MENU
klinika

Nga Ben Andoni

Antirrjedha Basha&Berisha dhe pse nevoja do t’i bashkojë sërish!

31.10.2021 - 18:05

Në një logjikë normale dhe të domosdoshme për Partinë Demokratike duhet të ishin strukturat, që konform neneve statusore në një rrjedhë normale të zgjidhnin krizën e sotme, një nga më të mëdhatë e regjistruara gjatë ekzistencës së këtij formacioni politik. Por, Berisha dhe Basha, ish-kryetari dhe kryetari aktual janë barrikaduar në dy anë të një sherri kinse ekzistencial, që duket se në ditët e fundit po merr shumë energji, po lodh elektoratin dhe më shumë se çdo gjë: po nxjerr dobësitë e mëdha të brendshme në formacionet politike shqiptare. Ata pak njerëz të kthjellët që po përpiqen të këshillojnë janë distancuar me të drejtë, pasi si kryetari Basha, i cili sapo u zgjodh me shumicë votash nga po këta njerëz që po mëtojnë ta heqin dhe ardhur pas plot tre humbjesh votimesh të përgjithshme po qëndron i vendosur; ashtu si ish-kryetari Sali Berisha, që jo vetëm e ka mbajtur por edhe e ka sponsorizuar moralisht kryetarin aktual duket më i vendosur me anë të “Foltoreve” të bëj një paralele dhe ta zhvendosë vëmendjen publike nga shpallja “Non grata”, përcjellë nga shteti amerikan përmes Departamentit të Shtetit dhe që e ka penalizuar me të drejtë nga partia e vet.

Për të ardhur keq është se tashmë edhe Basha e ka rritur tonalitetin dhe agresivitetin e gjuhës së tij dhe po ndërton një narracion anti-Berisha, që kulmoi në seancën e parlamentit të kësaj jave të fundit të tetorit 2021, kur iu drejtua kryeministrit Rama: “E ke hallin ti tek Partia Demokratike?! Ke hall ti sesa demokratë mbledh unë?! Të ka marrë malli ty? Të ka marrë malli?!

Thuaj më ka marrë malli për Sali Berishën dhe për Ilir Metën, thuaje ta dëgjojnë të gjithë.

Shko dhe ti në foltore zotëri, ose fillo foltoren tënde. Bëni ‘Trekëndëshin e Bermudës’ edhe qani hallin bashkë të tre, nëqoftëse i keni të njëjtat. Unë jam këtu për të qarë hallet e shqiptarëve, as të tuat, as të Sali Berishës, as të Ilir Metës”…

Po si ka mundësi vallë që Basha edhe kur ka pasur forcën e Berishës pas vetes nuk është trimëruar kaq shumë dhe jo vetëm kundër një personazhi, por bashkë tre syresh dhe madje nga më potentët e historisë shqiptare të demokracisë? Logjika sërish të shkon te kulisat, ku Basha ka një lloj garancie nga forca që janë të paperceptueshme prej publikut të gjerë për fundin e këtij aksioni në dobi të vet; mbështetjen e Ramës prej asaj që besohet si ndikim i tij në Gjykatë, që PD-ja të mos ndahet, duke ia lënë sërish vulën; por edhe heshtjen e pashpjeguar të vetë protagonistëve të etiketuar!!! Në fakt, Basha e ka primatin sepse vetëm pak javë më parë e fitoi në një proces zgjedhor të arsyeshëm te PD anipse shumë të përfolur de facto, që nuk u kundërshtua madje as nga Berisha dhe as nga grupi i tij, por që Kuvendi u përdor disi dhe për të treguar peshën e ish-kryetarit. Qysh atëherë, ashtu edhe si është provuar tashmë, Basha e dinte fatin e Berishës, mungonin vetëm modalitet e largimit të tij, zbuluar dora-dorës dhe që u lanë në fund të kohës së arsyeshme, sak kur PD-ja përgatiti grupin parlamentar.

Tashmë jemi në fund të gjithë kësaj maskarade dhe llogaritë e arsyes e dërgojnë këtë diskurs Basha-Berisha në ndarje apo më saktë kah përçarjes. Basha jo vetëm e ka ngritur tonalitetin e gjuhës por e ka bërë të qartë se nuk do ketë Kuvend, kurse Berisha dhe njerëzit e tij jo vetëm e kanë shpallur ditën por po mundohen të tregojnë se tashmë ish-kryetari do rikthehet 100%.

“Në një kohë krize të brendshme, njerëzit me vullnet të mirë dhe bujarë duhet të jenë në gjendje të bashkohen pavarësisht nga partia apo politika”, thoshte dikur Kenedi, i përballur me problematika të pafundme politike në vendin e tij. Por Amerika e tij nuk është Amerika se sotme që i ka bërë gjëmën Berishës; kurse Shqipëria politike sot nuk është ajo e viteve më parë, ku zërat e njerëzve të arsyeshëm janë bjerrë. Tashmë politikanët shqiptarë jo thjesht janë marifetçinj të spikatur por edhe krijues situatash të tilla madje duke përfituar në një kundër-rrjedhë si kjo që po vazhdon te PD. Kadilli, një nga kandidatët e arsyeshëm e përmendi bashkëpunimin Basha-Berisha, ashtu si të tjerë po e thonë ende nën zë.

Më e logjikshme në këtë rrugë pa krye është se Berisha dhe Basha u nevojitet të jenë sërish në një varkë të pambytur, por me disa mbyllje vrimash, që të kënaqin egon dhe fabulën e ish-kryetarit për gjyqin dhe kërkimin e drejtësisë së tij, ashtu si Basha do qëndrojë sepse të vetmen punë të mirë që ka bërë ishte ngulja e vetes në pushtetin e PD-së. Javët e ardhshme do të tregojnë shumë, por anti-rrjedha aspak logjike e PD-së, që nuk po tregon ide por vetëm kryqëzimin e Bashës, ka shumë të ngjarë të futet në trasenë e llogaritur të kryetarit aktual. Nuk është e pakët që qetësia e tij përkon aq qetë me vendosmërinë e Berishës për ta hequr, si padron. Nëse do të ndodhë dhe gjasat po e afrojnë këtë skenar, ky do jetë pazari më i dhimbshëm për PD-në dhe zhgënjimi më i madh prej tyre, anipse sa herë kanë qenë vallë bashkë në këto vite të fundit ata dhe askush nuk është mërzitur?! “Dy zotërit” e PD-së e dinë mirë që janë pronarët ortakë të demokratëve, pa iu dhimbsur realisht se e kanë zvetënuar kauzën e të Djathtëve. Në këtë anti-rrjedhë, ata thjesht po i tërheqin të gjithë në qerthullin e tyre me zgjidhjet thjesht për të përfituar duke krijuar telashe, kur sfida e vërtetë në fakt duhet të ishte Rama. A nuk e thoshte dikur Marks:” Politika është arti i kërkimit të telasheve, gjetjes së tij kudo, diagnostikimit të gabuar dhe aplikimit të mjeteve të gabuara”. Jo Marksi, ai i vërteti, por Julius Henry (Grouche) Marks, humoristi që kishte qejf si pakkush batutat, bash ato që po na lodhin me hipokrizinë e tyre njerëzit e sotëm të Partisë Demokratike.

Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin