MENU
klinika

Nga Julia Petrovskaya, Riddle

Aleanca ruso-kineze e krizave në Ballkan

26.10.2021 - 13:44

Rusia dhe Kina po e shtojnë presionin ndaj partnerëve perëndimorë në krizën që po përshkallëzohet në Bosnje Hercegovinë, me rritjen e aktivitetit të Pekinit në këtë front që vihet re për herë të parë që nga fundi i luftës në vitet 1990.

Ndërkohë që BE dhe SHBA po përpiqen që t’i bindin serbët e Bosnjës t’i japin fund bllokadës së autoriteteve qeveritare, Moska dhe Pekini po kërkojnë që administrata ndërkombëtare të tërheqë sa më parë praninë e saj atje, që është e ngarkuar me kompetenca të veçanta.

Kushtet për mbylljen e misionit nuk janë plotësuar, por Rusia dhe Kina këmbëngulin se tutela e jashtme nuk është më e nevojshme, pasi Bosnja është mjaftueshëm e qëndrueshme.

Në këtë kuadër, Moska dhe Pekini kanë njoftuar mosnjohjen e administratorit të ri ndërkombëtar në BiH.

Por mbetet e paqartë nëse ata po planifikojnë të bllokojnë operacionin e forcave të EUFOR -it në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ndërkohë, “aleanca ruso-kineze” në rajonin e Ballkanit pas konflikteve atje nuk ka perspektivë të qartë. Në dallim nga Moska, Pekini nuk e kundërshton zgjerimin e NATO-s dhe BE-së.

Interesat e tij lidhen më shumë me projektet ekonomike. Për më tepër, Kina vazhdon që ta spostojë Rusinë nga lista e partnerëve të rëndësishëm të vendeve të Ballkanit. Vendimi i Moskës dhe Pekinit për të refuzuar bashkëpunimin me Përfaqësuesin e Ri të Lartë (administratorin ndërkombëtar) për Bosnjen, Christian Schmidt, që mori detyrën më 1 gusht, është hapi i parë publik i këtij lloji pas 25 viteve të pasluftës në Ballkan.

Rusia dhe Kina ranë dakord që ta mbështesin kandidaturën e Schmidt vetëm në këmbim të përfundimit të parakohshëm të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR) që në vitin 2022. Njëkohësisht, ata kërkuan që administratorit ndërkombëtar t’i hiqen kompetencat e tij

të veçanta, të cilat e lejojnë të marrë vendime të detyrueshme për t’u zbatuar, dhe të shkarkojë zyrtarët dhe gjyqtarët pa të drejtë ankese. Ndërkohë, partnerët perëndimorë besojnë se është shumë herët për ta mbyllur OHR, pasi Bosnja ka dështuar të përmbushë kriteret e njohura si plani “5+2”.

Diplomacia ruse, e cila ra dakord me këtë plan në vitin 2008, dhe tani beson se fraza të tilla si “forcimi i shtetit të së drejtës” dhe “vlerësimi pozitiv i situatës në Bosnje” janë shumë të paqarta dhe se me to “abuzojnë”vendet perëndimore. Moska ka kohë që nuk bie dakord me partnerët e saj perëndimorë për kërcënimet ndaj Bosnjes, dhe mbi interpretimet e Marrëveshjes së Dejtonit.

Është e qartë se Bosnja është një vend që ndikohet në mënyrë të veçantë nga SHBA dhe BE, dhe që të dyja këto janë kontribueset kryesore në vendosjen e paqes dhe procesin e rindërtimit. Kontribuesit kryesorë financiarë janë BE, SHBA dhe Japonia, të cilat kanë dhënë ndihma në vlerën 6 miliardë eurosh gjatë 20 viteve të fundit.

Nga ana tjetër, kontributi ruso-kinez në aspektin e asistencës financiare të pasluftës dhe jo investimeve është i panjohur. Christian Schmidt-iti është mohuar njohja nga gjithsej tre lojtarë: përveç Kinës dhe Rusisë, edhe nga lideri serb i Bosnjës Milorad Dodik, që gëzon Një mbështetje të madhe në Kremlin, dhe që shpall periodikisht planet për pavarësinë e Republikës Srpska (njëra nga dy entitetet përbërëse të Bosnjes), edhe pse Marrëveshja e Dejtonit dhe kushtetuta e vendit nuk parashikojnë një shkëputje.

Serbët e Bosnjës janë kritikët më të shpeshtë të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë, të cilët hyjnë në fuqi menjëherë dhe nuk mund të apelohen. Që nga themelimi i saj, Zyra e Përfaqësuesit të Lartë ka shkarkuar rreth 140 zyrtarë, duke përfshirë gjyqtarë, ministra, nëpunës civilë dhe deputetë. Herë pas here, këto shkarkime, që kanë ndodhur kryesisht në fundin e viteve1990 dhe fillimin e viteve 2000, u shoqëruan me ngrirjen e llogarive të tyre bankare.

Muajt ​​e fundit, Dodik njoftoi se po ndërpriste pjesëmarrjen e serbëve në institucionet e nivelit shtetëror, dhe nisi përgatitjet për t’u tërhequr nga marrëveshjet e shumta të arritura pas luftës civile, përfshirë edhe planet për një ushtri të unifikuar dhe shërbimet e inteligjencës.

Ai ka kërcënuar se do të shfuqizojë 140 ligje të hartuara nga administrata ndërkombëtare në territorin e Republika Srpska dhe do t’i dëbojë gjyqtarët dhe prokurorët boshnjakë.

Arsyeja zyrtare e zemërimit të Dodik ishte miratimi i një ligji të frymëzuar nga paraardhësi i Schmidt, Valentin Inzko, për të kriminalizuar mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës. Ky ligj ka veçanërisht lidhje me masakrën ndaj myslimanëve në Srebrenicë në vitin 1995, të cilin Gjykata Ndërkombëtare e shpalli si gjenocid në vitin 2007.

Kinae ka shtuar praninë e saj në Ballkan vitet e fundit nëpërmjet projekteve ekonomike në shkallë të gjerë dhe diplomacisë së vaksinave. Por ndikimi i saj në Bosnje nuk ka qenë deri më tani i dukshëm. Kina nuk ishte e përfshirë në hartimin e Marrëveshjes së Dejtonit, dhe nuk është anëtare e Këshillit për Zbatimin e Paqes (të cilin e la në vitin 2000), që përfshin 55 vende dhe organizata që mbështesin procesin e paqes përmes financimit apo sigurimit të trupave ushtarake.

Goditja diplomatike që mori Schmidt nga Moska dhe Pekini që në fillim të detyrës, nuk do t`i përmirësojë mundësitë e zgjidhjes së krizës akute politike. Mbetet për t’u parë se çfarë planesh kanë për të ardhmen Moska dhe Pekini, dhe sa e fortë do të jetë “aleanca e tyre e krizës” në Ballkan.

A janë ata gati të vazhdojnë përballjen me Këshillin e Sigurimit të OKB-së, dhe të bllokojnë zgjatjen e mandatit të EUFOR-it evropian, që angazhohet në ruajtjen e paqes dhe çminimin e Bosnjes?

Ky skenar nuk mund të përjashtohet, sidomos duke pasur parasysh se në vitin 2014, në mesin e krizës për shkak të aneksimit të Krimesë, Moska refuzoi zgjatjen e mandatit të EUFOR-it, si për t’u dërguar një sinjal kundërshtarëve të saj se nuk ka më besim se është i nevojshëm një misionpaqeruajtës.

Ndërkohë, përveç Bosnjës, Moska dhe Pekini vazhdojnë të ndikojnë edhe në situatën rreth Kosovës, duke kundërshtuar Perëndimin si dhe integrimin e kësaj të fundit në komunitetin global. Në nivelin diplomatik, Rusia dhe Kina janë më aktive se vendet e tjera në mbrojtjen e integritetit territorial të Serbisë, dhe në pengimin e përpjekjeve të Kosovës për t’u pranuar në OKB që pas shpalljes së pavarësisë së saj në vitin 2008.

Është e qartë se anëtarësimi në OKB është i mundur vetëm me pëlqimin e Moskës dhe Pekinit. Për autoritetet e Kosovës nuk do të jetë e lehtë që ta kenë atë, pavarësisht nga rrjedha e procesit të normalizimit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të nisur që në vitin 2011.

Një zgjidhje e mundshme e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës gjatë viteve të ardhshme nuk do të nënkuptonte fundin e konfrontimit midis Moskës dhe Pekinit kundër Uashingtonit dhe mbështetësve të tjerë të pavarësisë së Kosovës.Ashtu si me Bosnjën, Kina preferon një retorikë më të qetë në rastin e Kosovës.

Kjo qasje kontraston dukshëm me atë të Moskës, që shpesh herë i akuzon shqiptarët e Kosovës për provokime, dhe angazhohet aktivisht në diskretitimin e elitës politike në Prishtinë. Në mesin e krizës së shtatorit në marrëdhëniet Beograd-Prishtinë për shkak të mosmarrëveshjes mbi targat, ambasadori rus në Beograd Alexander Botsan-Kharchenko inspektoi njësitë e ushtrisë serbe që ishin vendosur në gatishmërinë nr.1 në kufi.

Por afërsia e vlerësimeve politike të situatës mbi Bosnjën dhe Kosovën, ende nuk i ka afruar Moskën dhe Pekinin deri në atë pikë sa të konsiderohen si aleate në Ballkan. Nga njëra anë, aktiviteti i shtuar i Kinës në OKB për çështjen e Bosnjës, ka treguar se ky vend po përpiqet të mbajë një qëndrim më konfrontues ndaj Perëndimit, dhe në këtë kuptim ai mbështetet qasjen e Rusisë. Nga ana tjetër Kina nuk përpiqet të ndikojë dukshëm në marrëdhëniet ndëretnike në rajon,apo të pengojë proceset integruese.

Në të kundërt, Moska po manipulon hapur me dallimet dhe frikën e grupeve të ndryshme kombëtare dhe po bën propagandë kundër NATO-s dhe BE-së. Deri më sot, interesat e Pekinit kanë qenë kryesisht të lidhura me projektet ekonomike. Pekini është gatitë investojë miliarda në projektet infrastrukturore, ndërsa Moska nuk përballon dot projekte të reja në shkallë të gjerë.

Aktiviteti i shtuar i Rusisë dhe Kinës në Ballkan, lidhet shpesh me zvogëlimin e vëmendjes ndaj SHBA-së dhe BE-së në rajon, si dhe me ngadalësimin e integrimit evropian. Muajt ​​e ardhshëm do të tregojnë nëse Moska dhe Pekini janë të gatshëm të shkojnë edhe më tej në konfrontimin politik me Uashingtonin dhe me garantuesit e tjerë të paqes në Ballkan. Megjithatë, BE dhe NATO kanë mjaftueshëm mekanizma në dispozicion për të balancuar tendencat negative./ Riddle