të ri, dhe mbi të gjitha për një plan gjithëpërfshirës. Përvoja e fundit 20 vjeçare ka treguar më së paku se sado e fuqishme që mund të jetë, ushtria amerikane nuk mund ta fitojë dot Luftën kundër Terrorizmit. Ka ardhur koha që SHBA të reflektojë thellë dhe të bashkojë forcat me pjesën tjetër të botës, për të planifikuar një strategji të re përfshirëse globale në luftë kundër këtij fenomeni.