MENU
klinika

Zv.kryeministri: Ja urdhri që dha Rama para se të nisej në SHBA

“Porosia më specifike e kryeministrit, detajimi me data i reformave”

23.09.2021 - 20:17

Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka dhënë intervistën e parë si numri dy i qeverisë “Rama 3”.

I ftuar në emisionin “Frontline” të gazetares Marsela Karapanço, zv.kryeministri Ahmetaj foli për detyrën e re, duke thënë se kishte disa indikacione, por që kryeministri Edi Rama nuk e shpall asnjëherë kabinetin informalisht, para se ta shpallë publikisht.

Më tej, Ahmetaj zbuloi dhe urdhrin që i ka dhënë kryeministri Edi Rama para se të nisej për vizitë në SHBA.

Pjesë nga intervista:

E prisnit këtë vlerësim nga Rama?

Ahmetaj: E vlerësoj besimin që më ka dhënë kryeministri. Kam të njëjtin betim që kam bërë dikur, që do të harxhoj çdo minutë për të bërë detyrën dhe për të mos zhgënjyer qytetarët apo kryeministrin tim.

E dinit ju më parë se do merrnit këtë detyrë?

Kot pyesni se kryeministri nuk e shpall informalisht kabinetin, para se ta shpallë publikisht, por sigurisht indikacionet ishin. Nuk mund t’i thuash jo kësaj detyre, aq më tepër kur je pjesë e kësaj mazhorance.

Për çfarë ju ka këshilluar kryeministri për detyrën e re?

Unë me kryeministrin kam takime të përditshme. Kryeministri informohet në mënyrë të përditshme nga unë apo anëtarë të tjerë të kabinetit dhe jep porosi të përditshme për një gamë të gjerë çështjesh, që kanë të bëjnë me ekonominë dhe çështje të tjera, por edhe porosi të veçanta. Një nga më specifiket e fundit ishte detajimi me data, me efekte, i reformave, që do duhet të ndërmarrim gjatë këtij katërvjeçari.

Ditën që u nis për në SHBA, një nga porositë, urdhër nëse doni, është që në momentin që ai është në Tiranë të dielën, unë do të kem një takim me të për t’i prezantuar gjithë punën e ministrave në raport me reformat dhe aksionet, në një draft. Kryeministri, siç e ka zakon, i kalon një më një, në prezencë të disa kolegëve, apo vetëm për vetëm. Janë porosi pune të qeverisë, por edhe të partisë.