MENU
klinika

Deklarimi i pasurisë

Vettingu shkarkon prokurorin Arben Dyla, stafi e “dekoron”

21.09.2021 - 10:55

Prokurori i Lushnjes, Arben Dyla është shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimi për shkak të pasurisë më 9 shtator të këtij viti.

Arben Dyla rezulton se ka dhënë 50 mijë euro me 2% fajde një biznesmeni me kushtin që në fund të vitit 2021 t’i rikthehej shuma prej 110 mijë euro.

Edhe pse Vettingu e shkarkoi, stafi i tij e ka dekoruar duke i bashkangjitur edhe një shkrim ku e konsiderojnë “shef të denjë”.

“Urojmë që rrugëtimi ynë së bashku të ketë lënë mbresa dhe përçuar vlera që të shndërrohen motiv dhe forcë për të ecur përpara. Urime! Nga një kolektiv i mirë për një shef të denjë”, kanë shkruar në dhuratë stafi i tij.

Dhënia me përqindje e parave nga Dyla ndodhi mes palëve në vitin 2016, sipas gjetjeve te KPK, teksa komisionerët e Vettingut kujtuan se shuma prej 50 mijë euro ishte deklaruar si kursimet ‘cash’ të prokurorit Dyla, prej kohës kur ai hyri në sistem në vitin 2001.

Për këto rrethana që hedhin dyshime mbi dhënien me fajde të parave që është e ndaluar me ligj, prokurori pretendon se ishte lënë si garanci nga biznesmeni një apartament në të cilin Dyla jetonte së bashku me familjen.

Subjekti ka blerë apartamentin në fjalë në shumën e 110 mijë eurove, teksa kishte deklaruar si të ardhura të tija dhe të bashkëshortes shumën prej 50 mijë eurosh që i mbante ‘cash’ në shtëpi thanë komisionerët e Vettingut.

Prokurori Dyla kundërshtoi duke këmbëngulur se nuk kishte logjikë që të blinte apartament pa kontratë dhe kërkoi riçelje të hetimit administrativ. Ndërkohë që KPK theksoi se prokurori ishte pronar i një automjeti dhe se u gjet me balancë totale negative prej 14.4 milionë lekë.