“Variety” ka botuar, me 14 prill 1993, në faqen n°75, intervistën nga Deborah Young, me aktorin e famshëm shqiptar, Bekim Fehmiun, që Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e sjell për publikun shqiptar:
Humbur dhe gjetur
Emri: Bekim Fehmiu
Përshkrimi: Ylli më i madh i filmit në Jugosllavi
Parë për herë të fundit: Ballafaqimi me luftën
I vetmi superstar i vërtetë i prodhuar ndonjëherë nga Jugosllavia, aktori i filmit dhe teatrit Bekim Fehmiu është i njohur më së shumti për karrierën e tij unike në Hollywood si playboy amerikano-jugor në “Aventurierët” e Paramountit më 1970.
Ai dukej gati për një “crossover” në Hollivud, pasi ishte bërë yll ndërkombëtar, në “Unë takova disa ciganë të lumtur, madje”. Kjo pjesë i erdhi në momentin e fundit, kur një aktor rus, cigan i vërtetë, u hoq (largua) disa ditë para xhirimeve.
Ndërsa dy dekada më parë, Fehmiu vizitoi botën si një superstar i ardhshëm, ai tani përpiqet të mbijetojë në një Beograd të shkatërruar nga lufta, një shqiptar i izoluar dhe i rrethuar nga lufta.
Kur “Ciganët” morën Çmimin e Madh në Kanë, si dhe morën një audiencë amerikane në galeritë e artit më 1968, Fehmiu papritmas kërkohej.
Gruaja e Dino De Laurentis, Silvana Mangano, donte që ai të luante me të në “Edipi mbret”, por një angazhim i mëparshëm e rrëzoi atë projekt. Ndërkohë, gruaja dhe djali i Lewis Gilbertit, panë “Ciganët” dhe regjisori i dha atij rolin e vrasësit të zonjave Dax Xenos, në “Aventurierët”.
Fatkeqësisht, kur gjithçka u tha dhe u bë, Fehmiu kaloi nga “Cigani i lumtur” në një kampist fatkeq. Filmi prej 15 milion dollarësh – një nga më të shtrenjtë të realizuar ndonjëherë në atë kohë – dështoi dhe Fehmiu, mori përsipër një pjesë të madhe të fajit.
Ai i humbi shpresat, për në Hollivud.
“Gabimi i madh i Gilbertit, ishte të qenit shumë besnik ndaj romanit ‘Harold Robbins”, – thotë Fehmiu, duke u kthyer në kohë. “Ai e realizoi sikur të ishte duke përshtatur ‘Lufta dhe Paqja’”.
…57-vjeçar, Fehmiu tani jeton në kryeqytetin serb, Beograd. Edhe pse luajti regullisht role dytësore në bashkëprodhime të huaja dhe ishte ylli më i madh i Jugosllavisë në vitet 1960 dhe 1970, një aksident i rëndë automobilistik e pengoi të interpretonte, nga viti 1978 deri në 1981. Edhe pse, herë pas here ka xhiruar filma ose seriale televizive jashtë vendit, mendja i rri vetëm në luftën që e ka copëtuar vendin e tij.
“Nuk jam i interesuar të aktroj, për momentin”, – tha Fehmiu, për ”Variety”.
“Jam shumë i shqetësuar, për të gjithë situatën këtu”.
Ai, aktualisht mbështet shkollimin e katër të afërmve të tij, pasi lufta shkaktoi mbylljen e disa shkollave.
“Duhet të bësh pjesën tënde, në çdo mënyrë që mundesh”.
Fehmiu pranon se, jeta nuk është e lehtë për të, si shqiptar, në Serbi. Ai jeton me gruan dhe dy djem, njëri prej të cilëve, Uliksi, një aktor i ri në rritje. Por, pavarësisht luftës dhe persekutimit të grupeve etnike, Fehmiu thotë se nuk do të largohet nga Beogradi.
“Arratisja është gabimi më i madh. Ka serbë shumë progresistë, por shumica e intelektualëve janë larguar nga vendi. Unë do të qëndroj dhe do të vdes këtu, nëse është e nevojshme”. – Deborah Young/darsiani