MENU
klinika

Nga Presidenti rus te Tony Blaier

35 udhëheqësit botërorë që fshehën pasurinë

05.10.2021 - 10:23

Në rrjedhjen e miliona dokumenteve financiare të njohura me emrin “Dokumentet Pandora” që u publikuan të dielën, pretendohet lidhja mes udhëheqësve botërorë dhe pasurive të tyre të fshehura përmes kompanive në parajsa fiskale, duke përfshirë Mbretin Abdullah të Jordanisë, Kryeministrin çek Andrej Babis dhe bashkëpunëtorët e Presidentit rus, Vladimir Putin.

Hulumtimi i gati 12 milionë dokumenteve nga 14 burime, shkruan “Zëri i Amerikës” është udhëhequr nga Koncorciumi i Gazetarëve Hulumtues me bazë në Uashington, një projekt ku u angazhuan 650 gazetarë. “Dokumentet Pandora” pretendojnë lidhje të 35 udhëheqësve aktualë dhe të mëparshëm botërorë, me kompani sekrete për të fshehur pasuritë e tyre, përfshirë Presidentin rus Vladimir Putin, Mbretin e Jordanisë, Kryeministrin çek e ish-Kryeministrin britanik, Tony Blair.

Sipas të dhënave të publikuara, mes politikanëve në gjithë botën, i përfshirë është edhe një politikan shqiptar. Grupi i gazetarëve thotë se dosja e re, rrjedhja më e madhe e të dhënave në histori, vjen pesë vite nga rrjedhja e njohur si ”Dokumentet e Panamasë”, ku ishin publikuar të dhëna se si të pasurit kishin fshehur paratë nga agjencitë për zbatimin e ligjit.

Dokumentet tregojnë se si udhëheqësit botërorë në të pesë kontinentet fshehin pasuri, zakonisht në vende tjera të njohura si parajsa fiskale. Hetimi ekspozon më shumë se dyfishin e llogarive të fshehta në vende të huaja, krahasuar me ”Dokumentet e Panamasë”. Në dosjet e reja pretendohet se Mbreti Abdullah i Jordanisë, një aleat i ngushtë i Shteteve të Bashkuara, përmes një llogarie në një vend të huaj, shpenzoi më shumë se 100 milionë dollarë për blerjen e shtëpive luksoze në Kaliforni, Uashington dhe vende të tjera. Zyra e Mbretit Abdullah tha të hënën se pronat e mbretit në ShBA dhe Britani nuk janë diçka “e pazakontë dhe as e papërshtatshme”.

“Këto prona nuk janë bërë të ditura për shkaqe sigurie dhe privatësie, jo nga përpjekja për t’i fshehur ato, siç njoftojnë këto raporte”, tha të hënën Pallati Mbretëror. Ata shtuan se fondet personale të mbretit nuk janë para të shtetit dhe se nuk janë përdorur fonde publike për shpenzimet e pronave. Gazeta “Washington Post”, një nga mediat që ndihmoi në kryerjen e hetimit, thotë se dosjet përfshijnë e-mail-e private, kontrata klandestine dhe të dhëna tjera, që zbulojnë skema financiare dhe se kush është pas tyre.

“Washington Post” përmend rastin e Svetlana Krivonogih-it, një grua ruse për të cilën dokumentet thonë se ka marrëdhënie të fshehtë me Presidentin rus, Vladimir Putin. Gazeta thotë se vetëm disa javë pasi lindi një vajzë më 2003, ajo u bë pronare e një apartamenti në Monako përmes një kompanie të huaj. Kremlini nuk pranoi të komentojë.

Dokumentet gjithashtu pretendojnë se Kryeministri i Republikës Çeke, Andrej Babis, përdori një llogarie në një vend të huaj për blerjen e dy vilave në jug të Francës, për më shumë se 16 milionë dollarë. Babis mohoi të ketë kryer ndonjë parregullsi, gjatë një debati televiziv. Lajmi vjen pak ditë para se çekët të votojnë për zgjedhjet parlamentare. Dokumentet tregojnë se edhe Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe partnerët e tij në një kompani filmike, kishin në pronësi një rrjet kompanish në parajsa fiskale.

Sipas rrjetit BBC, Tony Blair dhe gruaja e tij, Cherie, kursyen 421 mijë dollarë nga taksat kur blenë një zyrë në Londër nga një kompani në parajsa fiskale, që kishte nën pronësi ndërtesën. BBC po ashtu raportoi se Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, familja e tij dhe bashkëpunëtorët e ngushtë kanë blerë fshehurazi prona në vlerë prej më shumë se 540 milionë dollarësh në Britani.

Njeriu i fuqishëm i BE-së

Kush është Manfred Weber?

Darka sekrete në vilën e presidentit të zgjedhur të SHB-ve

Pas Elon Musk, Trump “bën për vete” edhe themeluesin e Facebook?!

Presidenti amerikan cakton njeriun që duhet të ndalojë luftën

BE kërkon ndihmën e Trump për të “asgjësuar” Rusinë