MENU
klinika

Zbulimi i Sigurimit...

”Teodor Laço ka korrespondencë me hallat në SHBA”

28.09.2021 - 12:36

          Pjesa e dytë
Publikohen disa dokumente të panjohura arkivore me siglën “Tepër sekret” të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), dhe ai i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku ndodhet një dosje voluminoze me një korrespodencë me letra, raporte, informacione, relacione, shënime, udhëzime etj., të cilat i përkasin fundit të vitit 1974 dhe fillimit të vitit 1975, e cila hapet me një letër të shkrimtarit Hamza K., drejtuar ministrit të Punëve të Brendshme të asaj kohe, Kadri Hazbiu, ku ai denoncon disa prej kolegëve të tij, emra nga më të njohurit e letërsisë shqipe, si: Sabri Godo, Teodor Laço, Sotir Andoni, Dhori Qirjazi, Faslli Haliti, Roland Gjoza, Koçi Petriti, Frederik Rreshpja, Milianov Kallupi, Flora Mullaymeri, Klito Fundo, Koço Ristani, Niko Dako, Petraq Zoto, etj. Letra e plotë e shkrimtarit ushtarak, Hamza K., nga qyteti i Korçës, për ministrin Hazbiu, ku ai përveçse ka marrë në analizë disa prej veprave dhe librave që u ishin botuar shtatë kolegëve të tij deri në atë kohë, nga ana e Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” në Tiranë, si dhe heshtjen e organeve letrare “Drita” dhe Nëntori” të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, ai ka ngritur edhe mjaft probleme të tjera, siç ishin karriera dhe anët biografike të tyre, madje duke u marrë gjatë dhe deri me detaje të hollësishme rreth tyre, gjë e cila në atë kohë alarmoi udhëheqjen e lartë të PPSH-së në Tiranë, Sigurimin e Shtetit dhe të gjitha strukturat e tjera përkatëse që kishin nën varësi problemet që ishin ngritur në atë letër, etj.

Nga: Dashnor Kaloçi

‘Furtuna’ e madhe që u ngrit ndaj shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë dhe gjithë punonjësve të tjerë të artit e kulturës, pas fjalës së Enver Hoxhës e mbajtur fillimisht në mbledhjen e aparatit të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë më datën 9 janar të vitit 1973, (vetëm pak ditë pas përfundimit të Festivalit të 11-të Kombëtar të Këngës në Radio-Televizion) dhe më pas në mbledhjen e zgjeruar të komunistëve të organizatës bazë të partisë së aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së që u mbajt në datat 15 dhe 16 mars të atij viti, duke se do të vazhdonte gjatë. Veç të tjerash, kjo gjë duket qartë edhe nga dokumentet, të cilat janë nxjerrë nga një dosje voluminoze me me siglën “Tepër sekret”, ku ndodhet një korrespodencë e gjatë me letra, informacione, relacione, raporte, udhëzime, shënime etj., që i përkasin muajit nëntor të vitit 1974 dhe vazhdojnë gjatë, deri në fundin e vitit 1975.

Një prej atyre shkrimtarëve që Hamza K., ka denoncuar dhe është marrë gjatë me anën biografike të tij, ka qenë edhe shkrimtari Teodor Laço, të cilin ai e njihte shumë mirë, pasi e kishte edhe bashkëqytetar të tij nga Korça. Ndonëse Teodor Laço, arriti shumë në karrierën e tij të gjatë si shkrimtar, skenarist, dramaturg, e prozator para viteve ’90-të, dhe drejtor i Kinostudios “Shqipëria e Re”, deputet, ambasador, diplomat dhe ministër, etj., pas viteve ’90-të, po t’u referohemi dokumenteve që po publikojmë, duket se koha nuk i ka ofruar, aq shumë qetësi.

Madje atij iu desh që të përballej edhe me mjaft të papritura që fare mirë mund t’ia ndryshonin rrjedhën e jetës. Dhe jo vetëm atij, por edhe familjes e të afërmve të tij. Ndërsa ishte larguar nga vendlindja e tij, Korça, dhe kishte ardhur në Tiranë, duke punuar plot pasion e dëshirë, pranë Lidhjes së Shkrimtarëve, papritur, nga fundi i vitit 1974, një letra e shkruar nga një “koleg shkrimtar” në adresë të ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu, me akuza tepër të rënda, bëri që Teodori të transferohej nga Tirana dhe të dërgohej në rrethin e Fierit, ku punoi për dhjetë vite.

Nuk mbaroi me kaq, pasi siç do të shohim edhe nga dokumentet në fjalë, letra që “kolegu shkrimtar” shkroi për Teodorin, alarmoi udhëheqjen e lartë të PPSH-së, e cila vuri në lëvizje të gjitha strukturat e saj, deri edhe Sigurimin e Shtetit, për të zbuluar e goditur jo vetëm Teodor Laçon, por edhe disa shkrimtarë të tjerë si Sabri Godo, Sotir Andoni, Faslli Haliti, Roland Gjoza, Moikom Zeqo, Koçi Petriti, Flora Mullaymeri etj., që përmendeshin dhe akuzoheshin në atë letër. Dhe nuk vonoi shumë që të merreshin masat ndaj tyre, ku si fillim i’u hoqën nga qarkullimi edhe disa prej librave që Teodor Laço dhe kolegët e tij kishin botuar deri në atë kohë…!

Vijon nga numri i kaluar

Raporti i Drejtorisë së Botimeve dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së, pas letrës së Hamza K.

MENDIME MBI DISA LIBRA

”Pranvera e madhe”, i Sotir Andonit. Është një libër për fëmijë me gabime ideore. Këtu ndihet pikërisht ajo influencë e letërsisë revizioniste lidhur me qëndrimin ndaj armikut (gjerman), krijohen situata jorealiste, që nuk i shërbejnë edukimit të fëmijëve. Jemi të mendimit që të hiqet nga qarkullimi.
“I vogli e mund të madhin”, i Sotir Andonit. Është një novelë me mjaft shqetësime ideore. Në disa raste nuk konceptohet drejt Lufta Nacionalçlirimtare. Ka nuanca që nxjerrin në pah frikën e Luftës. Shtrembërohet qëndrimi i fshatarësisë ndaj luftës, lidhja e fshatarësisë ndaj partizanëve etj. Pra vepra nuk i edukon mirë të vegjlit. Mendojmë të hiqet nga qarkullimi.
“Shënime të shkruara natën”, i Sotir Andonit. Edhe ky roman ka të meta dhe gabime të karakterit ideor, sidomos në trajtimin e figurës së komisarit e komandantit. Vetë çeta partizane na jepet e izoluar, nuk janë të qarta qëllimet dhe lidhjet e saj, ndonëse bën mjaft aksione. Pra, pasqyrimi i Luftës Nacionalçlirimtare nuk i përgjigjet realitetit. Mendojmë të hiqet nga qarkullimi.
“Ajri i ftohtë i mesnatës”, i Teodor Laços. Libri ka disa gabime që konsistojnë në mosvënien e theksit sa duhet tek anët pozitive të realitetit, por merret më shumë me ato negative. Duhet vënë në dukje se ndaj anëve negative ai mban qëndrim, i stigmatizon. Prandaj mendojmë që vepra të mbetet në qarkullim.
“Mozaik” nga Roland Gjoza. Ka disa momente që nuk tingëllojnë mirë dhe përbëjnë gabime apo lënë shteg për keqkuptim. Por dobësitë më të mëdha të këtij vëllimi janë koncepte të karakterit artistik, prandaj mendojmë që të mos hiqet nga qarkullimi. Kuptohet se të gjitha këto vepra po të ishin paraqitur tani për botim, do t’u ktheheshin autorëve për ripunime, ose si të pabotuara.
“Tre vetë në një barkë”. Kjo është një vepër e lehtë e një autori anglez, Xherom Xherom, me skena humoristike e aventura që nuk trajtojnë probleme shoqërore. Ai e ndërton humorin më shumë ndaj tipave dhe jo për probleme. Por me që nuk ka edhe ndonjë gabim të rëndë, mendojmë të mbetet në qarkullim.
“Qeni i verdhë”, i Simonovit. Kjo është një vepër që nuk duhej botuar, sepse i mungon fare sensi klasor. Komisari Megre, që në fakt është përfaqësues i borgjezisë, paraqitet si njeri i mirë dhe bamirës. Është një vepër me aventura, me një gjuhë të tipit të romaneve policore. Mendojmë që edhe kjo vepër të hiqet nga qarkullimi, meqë nuk ka vlera edukuese për lexuesit tanë. Veprat që përmendëm, sot nuk ndodhen në libraritë, por vetëm në biblioteka, prandaj do vihen në fondet e rezervuara. Shënojmë se menjëherë pas përfundimit të studimit që po i bëjmë literaturës politiko-shoqërore që nga Çlirimi e deri më sot, do të merremi me literaturën artistike, për të konkluduar për veprat që do të hiqen nga qarkullimi ose do korrigjohen.
18. XII. 1975 DREJTORI

Afka Gambeta

Informacioni i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me shkrimtarët që përmendeshin në letrën e shkrimtarit Hamza K., drejtuar ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu

SEKRET

Ekzemplar, Nr.1

Tiranë më 5. 12. 1974.

I n f o r m a c i o n
Lidhur me problemet që ngrihen në letrën e Hamza K.,, nga verifikimi që i bëmë rezulton se çështjet e ngritura prej tij në përgjithësi qëndrojnë dhe megjithëse janë të njohura nga ana e institucioneve të artit e të kulturës, kemi mendimin se përsëri meritojnë e duhen parë.

Së pari: lidhur me disa persona që përmenden në letër, që janë me biografi jo të mire, e janë anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve, rezulton:

Sotir Andoni, është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, i dënuar për tentativë arratisjeje, ka qenë në lidhje të ngushtë me Todi Lubonjën, me përkrahjen e të cilit doli në krijimtari të lirë. Pas Plenumit të IV, u dërgua në fshat për riedukim.

Teodor Laço, nga Korça, kunat i Sotir Andonit, anëtar i kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve. Ka pasur babanë në Amerikë, aktualisht ka hallat. Nga korrespondenca me to, del se merr vazhdimisht dollarë dhe u kërkon edhe rroba, përfshi këto edhe të vjetra po të jenë. Ka qenë përkrahës i veprave të Fadil Paçramit, nëpërmjet shkrimeve të tij në organet letrare i ka ngritur lart ato. Është sjellë në Tiranë me rekomandim të Todi Lubonjës.

Gjatë vitit 1974 ka botuar novelën “Ditë dhe natë që mund të vijnë”, e cila ka nuanca të teorisë armiqësore të “rrëshqitjes” është lidhje e Vaskë Gjinos.

Koçi Petriti, arsimtar në Librazhd, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, është me prejardhje të keqe politike.

Flora Mollaymeri, me prejardhje jo të mirë politike, njihet si femër me prirje moderniste. Me rekomandimin e Todi Lubonjës ka mbaruar shkollën, e u kërkua nga gazeta “Drita”. Pas Plenumit të IV u kritikua dhe u dërgua në Korçë. Aktualisht është arsimtare në këtë rreth.

Roland Gjoza, student në Gjuhë-Letërsi. Është këshilluar nga organet tona, mbasi implikohej me një grup të rinjsh për veprimtari armiqësore, i kritikuar për krijimet e tij para Plenumit të IV.

Faslli Haliti, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, autor i poemës “Dielli e Rrëket”, e cila u kritikua rëndë lidhur me përmbajtjen e saj shumë të dobët nga ana ideologjike, gjë për të cilën Faslliu u çua në prodhim për riedukim.

Së dyti: për sa i përket botimit të disa veprave të huaja ose tonat, këto i takojnë periudhës para Plenumit të IV të K.Q., dhe disa nga këto janë të disa viteve edhe më parë, siç bëhet fjalë p. sh., për veprën e Sabri Godos, “Fushata”, e vitit 1963, e cila nuk është lejuar për të qarkulluar.

Lidhur me sa më sipër kemi mendimin se: Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, mbase ka vend për ta shikuar përbërjen klasore të disa anëtarëve të saj mbasi, përveç personave të mësipërm, ka edhe elementë të tjerë me përmbajtje të keqe politike, me pjesëtarë familjeje të dënuar për krime të rënda kundër shtetit, ose të arratisur jashtë, siç janë: Robert Petro Ndrenika (aktor i teatrit) Dhori Qiriazi, Ymer Rustem Skënderi, Sadik Osman Kaceli, Ramadan Sokoli, etj.

Në këtë drejtim po të shikohet e arsyeshme lidhur me ruajtjen e pastërtisë së Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve mund të ndihmonim edhe ne si organ dhe mbase vetë kryesia duhet të shikojë në të ardhmen më me rigorozitet pranimin në lidhje të anëtarëve të saj. Për veprat me dobësi ideore si rregull nuk bëhet një analizë e thellë dhe e gjithanshme me autorët e tyre, por mjaftohen vetëm me qëndrimin që mbajnë kritikët nëpërmjet shkrimeve në gazetën “Drita” e “Nëntori”.

Ndoshta do të ishte më e drejtë një analizë nga kolektivi i lidhjes sipas gjinive përkatëse me krijuesit, duke u ndalur më hollësisht në të metat e dobësitë e veprave të tyre. Komitetet e Partisë për disa nga këto krijues mbajnë një qëndrim më të avancuar (siç janë rastet ndaj Faslli Halitit në Lushnjë, Frederik Kreshnjës në Shkodër, Sotir Andonit në Korçë, të cilët janë çuar për riedukim në prodhim), ndërsa kryesia e Lidhjes pa rakorduar me rrethet i vlerëson dhe i aktivizon si anëtarë të Lidhjes.

Kryetari i Degës VIII

(M. B.)

Informacion për letrën e shokut Hamza K.

Në letrën që i drejtohet shokut Kadri Hazbiu nga Hamza K., ngrihen një sërë problemesh për mjaft autorë dhe vepra letrare.

Sa morëm letrën, ne thirrëm shokë të Ministrisë e të Lidhjes e i porositëm të shqyrtonin disa probleme që u takonin atyre (si analiza e veprave letrare) dhe ndoqëm disa probleme të tjera.

Për të konkluduar për këto çështje ishte një punë e ndërlikuar dhe e gjatë, prandaj informimin po e bëjmë tani që përgjithësisht problemeve që ngrihen deri diku u është dhënë zgjidhje.

Së pari: bëhet vërejtje për një sërë autorësh, të cilët nuk kanë përbërje klasore të mirë, dhe u është dhënë e drejta e botimit. Përmenden: Koçi Petriti, Dhori Qiriazi, Sotir Andoni, Klito Fundo, Koço Ristani, Flora Mollaymeri, Teodor Laço, Gjergj Zheji, Roland Gjoza, Faslli Haliti, Niko Dako etj.

Duke u nisur edhe nga të dhënat e tjera, u porosit Lidhja, që Teodor Laço të largohej nga aparati i Lidhjes. Ai tani është transferuar në Fier. Për novelën e gabuar “Ditë dhe net që mund të vijnë”, u bë diskutim në kolektivin e Lidhjes dhe u botua një shkrim në gazetën “Drita”, ku ai u kritikua ashpër.

Ai bëri autokritikë. Krijimtaria e tij pas Plenumit IV, veç kësaj novele, ka qenë e mirë. Në bazë të të dhënave që kemi pasur deri tani për Dhori Qiriazin dhe Sotir Andonin nga Komiteti i Partisë i Korçës, është folur për gabimet e tij. Por deri tani nuk është bërë ndonjë veprim për qenien e tyre si anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.

Për Dhorin, me kërkesën tone, ditët e fundit nga Komiteti i Partisë së Kolonjës, na ka ardhur një shkresë në të cilën midis të tjerave thuhet se: në diskutimet që janë bërë pas Plenumeve të fundit në rreth janë shfaqur mendime që të mos jetë anëtar. Por propozim konkret Lidhjes së Shkrimtarëve ose K. Q. të PPSH-së nuk i është bërë nga komitete të Partisë për asnjërin.

Frederik Reshpja, për të cilin bëhet fjalë në letër është goditur. Sipas rregullave të caktuara për të gjithë autorët, me përjashtim të atyre që njihen mirë para se t’u publikohet vepra, merret pëlqimi i rrethit.

Kështu është vepruar dhe për disa autorë që përmenden në letër, si Klito Fundo, Roland Gjoza, Niko Dako etj. Ata nuk janë anëtarë të Lidhjes dhe me përjashtimin të R. Gjozës, nuk janë as të rrezikshëm, prandaj ne nuk e kemi ndjekur në mënyrë të veçantë.

Gjoza, sivjet mbaroi Universitetin. Ai është këshilluar nga organet e Punëve të Brendshme se implikohej me disa të rinj me përmbajtje armiqësore, është kritikuar dhe për ndonjë krijim, por nga sa dimë ne, nuk është i deklasuar. Çështjen e tij po e shikojmë se s’kemi mundur ta sqarojmë deri në fund.
Për Flora Mollaymerin, kemi biseduar me Komitetin e Partisë të Korçës, ta shikojë e të njoftojë ç’qëndrim duhet mbajtur ndaj saj. Ajo është mësuese dhe kandidate e Lidhjes.

Autori i letrës bën vërejtje edhe për disa shkrimtarë të tjerë, si: Gjergj Zheji, Koçi Petriti, Koço Ristani. Me sa jemi në dijeni, ata kanë ndonjë të metë, por në tërësi është quajtur e arsyeshme që ata të krijojnë e publikojnë.

 

Megjithatë, nga sektori i kuadrit të aparatit të K. Q. të Partisë, rretheve u janë kërkuar të dhëna për tërë shkrimtarët e artistët e rretheve, anëtarët e Lidhjes, me qëllim që të shikohet më mirë përbërja klasore dhe qëndrimi i tyre. Ne bashkë me shokët e kuadrit jemi duke i shikuar të dhënat që kemi në tërësi për tërë anëtarët dhe do të nxjerrim problemet që dalin.

Në Tiranë, gjatë diskutimeve që u bënë për luftën kundër burokratizimit, u pa edhe një herë përbërja klasore e disa kuadrove dhe janë marrë masa që gradualisht e sipas rastit të lëvizin nga institucionet qendrore artistike, por për qenien ose jo anëtarë të Lidhjes, nuk është ngritur ndonjë problem.

Në informacionin e MPB-së, përmenden autorë si: Robert Ndrenika, Sadik Kaceli, Ramadan Sokoli, Imer Skënderi dhe Faslli Haliti.

Të tillë mund të ketë edhe të tjerë, të cilët po i shikojmë konkretisht. Për disa nga këta kemi shkëmbyer mendime dhe me komitetet e Partisë së rretheve, të cilat janë duke i shikuar. Pasi të bëjnë propozime, komitetet e Partisë do të marrin masa për qenien e tyre në Lidhje.

Faslli Haliti, është çuar në fshat për riedukim dhe nuk ka botuar gjë në shtyp, por atij nuk i është hequr e drejta e botimit përgjithmonë. Në rrethin e vet deri tani i është ekspozuar vetëm ndonjë vepër në pikturë.

Imer Skënderi, është parashikuar të largohej nga Instituti i Arteve, por ai vdiq para ca kohësh.

Së dyti, për veprat që kritikohen pasi u shqyrtuan nga ana e Ministrisë, ndonëse me shumë zvarritje, kohët e fundit u konkludua që:

A – “Pranvera e madhe”, “I vogli e mund të madhin”, “Shënime të shkruara natën”, vepra të Sotir Andonit, si dhe “Qeni i verdhë”, letërsi e huaj, të hiqen nga qarkullimi. Ato do të ngelen në bibliotekë në vende të rezervuara.

B – Veprat e F. Reshpes, janë hequr nga qarkullimi.

Po ashtu janë hequr nga qarkullimi që më parë libri i Sabri Godos “Zëra nga burime të nxehta” dhe libri i përkthyer “Tre veta në barkë”.

Libri i Teodor Laços, “Ajri i ftohtë”, ka edhe ndonjë tregim me kufizime dhe merret shumë me aspekte negative, por ndaj tyre autori mban qëndrim, prandaj si nga Ministria e Lidhja mendohet që të mos hiqet nga qarkullimi, por të bëhen kritika më të forta në shtyp.

Për librin e R. Gjozës, “Mozaik”, të botuar disa vite më parë, mendohet që tani për tani të mos hiqet nga qarkullimi deri sa të sqarohet në tërësi çështja e tij, ndonëse në vëllim ka disa momente që përbëjnë gabime ose lënë shteg për keqkuptime.

Theksojmë se Ministria menjëherë pas studimit që po i bën literaturës politiko-shoqërore që nga çlirimi e deri më sot, do të shqyrtojë dhe literaturën artistike për të konkluduar mbi veprat që do të hiqen nga qarkullimi. Ne i kemi sugjeruar të shikojnë me precedencë dhe disa vepra të tjera, për të cilat në letër bëhen vërejtje. (Vdekje në anije, poezi nga Kosova etj). Për veprat e pabotuara me dobësi ideore, diskutohet në redaksi, konkluzionet i janë paraqitur dhe aparatit të K.Q.

Ne kemi porositur disa rrethe të diskutojnë për krijimet e dobëta me autorët. Në fakt, në këtë drejtim punën duhet ta ndjekim më mirë dhe ne. Nga letra dalin shumë probleme, por shihet se autori i saj, shoku Hamza K., herë-herë, me vërejtje që bën, kalon në ekstremitet, gjë për të cilën i’u bënë vërejtje dhe në diskutimin që bëri në seminarin kombëtar për problemet e punës kulturore në Ushtri, në Durrës. /Memorie.al/

27. XI. 1975.

(Jakup Mato)