MENU
klinika

Pallate pa administratorë

Vlora ashensorë pa kolaudim dhe të rrezikshëm!

13.09.2021 - 18:43

Ky është blloku i pallateve “Aleksandria” afër Skelës në Vlorës, ku me mijëra banorë ngjiten çdo ditë në këtë ashensor të rrënuar….

Prej vitesh mungon administrimi dhe jeta e banorëve është në rrezik, për shkak se ashensorët nuk janë të koaliduar

“Po këtu tek pallati jonë s’ka administrator dhe është një rrëmujë që nuk e imagjinon dot. Ka qenë në 2007 që është bërë pallati dhe asgjë nuk është bërë. Frikë kemi me ashensorët, asnjë siguri nuk ka”, thanë banorët.

Report TV shkoi dhe në kompleksin “Riviera”, ku është e njëjta problematikë me mirëmbajtjen e ashensorëve.

Drejtuesi i shërbimit zjarrfikës në Vlorë, Kastriot Begaj tha se mbërrijnë më se 40 telefonata në vit nga banorë të cilët mbeten të bllokuar në ashensorë.

“Për ndërhyrje në ashensor kemi pasur disa raste, kryesisht nga mosha e tretë fëmijë dhe gra që kanë mbetur të bllokuar në ashensor. Shkon deri në 40 raste në vit. Shkak është mungesa e energjisë dhe problemet teknike”, tha ai.

Bashkia e Vlorës ka qëndruar pasive për vite të tëra, edhe pse ekziston një ligj për administrimin e pallateve. Drejtori e zyrës së urbanistikës, Jurgen Çollaku, shprehet se tani ka nisur implementimi i një projekti pilot për përzgjedhjen e administratorëve.

“Jemi në fazën e një projekti pilot për seleksionimit të një administrator të një pallati për të vazhduar me pallatet e tjera. Bashkëpronarët e pallateve duhet të bëjnë një kërkesë drejtuar bashkisë për zgjedhjen e administratorit dhe në bazë të kritereve që ne i kemi kërkuar edhe ministrisë bëjmë seleksionim për të zgjedhur personin e duhur”, thotë Çollaku.

Ndërsa sa i përket certifikimit dhe kontrollit të ashensorëve, zyrtari i bashkisë thotë se është përgjegjësi e IMSHT-së.

“Firma private që vendos ashensorët me një relacion të veçantë i drejtohet ISHMT ku merr një certifikatë dhe nëse zbaton të gjitha kriteret automatikisht me këtë raport futet për kolaudim në Bashkinë e Vlorës, por përgjegjësia për ashensorët i takon ISHMT-së”, u shpreh ai.

Mirëmbajtja e pallateve dhe mungesa e kontrolli teknik të ashensorëve është kambanë alarmi në Vlorë.